Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Ilir Alimehmeti, është shprehur se do të ngrihet një komision që do të merret me zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike në 23 maj të këtij viti.

Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report TV, Alimehmeti pranoi se në garën e 23 majit do të ketë filtra, për të mos lejuar të gjithë kandidatët të garojnë për kreun e PD-së.

Teksa tha se deri më sot ka shprehur vullnetin vetëm Sali Berisha për të kandiduar, Alimehmeti shtoi në PD ka disa figura dinjitoze që mund të garonin përballë kreut aktuale të demokratëve.

“U lajmërua vetëm pak ditë përpara data e zgjedhjeve, kështu që presim vetëm udhëzimet dhe afatet e sakta kur do jenë, pra deri kur mund të kandidohet. Do të ngrihet një komision që merret me garën përkatëse. Do pranojë kandidaturat. Ndoshta vijnë shumë kandidatura, disa prej tyre ndoshta jo në nivelin e duhur. Ndodh kjo. Disa filtrohen, sepse bëhet fjalë për kryetarin e opozitës, që është nga krahu tjetër kryeministër në hije. Kështu që jo çdo lloj niveli mund të kandidojë për këtë lloj posti. Patjetër që ka figura pafund Berisha që mund të kandidojnë, por deri më sot e ka shprehur vullnetin vetëm Berisha. Unë i përkas një mendimi pluralist, që çdokush ka të drejtë të votojë dhe votohet. T’i paraqitet publikut dhe nëse merr mbështetjen e publikut, nëse merr mbështetjen qeveris, nëse nuk e merr, nuk qeveris. Por jo që t’i bllokohet kandidatura dikujt me çfarëdolloj artifice të vogël. Pastaj ka një lloj strategjie apo ndërgjegje gjithësekush që merr pjesë në këto lloj garash”, tha Alimehmeti.

Teksa u pyet nga gazetarja Marsela Karapanço nëse do të garonte për kreun e PD-së përballë Berishës, Alimehmeti tha nuk kishte ambicie për këtë pozicion.

“Nuk kam ambicie për të kandiduar për kryetar të PD-së. E kam shprehur shumë herë”, tha mes të tjerash Alimehmeti.

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, deklaroi se Sali Berisha e ka mbyllur ciklin e tij dhe duhet të përgatiste terrenin për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së përmes votës së lirë.

“Ne na intereson realisht, pavarësisht se doktori tha se më të shqetësuar janë analistët dhe gazetarët, sesa ne të zgjedhurit e PD-së, kjo do të ishte kënaqësia më e madhe e doktorit, e doktor Alimehmetit dhe e doktorit të madh, që të shqetësuar për PD-në duhet të jenë gjithë shqiptarët. Pse duhet të jenë gjithë shqiptarët. Realisht ne që vijmë nga profesione që e kemi prekur çdo qelizë të shtetit dhe çdo cep të Shqipërisë, me hallet dhe problemet e shqiptarëve, aq sa jemi marrë me politikën, e njohim realitetin. Unë po ju them publikisht, sot jemi më keq se në 1997.

Regjimi i Ramës e ka kriminalizuar shoqërinë në çdo skaj. Dhe e keqja më e madhe e shqiptarëve është Rama dhe qeveria e tij. Kriminaliteti dhe abuzimet me fondet publike nuk kanë fund. Po ka mbaruar ciklin, babai i mirë i përgatit kushtet për trashëgimtarin. Por që trashëgimtari të mos e marrë qyl, duhet t’u sigurojë një garë, për t’i provuar trashëgimtarit kush është më i zoti, jo t’ja fali apo t’ja dhurojë. Ndryshe do themi ‘po na vdiq baba, vdiq familja, vdiq shoqëria, vdiq Shqipëria”, tha mes të tjerash Prençi.

Përme Mentor Kikinë, Sali Berisha e organizon garën brenda PD-së në mënyrë të tillë që t’i fitojë vetë zgjedhjet për kryetar.

Kikia tha gjithashtu se Berisha duhet ta lejonte Salianjin që të garonte, por sipas tij, ai i trembet faktit se ish-deputeti mund të marrë një numër të lartë votash.

“Kjo opozita jonë ka bërë që më shumë është marrë me veten dhe në këtë vend merremi me opozitën si askund tjetër në botë, nuk i bie ndër mend njeriu që të merret kush është në opozitë. Do të duhet të garonte gjithëkush brenda këtyre. Salianji mund të jetë një shashkë, mund të marrë 100 vota gjithësej. Por mund të dalë që merr edhe 35% të votave gjithësej.

Kapiteni thotë ‘kur të hidhem unë në pishinë, të gjithë të dalin jashtë, sepse do notoj vetëm unë’. Rreziku që unë fola pak më parë është nëse Salianjin nuk do e lënë të garojë, sepse e kanë vendosur, teoria e vetëpërjashtimit, teoria e vetëpërjashtimit e nenit 55 e agjitacion dhe propagandës, nuk do lihet dhe ajo që unë fola pak më parë se zgjedhjet nuk do jenë zgjedhje, do prodhojë kosto”, tha mes të tjerash Kikia.

Ndërsa për gazetarin Reldar Deda, i cili deklaroi se cikli politik i Sali Berishës ka përdunduar, përsëri kryedemokrati mbetet njeriu më i domosdoshëm në kushtet ku ndodhet sot politika dhe shoqëria shqiptare.

“Unë nuk jam që në PD të flitet për përjashtime. Unë mendoj se një parti demokratike kundërshtarin nuk duhet ta shohë si armik, por si një rival. Koncepti i armikut është koncept që nuk e përfaqëson PD-në. Për t’ju kthyer personazhit në fjalë, është një personazh tërësisht i zakonshëm. Megjithëatë për t’ju kthyer personazhit në fjalë, mendoj se është një personazh tërësisht i zakonshëm. Provokoi debat për shkak të krizës së madhe ku është PD. Të gjithë përballë këtij individi, që nuk e lidh shumë me moshën, por me ciklin politik që i ka përfunduar. Mua më shqetëson që ciklin politik Berisha e ka mbyllur në 2013. Por është njeriu më i domosdoshëm në kushtet ku ndodhet sot PD dhe shoqëria shqiptare”, tha Deda