Vëzhguesit e NDI-së, një organizatë jo qeveritare jo fitimprurëse me qendër në Washington kanë shprehur shqetësimin për polarizimin e procesit parazgjedhor duke i bërë rekomandimet të drejtëpërdrejta PD e PS-së që partitë të komunikojnë në mënyrë konstruktive dhe debateve të moderuara të nxjerrin dallimet dhe të heqim dorë nga fjalimet që denigrojnë kundërshtarin. Gjithashtu ata shprehën shqetësimin për situatën e krijuar ku njerëzit mendojnë se duke votuar për një parti fiton një vend punë dhe nëse voton për tjetrën humb punën. "Nëse qytetarët duan ndryshim duhet të dalin dhe të votojnë"- nënvizojnë vëzhguesit e Insitutit Demokratik Amerikan.
Raporti paraprak u bë publik sot paradite në sallën e konferencave Onufri në Tirana International Hotel, ndërkohë që një material më i zgjeruar pritet të dërgohet në kongresin amerikan, senat e në Departamentin Amerikan të Shtetit, për të qënë dhe si bazë e formulimit të raportit përfundimtar për situatën parazgjedhore, ditën e zgjedhjeve dhe paszgjedhore në Shqipëri.
NDI: PARTITE TE MOS OFROJNE VENDE PUNE PER VOTEN
Guvernatori Howard Dean ka theskuar se Shqipëria ka bërë progres , partitë kanë miratuar një ligj të mirë zgjedhor, por tani kanë përgjegjësi në mënyrë që të bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Shumë kush mendon se duke votuar për një parti fiton një vend punë dhe nëse voton për tjetrën humb punën. Kur ka shumë njerëz që mendojnë në këtë mënyrë dhe kjo minon procesin zgjedhor dhe të ardhmen. Për këtë kemi bërë disa rekomandime të cilat kryesisht janë për dy partitë e mëdha politike pasi ky sistem është krijuar prej tyre dhe për to. Një prej rekomandime është që partitë të komunikojnë në mënyrë konstruktive. Përmes debateve të moderuara të nxjerrin dallimet dhe të heqim dorë nga fjalimet që denigrojnë kundërshtarin."- tha zonja Lousewies van der Laan, ish deputetja e holandeze dhe e Parlamentit Evropian, pjesëtare e këtij misioni vëzhguesish.
KQZ DUHET TE JETE E PAVARUR
NDI rekomandon komunikim dhe zgjedhjet të jenë beteje idesh jo njerëzish. Lidhur me procesin Zgjedhor NDI nënvizon se KQZ duhet të jetë e pavarur nga politika. "Listat e votuesve të jenë të sakta dhe teknologjia të jetë transparente", ndërsa për median "të jetë e pavarur dhe jo të ndikohet nga politika”
MISIONI I NDI NE TIRANE
Misioni i NDI ka qenë në Shqipëri në datat 18-22 mars ku është takuar me zyrtarë të lartë të shtetit, drejtues të KQZ, partive politike e shoqërisë civile. Delegacioni i NDI përbëhet nga Guvernatori Howard Dean, ish-Kreu i Komitetit Kombëtar të Demokratëve në ShBA, znj.Ellen Weintraub, Kryetare e Komisionit Zgjedhor Federal të ShBA, zyrtarja më e rëndësishme e gjithë delegacionit pasi do të jetë personi që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të informojë në lidhje me tërë situatën parazgjedhore në Shqipëri. Njëherësh kanë qenë dhe znj.Lousewies Van der Laan zv. Presidente e Aleancës Demokratike Liberale Evropiane si dhe Robert Benjamin Drejtor Rajonal i NDI dhe Ana Kadoviç Drejtore e NDI për Shqipërinë.
Ky grup i zgjeruar dhe i një niveli shumë të lartë, i pari në këto përmasa tre muaj para zgjedhjeve në vendin tonë, morri informacionin fillestar në rrugë të drejtpërdrejta përmes takimeve me kreun e opozitës Edi Rama, kreun e qeverisë Sali Berisha, drejtuesit e KQZ por dhe shoqërinë civile, si dhe përmes informacioneve të tërthorta për të patur një ide shumë të qartë në lidhje atë çka ndodh në Shqipëri 3 muaj para zgjedhjeve dhe që do shërbejë për raportin e parë paraprak i cili do të dërgohet në senat, kongres e DASH për Shqipërinë.
"Burime të besueshme brenda këtij delegacioni bëjnë me dije se grupi i NDI i ardhur nga SHBA është shumë i pakënaqur në lidhje me situatën parazgjedhore, sidomos me politizimin e tejskajshëm të KQZ, listat paraprake të zgjedhësve në të cilën ka shumë dublime por dhe janë gjysmë milioni votues që nuk kanë adresë, dokumentet e identifikimit të pasigurt, tensionimin e situatës politike në mënyrë të tejskajshme, përdorimi i fëmijëve në fushatë, mungesën e rolit të shoqërisë civile që shpeshherë bëhet palë e kryesisht ngritjen e toneve nacionaliste në shërbim të fushatës elektorale. Në përfundim, mësohet se për vetë rëndësinë që kanë këto zgjedhje për integrimin e Shqipërisë në BE, si një vend anëtar i NATO-s por dhe për procedent e mëparshëm negativë që kanë shoqëruar zgjedhjet në Shqipëri, përfaqësuesit demokratë amerikanë mendohet të prezantojnë një raport shumë të ashpër për situatën parazgjedhore në Shqipëri, në instancat e tyre të larta".- shkruante sot në mëngjes Shqiptarja.com, (print)
LESKAJ
Deputetja socialiste Valentina Leskaj ka drekuar me delegacionin e NDI që ka ardhur për të monitoruar zgjedhjet në Shqipëri. “Një takim me miq të vjetër e të rinj. Në drekën që pata me misionin për vlerësimin e situatës parazgjedhore në Shqipëri që përbëhej nga zyrtarë të lartë politikë nga SHBA e Evropa, ndamë opinionet tona për situatën parazgjedhore. Pasi shprehëm shqetësimet për problemet që lidhen jo vetëm me rekordet negative të Qeverisë në zgjedhjet e mëparshme po dhe me problemet aktuale me KQZ, mandatet, listat etj, kërkuam rritje të monitorimit nga partnerët ndërkombëtarë.
Jam shpresëplotë se përveç masave të PS, rritja e vëmendjes së ndërkombëtarëve dhe monitorimi kapilar i zgjedhjeve edhe nga ana e tyre do t’ia vështirësojë manipulimin Berishës”, shkruante dje Valentina Leskaj në profilin e saj në rrjetin social.
Dekalarata e NDI Per Vleresimin e Situates Para-zgjedhore Ne Shqiperi-Mars 2013