Palët politike kanë ndezur motorrët për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 2027. Këtë të dielë Partia “Shqipëria Bëhet” mblodhi sKëshillin Kombëtar, ku kreu Adriatik Lapaj  thotë se do të kandidojë në të gjithë këshillat bashkiakë, ndërsa për kryetar bashkie vetëm në ato bashki ku ka kandidatë potencialë për të fituar.

Kjo deklaratë e Lapajt duket se konfirmon daljen vetëm në garë dhe refuzimin për t‘ju bashkuar koalicionit opozitar të udhëhequr nga PD.

“Referuar votimit tuaj sot, ku ju vendosët që në zgjedhjet e vitit 2027, Lëvizja 'Shqipëria Bëhet' të garojë për këshilltarë dhe kryetarë bashkie në gjitha ato bashki ku ne do kemi kandidatë me potencial të lartë, të cilët mund të përballen dhe të fitojnë votëbesimin e qytetarëve, ju ftoj të ndezim motorët, të nisim fushatën, nga sot e në vazhdim,  dhe të afrojmë njerëzit më të mirë. Ftoj çdo qytetar, çdo intelektual, që do të garojë në listat tona, të bashkohet për këshillat bashkiakë, për kryetarë bashkie. Ky është momenti për të përballur të vjetrën me alternativën e re të vlerave”, tha Lapaj.

Fjala e plotë e Adriatik Lapaj:

Në këtë mbledhje të dytë të organit më të rëndësishëm të Lëvizjes Shqipëria Bëhet, dukshëm janë hedhur hapa përpara dhe lëvizja është rritur. Dua ta nis fjalën time duke falënderuar çdo anëtar që është angazhuar në terren për procesin e mbledhjes së firmave për referendumin. Plot 70 000 firma janë mbledhur falë punës së pandalur të aktivistëve tanë të jashtëzakonshëm!

Në këtë rrugë parimesh, dikush edhe u dorëzua, por kjo nuk dobësoi Lëvizjen, kjo lartësoi qëndrestarët. Ju jeni qëndrestarët! Qëndroj sot para jush me kokën lart dhe krenar. Koha na dha të drejtë. U munduan të na blinin vitin e kaluar. Refuzuam! Na kërcënuan me shpërbërje dhe realizuan një skenar të lig balte përmes një pazarxhiu të vogël që u shit për një copë Avokat Populli. Ai pazarxhi nuk i përkiste familjes tonë politike, ishte pjesë e koalicionit që ne e bëmë në mirëbesim për të adresuar vullnetin popullor. Sërish dështuan dhe ju sot jeni dëshmi e kësaj!

Ne nisëm të parët betejën frontale kundër bandës së hajdutëve më të tmerrshëm që ky shtet ka parë ndonjëherë. Më 8 dhjetor të vitit të kaluar u vendosëm përballë Kryeministrisë e për 108 ditë ne i dëshmuam të gjithëve të vërtetën e madhe! Ne vramë frikën! Ne u thamë me zë të lartë pa ndalim poshtë zyrës se janë hajdutë!

Ne, u përballëm me policinë politike të Edi Ramës. Arrestuan 31 prej nesh në 108 ditë rezistencë të akuzuar për mbi 51 vepra penale. Mua personalisht më proceduan penalisht 6 herë në 3 muaj. Na dhunuan. Një pjesë jona përfundoi edhe në spital, por nuk u ndalëm.

Ata na hiqnin e ne riktheheshim. Ata na dhunonin, ata na rrëzonin dhe ne ringriheshim. Ata na prishnin tendën e plasmasit e ne rrinim nën çadrat e shiut. Ata na merrnin ngrohëset dhe ne sërish qëndronim edhe në minus 7 gradë. Ne i dëshmuam gjithë Shqipërisë se për ndryshimet e mëdha duhen sakrifica të mëdha!

 

Në çdo përballje ligjore me ta ne dolëm në përputhje të plotë me ligjin! U përndoqëm e u arrestuam politikisht, por nuk u ndalëm! Ne ishim fara e protestës që ende sot po vazhdon pa ndalim!

Ne nga ai shesh kërkuam një bashkim të madh përtej partive nën flamurin kombëtar për demokratizimin e vendit! Ajo po ndodh sot! Ne kërkuam dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie tranzitore kujdestare me mandat 12-mujor për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike! Ajo po kërkohet nga mbarë populli në shesh sot!

Ne kërkuam të parët nga ai shesh i ftohtë i dhjetorit shfuqizimin e ligjit për Investimet Strategjike dhe ligjit për Paketën e Maleve! Të njëjtën gjë po kërkojnë qytetarët në shesh sot! Ne kërkuam ndryshimin e Kodit Zgjedhor duke e demokratizuar atë përmes listave të hapura! Kjo kërkohet njëzëri nga çdo qytetar i Republikës sot!

