Zgjedhjet vendore, KVV: KQZ
ende s’ka përmbushur disa detyrime

Zgjedhjet vendore, KVV: KQZ<br />ende s’ka përmbushur disa detyrime
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi ditën e sotme një deklaratë ku vlerëson plotësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe sjell në vëmendje mospërmbushjen ende të disa detyrimeve ligjore prej tij. 

Nëpërmjet kësaj deklarate Koalicioni i kërkon KQZ-së emërimin sa më parë të dy auditëve teknicienë që mbikqyrin dhe verifikojnë të gjitha ndryshimet në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, të cilët duhet të ishin emëruar përpara datës 14 Janar 2015.

 Emërimi bëhet nga KQZ-ja pas propozimit nga Kryetarja dhe Nënkryetari i tij, veprim që nuk është ndërmarrë ende prej tyre, dhe aktualisht nuk ka asnjë informacion se kur kjo çështje do të jetë në axhendën e KQZ-së, megjithëse KQZ-ja është plotësuar dhe ka tashmë edhe nënkryetarin e saj që prej datës 30 janar 2015.

Gjithashtu, Koalicioni iu kërkon anëtarëve të KQZ-së miratimin sa më parë të “Rregullores së Organizimit dhe Funksionimit të KQZ-së”, e cila duhet të ishte miratuar që në datën 26 dhjetor 2012.

KQZ-ja ka dështuar në të gjitha tentativat e mëparshme për miratimin e kësaj rregullore për shkak të mos gjetjes së vullnetit të përbashkët, pasi miratimi i saj kërkon një shumicë të cilësuar prej së paku pesë votash pro nga anëtarët e KQZ-së.
 
Kjo rregullore është e domosdoshme për mënyrën e funksionimit dhe të punës që duhet të realizojë KQZ-ja gjatë ushtrimit të detyrës së saj, pasi rregullorja e cila deklarohet prej tyre se është ende në fuqi, është e viti 2005 dhe bazohet në Kodin Zgjedhor të vitit 2003 i cili është tashmë i shfuqizuar.
 
Në përfundim të kësaj Deklarate, Koalicioni shprehet se e konsideron miratimin e kësaj rregullore si një akt shumë domethënës përsa i përket sjelljes dhe vullnetit të anëtarëve të KQZ-së për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe për të vepruar si një institucion totalisht i pavarur dhe i orientuar vetëm nga ligji, në përgatitjen dhe realizimin e këtij procesi zgjedhor.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë, vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore

Media gjermane “Blick”: Vizitoni Shqipërinë, vendin mesdhetar me pasuri historike dhe kulturore