ELBASAN- Pavarësisht vendimit të Apelit që riktheu vulën tek grupi i Enkelejd Alibeajt , kreu i degës së PD-së në Elbasan, Eugen Isaj ka konfirmuar se do të dalin me një kandidaturë në Elbasan, atë të Luçiano Boçit.
Në një postim në Facebook, Isaj shkruan se është e domosdoshme që PD të dalë me një kandidat unik në mënyrë që të sjellë ndryshimin. Isaj thotë se PD zyrtare nuk do të nxjerrë një kandidaturë tjetër përballë Luçiano Boçit, i cili ka dalë nga procesi i primareve të Sali Berishës, pasi vetëm kështu mund të konkurrojnë përballë PS për të sjellë ndryshimin në Elbasan.
“65 ditë përpara zgjedhjeve, Elbasani është përpara sfidës së madhe për të sjell ndryshimin, për të bërë të mundur mirëqeverisjen për çdo qytetarë të Elbasanit, për të ofruar më mirë shërbimet për qytetarët. Që ndryshimi të jetë i mundur, opozita, Partia Demokratike, e ka të domosdoshme të prezantohet me një kandidat unik e fitues.
Nga selia e Partisë Demokratike, nga një pjesë e Partisë Demokratike, është propozuar si kandidat kolegu Luçiano Boçi. Në emër të Partisë Demokratike Dega Elbasan, dua të shpreh vullnetin tonë të plotë, që zoti Boci të jetë kandidat unik i të gjithë demokratëve.
Zoti Boci ka dalë kandidat nga selia e PD Elbasan dhe ka përgjegjësinë të jetë kandidat i PD Elbasan. Prandaj thirrja ime sot është të lëmë mënjanë konfliktin e shkaktuar në qendër dhe që është shtrirë deri në bazë, dhe të jemi të gjithë bashkë me një kandidat, kandidat i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Demokratët dhe qytetarët e Elbasanit presin sot që ne të bëjmë betejë për to, por të sjell ndryshimin, për të mundur Edi Ramën. Betejat për të tjerët, për individët, nuk janë beteja të demokratëve, nuk janë beteja të qytetarëve të Elbasanit që presin ndryshimin", shkruan ai.
Ky reagim i Isajt vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit që riktheu vulën e PD-së tek grupi i Enkelejd Alibeajt. Ky i fundit i ka bërë thirrje grupit kandidatëve të dalë nga procesi i primareve që të kandidojnë në zgjedhje nën siglën zyrtare të PD-së.