Zgjedhjet për kryetarin e KQZ
PS: "Nën kontrollin e qeverisë"

Zgjedhjet për kryetarin e KQZ <br />PS:
TIRANE - Deputeti socialist, Damian Gjiknuri ka denoncuar sot paradite skenarin antiligjor të mazhorancës, sipas tij për të uzurpuar Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot paradite Gjiknuri është shprehur se “procesi aq delikat dhe i rëndësishëm i formimit të KQZ-së dhe i zgjedhjes së Kryetarit të saj po udhëhiqet nga instinktet primitive politike të uzurpimit dhe njëanshmërisë. Sipas një skenari të parapërgatitur dhe që filloi javën që shkoi në kuvend, mazhoranca po shkel me dashje dhe pa asnjë justifikim ligjin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të KQZ-së”.

Deputeti socialist akuzoi mazhorancën se po kërkon që të bëjë të kundërtën e asaj çka parashikon Kodi Zgjedhor për procedurat e zgjedhjes së Kreut të ri të KQZ, duke e nisur zbatimin e Kodit me shkelje dhe njëanshmëri. Kjo pasi kodi e parashikon qartë se zgjedhja e kryetarit të KQZ bëhet pas përfundimit të zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Por mazhoranca sipas Gjiknurit është duke shmangur transparencën për publikun dhe gjithëpërfshirjen në këtë proces. Kjo për deputetin socialist nuk bën gjë tjetër veçse provokon opozitën dhe minon procesin që kërkohet për zgjedhjen e kryetarit të KQZ.

Në mbyllje të fjalës së tij deputeti socialist, ka theksuar se përballë kësaj situate PS do të insistojë me forcë në respektimin e ligjit dhe rregullores së Kuvendit, si dhe do të informojë partnerët ndërkombëtar për kërcënimin që po ngjizet ndaj procesit të ardhshëm zgjedhor.

DEKLARATA E PLOTE E DEPUTETIT GJIKNURI

Mazhoranca qeverisëse po e fillon zbatimin e Kodit Zgjedhor me shkelje dhe njëanshmëri. Procesi aq delikat dhe i rëndësishëm i formimit të KQZ-së dhe i zgjedhjes së Kryetarit të saj po udhëhiqet nga instinktet primitive politike të uzurpimit dhe njëanshmërisë. Sipas një skenari të parapërgatitur dhe që filloi javën që shkoi në kuvend, mazhoranca po shkel me dashje dhe pa asnjë justifikim ligjin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të KQZ-së.
Ndërkohë pa asnjë justifikim ligjor nuk votoi në seancën që shkoi kandidatët për anëtar KQZ-së, megjithëse procesi i përzgjedhjes së tyre kishte përfunduar me konsensus. Kodi Zgjedhor përcakton qartë që zgjedhja e kryetarit të KQZ bëhet pas përfundimit të zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Mazhoranca po kërkon të imponojë të kundërtën.

Kodi Zgjedhor përcakton qartë që kandidatët për kryetar të KQZ-së shqyrtohen nga Kuvendi në përputhje me rregulloren e Kuvendit e cila mandaton qartë komisionin e ligjeve për t’u njohur me kandidatet dhe për t’i thërritur ata në seancë dëgjimore. Mazhoranca kërkon të imponojë një proces të beftë dhe të njëanshëm, duke shmangur transparencën për publikun dhe gjithë-përfshirjen në këtë proces. Të njëjtën gjë bëri edhe në mbledhjen e inskenuar të Komisionit të datës 27 Shtator, kur Kuvendi ishte i mbledhur në seancë plenare, duke provokuar opozitën dhe duke minuar procesin që kërkohet për përzgjedhjen e kryetarit të KQZ-së.

Të gjithë partnerët ndërkombëtar po kërkojnë me zë të qartë që procesi i përzgjedhjes së Kryetarit të KQZ-së të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. Instrumentet ligjor janë në dispozicion dhe ligji i ka përcaktuar qartë. Nevojitet vetëm vullnet politik nga ana e mazhorancës. Vullnet që përkthehet në zbatim të rregullores së Kuvendit dhe të Kodit Zgjedhor.

Organizimin e një procesin transparent shqyrtimi të të gjithë kandidatëve siç parashikon rregullorja;
Votimin e anëtarëve të KQZ që tashmë janë miratuar me konsensus si dhe përzgjedhjen më pas të kryetarit të KQZ. Këtë kërkon Kodi, këtë kërkon rregullorja.
Demonstrimi i forcës së kartonit dhe i vullnetit të njëanshëm, përcakton qysh në krye të herës se deklarimet e Berishës se ai disponon vullnet për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë thjesht demagogji e përsëritur, ndërkohë që synimet e tij për kontroll politik mbi organizimin e procesit zgjedhor mbeten të pandryshuara.

Përballë kësaj situate PS do të insistojë me forcë në respektimin e ligjit dhe rregullores së kuvendit si dhe do të informojë partnerët ndërkombëtar për kërcënimin që po ngjizet ndaj procesit të ardhshëm zgjedhor.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Anti-berishistët mbledhin firmat për partinë e re, a do të mbështetet?



×

Lajmi i fundit

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia

Hungaria akuzon BE-në për bllokimin e furnizimit me naftë nga Rusia