TIRANE- Saranda vijon të qëndrojë e majtë dhe për 4 vitet e ardhshme, teksa ka përfunduar numërimi i votave ditën e djeshme duke u shpallur mes përplasjeve të forta, ulje ngritjeve përkatëse kandidatja e Aleancës Për Shqipërinë Evropiane të drejtuar nga kryeministri Edi Rama. Kështu, kandidatja e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane, Florjana Koka ka fituar me 8300 vota kundrejt kandidatit të djathtë Kreshnik Bozho, i cili ka marrë 7001 vota.

Nuk ka qenë fort e lehtë për Kokën për të marrë kurorën e fitueses, pasi dhe rivali i tij Kreshnik Bozho i të djathtëve shpeshherë është gjendur në udhëheqje të rezultatit duke rrezikuar seriozisht dhe fitoren e kandidates së ASHE Koka deri në tre kutitë e fundit. Pikërisht këtu ka filluar kthesa teksa në tre kutitë e fundit kandidatja e majtë për bashkinë e Sarandës Florjana Koka jo vetëm që ka barazuar rezultatin por është shkëputur me 1300 vota nga kandidati i djathtë Bozho. Pas fitores nuk ka qëndruar pa e ndarë gëzimin dhe me qytetarët përmes medieve.

“Procesi ishte korret, i rregullt dhe i ndershëm. Alternativa jonë ishte më e mirë, falënderoj ata që besuan te projekti ynë”, u shpreh Koka për A1 Report, duke nënvizuar faktin se ishte një vlerësim nga ana e qytetarëve sarandjotë për projektet e saj, të cilat dhe me mbështetjen e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama do të implementohen në qytetin bregdetar për t’u bërë realitet dhe në shërbim të komunitetit. Ndërkohë që mbështetësit dhe simpatizantët kanë nisur festimet në shesh për këtë fitore të rëndësishme në bashkinë e Sarandës.

Ndërkohë që ditën e djeshme kanë përfunduar zgjedhjet dhe në bashkinë e Konispolit ku pas numërimit të votave është shpallur fitues Shuaip Beqiri, përfaqësues i së majtës. Po dhe përfaqësuest e tjerë të majtës janë shpallur fitues në përfundim të numërimit, duke filluar me bashkinë Libohovë me fituese Luiza Mandin, bashkinë Delvinë me fitues Rigels Balilin. Por dhe bashkinë bashki Gjirokastër me fituese Zamira Ramin e ASHE, bashkinë Finiq me fitues Leonidha Hriston e MEGA-s të mbështetur nga ASHE.

Njëherësh dhe PD nuk është ndarë pa fitore në jug të vendit, ku për herë të parë është fituese e Bashkisë së Dropullit, me kryetar të ti tashmë Arqile Deçkën. Kështu që e majta me sa duket ka qënë shumë e vendosur për ta fituar tërë këtëe pellg që përfshin Gjirokastrën me pjesën më të madhe të bashkive rreth e rrotull në këtë qark si dhe Sarandën me pjesën më të madhe të bashkive afër saj.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 23 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)