Qartësisht ne ishim pararojë e kësaj beteje të madhe! Kësaj beteje që më bëri të njoh secilin nga anëtarët e ekipit! Që më bëri të kuptoj mbështetjen dhe bindjen tuaj për këtë ideal të madh! Që më bëri të njoh vajza heroike që flinin në shesh në mes të dimrit, të tilla si Edona Haklaj, Sajmira Hodaj, Najada Kambo, Romina Karamano... Çfarë luftëtare!

Në këto muaj ne po realizojmë një sfidë tjetër që në 27 vite prej miratimit të Kushtetutës në 1998 nuk është arritur asnjëherë. Po e çojmë vendin në referendum. Kemi mbledhur plot 70 000 firma nga 100 000 që duhen. Me bindje e them se do e realizojmë këtë proces brenda muajit tetor. Edhe me ndihmën tuaj tashmë! Jemi ekipi që po realizon një proces të tillë për herë të parë.

Përpara ka paqartësi! Njerëzit duken të përhumbur! Vendi është në pasiguri totale. Me të drejtë shumë na pyesin çfarë do të bëjmë? Çfarë do të ndodhë? Unë përgjigjen e gjej te i përsëritshmi Winston Churchill, i cili thoshte: “Edhe nëse je duke ecur përmes ferrit, mos ndalo... vazhdo, lëviz përpara”, edhe përgjigjja ime është e thjeshtë... të mos ndalojmë... të ecim përpara!

Të ngremë degët në çdo cep të vendit. Ne vetëm 5 muaj kemi arritur të ngremë 82 degë në diasporë! Është koha që secili nga ju të kthehet në misionar të kauzës! Secili nga ju në lider që e udhëheq kauzën në komunitetin ku jeton! Është koha të shkoni te të afërmit tuaj dhe t’i bindni që kjo është rruga e duhur! Në fakt, vërtet është rruga e duhur!

Të shkoni te shoqëria juaj dhe t’i bindni të na bashkohen! Të shkoni aty ku punoni e të flisni me bashkëpunëtorët tuaj! T’u flisni se sa shumë i rëndësishëm është për vendin angazhimi i çdonjërit prej tyre! T’u tregoni se nëse të gjithë bëjmë pjesën tonë, atëherë bëhemi shumë... e nëse bëhemi shumë, atëherë mund të sjellim ndryshimin!

Jemi 400 anëtarë të Këshillit Kombëtar! Nëse secili flet me 10 persona në ditë që jeta e përball, i bie të kemi folur çdo ditë me 4000 shqiptarë! Çdo muaj me 120 000 njerëz! Në krye të vitit me mbi 1.4 milion qytetarë! Fuqia juaj është e jashtëzakonshme! Nëse të gjithë flasim për kauzën dhe idetë tona do të arrijmë të bindim, ndryshojmë e bashkojmë shumë!

Këtu mes nesh ka dhe fermerë! Këtu ka dhe blegtorë! Të shkoni në fshatin tuaj, e të dëgjoni blegtorët, fermerët, të ngjashmit tuaj! Të flisni me ata të vërtetat e vuajtjeve tuaja! Të bindni secilin prej tyre se sa kohë ata heshtin, lekët e dëmshpërblimeve të tyre i gëzojnë pushtetarët! T’u tregoni duart tuaja me kallo e t’i pyesni a e marrin hakun e djersës së tyre?

Të shkoni në lagjet tuaja, qytetet tuaja e t’i jepni zë ideve tona! T’i jepni zë garës, demokratizimit, dinjitetit! T’i jepni zë vuajtjeve! T’i jepni zë edhe shpresës!

Ju nuk jeni thjesht anëtar partie. Ne në fakt nuk jemi në këtë rrugë për partinë. Për ne Shqipëria Vlen më Shumë se Partia! Ju jeni misionar! Jeni misionarë të ndryshimit! Jeni misionarë të shpresës! Jeni misionarë të Shqipërisë! Jeni misionarë të fëmijëve! Po! Ne duhet dhe do ta fitojmë këtë betejë që fëmijët e këtij vendi të mos trashëgojnë më vuajtje!

Ndaj, të nisim nga sot punën për zgjedhjet lokale. Të zbresim në terren kudo! Të pranojmë e nxjerrim kandidaturat më të mira për zgjedhjet që vijnë! Të nisim bashkëbisedimet në çdo bashki! Të ngremë struktura kudo mundemi! Çdo ditë e më shumë! Çdo ditë e më mirë! Të afrojmë më të mirët që mundemi!

Për të arritur gjërat që vërtet kanë vlerë, duhet të sakrifikosh! Sakrifica dhe e drejta kalojnë zakonisht nga e njëjta rrugë! Asgjë që ka kuptim nuk është e lehtë! Zoti është dëshmitar i sakrificave tona! Zoti është dëshmitar i pastërtisë së kauzës tonë! Zoti do e bekojë rrugën tonë!