Zgjedhjet/ Veliaj për opozitën: Sapo të mbarojë fushata ata do ‘çajnë ferrën’! E shohin Rrogozhinën si xhep ku futen njëherë në katër vjet për vota

Drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj nga Rrogozhina, ku prezantoi kandidatët për Këshillin Bashkiak atje, tha se sapo të mbarojë fushata opozita do t’i braktisë qytetarët, siç kanë bërë gjithmonë. 

“Do mbarojë fushata, do numërohen votat, do vijë fitorja jonë në të pesë bashkitë e qarkut, dhe ata ‘do çajnë ferrën’, do ikin siç kanë bërë gjithmonë. Kush janë deputetët e opozitës? Lista është proporcionale, ka pasur deputetë edhe Rrogozhina, edhe Kavaja. Kush janë? I keni parë më pasi mbaruan zgjedhjet? Etjeni është këtu, Shpati është këtu, e sigurt që edhe Edisoni është këtu çdo ditë me skuadrën e tij. Kjo është diferenca mes atyre që e duan votën për të bërë punë, jo për të bërë sherr. Në qoftë se një doktor, një elektricist, një inxhinier, një arkitekt, nuk e bën punën e tij për katër vjet, nuk ka fytyrë të dalë nga shtëpia, e jo më të kërkojë atë punë. Po të jesh politikan, mund të ikësh 4 vjet nga Parlamenti, sikur nuk ka ndodhur asgjë, vjen prapë, sikur nuk ka ndodhur asgjë, thua poshtë ky, poshtë ai, mallkuar ky, mallkuar ai dhe kërkon vota prapë. Ndërkohë, një anëtar i këshillit bashkiak ikën katër vjet, nga 2019-2023, nuk ndodh asgjë. Komplet të pacipë, dalin dhe bëjnë fjalime, thonë dua vota prapë”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku ironizoi kundërshtarët politikë kur tha se e shohin Rrogozhinën si xhep ku duhet të futen njëherë në katër vjet për vota. Ai theksoi se Partia Socialiste do që bashkitë të jenë instrument për një bashkëpunim të shkëlqyer me qeverinë, për mbarëvajtjen e punëve të mira. 

“Ne e shohim si një dashuri të madhe të çunave dhe gocave të këtij qyteti, që votën e duan si instrument për të bërë këto punë, për t’u siguruar që partneritetin me qeverinë ta përdorin për të bërë punë dhe jo për të hapur sherre apo për të krijuar hasmëri me qeverinë. Ne nuk jemi këtu se kemi inat dikë, nuk jemi këtu se duam të sherrosemi me dikë. Ne jemi këtu se duam Rrogozhinën, duam Tiranën, duam Shqipërinë, dhe duam që gjërat të bëhen më mirë, jo më keq, jo me sherr, por me punë”, vijoi më tej Veliaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:43
Veliaj fton demokratët e Rrogozhinës t’i bashkohen PS: Ne jemi partia që punon, mos votoni listën e rublave të Ilir Metës

“Ne jemi një parti që punon, partia që i bashkon njerëzit”, kështu u shpreh drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës, Erion Veliaj në Rrogozhinë, teksa theksoi se gjërat e mira arrihen me punë.

“Unë besoj te aftësia jonë për të mos e përçarë shoqërinë tonë, por për ta bashkuar atë. Kjo është arma jonë më e fortë. Gjërat arrihen me zemër, me pasion, jo me inate dhe jo me dhunë. Ndaj, besoj fort se do të keni mundësinë t’i tregoni palës tjetër që detyra nuk duhet braktisur. Bashkia nuk është instrument për të bërë sherr me qeverinë. Për të gjithë ata demokratë të Rogozhinës kam një moment reflektimi dhe dua t’ju bëj një pyetje: kush na ndjek dhe është demokrat, ose i thotë vetes i djathtë dhe demokrat, a ka një shpjegim pse duhet të votojnë demokratët e Rogozhinës listën e Ilir Metës? Të njeriut që ka luftuar më shumë të djathtën dhe të njeriut që ka shkatërruar më shumë çdo punë të Partisë Demokratike? Një njeri që është aktivizuar më shumë se kushdo tjetër për të shkatërruar të djathtën, tani ka listën e tij dhe Sali Berisha i thotë të djathtëve shkoni ‘si cjapi te kasapi’ për Ilir Metën”, tha Veliaj.

Ai ftoi çdo demokrat, që të mos bëhet “mish për top” për hallin që ka Ilir Meta për rublat ruse, e për hallin që ka Sali Berisha me Amerikën, por të bashkohet me Partinë Socialiste, me forcën më punëtore dhe me ide të qarta për të ardhmen. 

“Sali Berisha ka një hall të madh dhe është në vështirësi. Ai nuk shkon dot deri në Rinas, nuk kalon dot kufirin, është non-grata nga SHBA nga Britania e Madhe. Ai është në hall. Është si ajo shprehja, kërcen nga belaja, por prej këtij halli po i  thotë të gjithë demokratëve shkoni në thertore, shkoni si “cjapi tek kasapi”, tek Ilir Meta. Kjo është fyerje e madhe o shokë, o vëllezër, o motra! Kjo është për të të fyer inteligjencën dhe të përdoresh si mish për top për hallin që ka Ilir Meta për rublat ruse, e për hallin që ka Sali Berisha me Amerikën. Ne nuk jemi këtu për të zgjidhur hallet e tyre, por për të zgjidh hallet e Rrogozhinës. Unë i kam parë sondazhet dhe fitoren tonë të thellë që presim në Rrogozhinë. I kam parë sondazhet e fitores që presim edhe në Kavajë, në Kamzë, në Vorë, e sigurisht në Tiranë. Nuk po ju them demokratëve, bëhuni me ne, se ne jemi më të fortët dhe do fitojmë. Unë po ju them kini respekt për veten tuaj. Mos shkoni si ‘cjapi te kasapi’, të shkoni me porosi të Sali Berishës te lista e rublave të Ilir Metës sepse kjo është të fyesh një njeri që ka pasur ëndrra, ka pasur ideologji, ka pasur pasione politike. Po ju them ejani me ne, jo se ne jemi një parti më e fortë dhe më e madhe, por se jemi forca më e mirë, më patriotike, më punëtore”, përfundoi Veliaj.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Masakra në Moskë me 143 të vdekur, Ankaraja: Sulmi i ISIS i pamundur pa ndihmën e shërbimeve të huaja

Masakra në Moskë me 143 të vdekur, Ankaraja: Sulmi i ISIS i pamundur pa ndihmën e shërbimeve të huaja