Zgjedhjet vendore – Meta: Pjesëmarrja e grave, përgjigja e duhur për dekriminalizimin e politikës

Lideri i LSI-së, Ilir Meta deklaroi sot se zgjedhjet vendore të 21 qershorit do të rikonfirmojnë fitoren e Aleancës për Shqipërinë Evropiane, si një aleancë që ka bërë dhe bën përpjekje të mëdha për të adresuar problemet më të rëndësishme të vendit përmes reformave të guximshme të cilat synojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe afatgjatë.
I pranishëm në mbledhjen e Komitetit Drejtues Kombëtar të Lëvizjes Rinore për Integrim, Kryeparlamentari Meta nënvizoi se kjo mazhorancë ka hedhur themelet e sigurta dhe afatgjata për një perspektivë të re e cila do të jetë miqësore edhe për të rinjtë ndërsa vuri në dukje rëndësinë që kanë këto zgjedhje më 21 qershor.
"Këto zgjedhje janë të rëndësishme pasi për herë të parë do të themelohet një pushtet real vendor anembane vendit në bazë të reformës administrative territoriale, e cila do të jetë një reformë historike pasi ndau vendin njëherë e përgjithmonë nga një fragmentarizim i pushtetit vendor i trashëguar që nga periudha e regjimit të kaluar që e kishte kthyer pushtetin vendor në një pushtet fiktiv, në një pushtet pa mundësi dhe pakapacitete për të ndërtuar politika zhvillimi për komunat apo baskitë", u shpreh Kreu i LSI-së.
Pas 21 qershorit, shtoi më tej Meta, kemi mundësi për një pushtet të ri vendor në kuptimin e vërtetë të kësaj fajle, por kjo kërkon edhe diçka tjetër mjaft të rëndësishme, kërkon njerëz të ndërgjegjshëm, kandidatë dhe kandidate për të ndryshuar qeverisjen e deritanishme dhe të sjellë një qeverisje të re për të ndihmuar komunitetet.
Sipas tij, kjo nuk kërkon vetëm kryetare dhe kryetarë të rinj bashkish, por  edhe këshilla bashkiak të cilat duhet të marrin rolin që u takon, për të kontrolluar kryetaret e bashkive të rinj në emër të qytetarëve.
Zgjedhjet e 21 qershorit, nënvizoi Meta, do jenë historike edhe për një arritje tjetër pasi për herë të parë do të kemi një përfaqësim të barabartë në këshillat bashkiake dhe besoj të jetë edhe një shembull për parlamentin e ardhshëm.
"Kjo është rruga e integrimit, modernizimit, emancipimit, është rruga e zgjimit të shumë energjive të mënjanuar në mënyrë të padrejtë. Është edhe rruga e përgjigjes më të mirë për atë që thuhet dekriminalizimi i politikës, sepse pjesëmarrja e grave sjell një kulturë të re, sjell një standard të rri larg arrogancës së politikanëve primitivë të cilët kërkojnë të imponohen me muskujt e politikës dhe pozitave që kanë dhe jo me forcën e argumentave dhe aq më tepër me lartpamësine e tyre", u shpreh ai.
Lideri i LSI-së shprehu besimin se LRI në këto zgjedhje, do të tregojë të gjithë vitalitetin dhe mënçurinë jo vetëm përmes një fushate ku do spikasin prioritet e të rinjëve dhe të rejave në të gjithë vendin por edhe përmes përfaqësimit tuaj që do jenë si asnjëherë tjetër më parë, të ulur në parlamentet vendore që do të zgjdhen më 21 qershor.
Në përfundim, Ilir Meta vlerësoi edhe arritjet e LRI-së duke u shprehur se "ju keni krijuar tashmë një eksperiencë mjaf të konsoliduar të suksesit. LRI është një shkollë e shkëlqyer e politikanëve të rinj. Ne jemi krenar dhe kemi besim te LRI, tek aftësia juaj për tu orientuar drejt së ardhmes"./atsh/

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Historike në Serie A, ndeshja e Interit do gjykohet nga një ekip arbitresh vajza