Zhaku rrëfehet në Esencë-Report Tv: Si hynim ‘fshehurazi’ në Bllok, ushtarët na jepnin…

Ajo rikthehet më shndritshme se kurrë! Inida Gjata, e njohur edhe si Zhaku, vjen në Tiranë për partinë e re që ka krijuar bashkë me Elena Kocaqin, por edhe në Esencë në Report TV, për nostalgjinë e saj njerëzore të Tiranës, që nuk vjen më. 

Rrëfime ekskluzive dhe sekrete mbi jetën e saj. Nga hyrjet fshehurazi dhe jo në Bllok, banesa te Pallatet Agimi dhe muzika e viteve 90! Esencë, çdo të premte dhe të diel, ora 21:00. 

Eljan Tanini: Rikthehet Inida Gjata Zhaku me: A je në metro ti? Si u bë kënga, tani ku jeton? 

Zhaku: -Kënga është bërë me Indrit Mesitin, kamera me Spartak Pecanin, montazhi me Gent Pipën dhe me kontribute modeste personale. Tani jetoj në Gjermani afër Salsburgut, jashtë qytetit, kam 11 vjet atje. Jetojmë në fshat, nuk jam më në metro. Metropolitan Show zgjati 2 sezone me tema dhe risi. Unë, në jetën time programet më të suksesshme që kam bërë  kanë qenë ato në bashkëpunim me Carlo Bollino-n prej të cilit kam mësuar shumë dhe i jam shumë mirënjohëse sepse kemi bërë Kafazin e Artë. Sabina me Robert Budinën bënin regjinë në Kafazin e Artë. Me Carlo-n kemi bërë programe shumë të suksesshme. Ka qenë edhe Olta Gixhari prezantuese. Prej Alba Malltezit mbaj mend një këshillë shumë të mirë sepse me shanin shumë edhe online. Ajo më thoshte: Lëri komentet, mos e personalizo çështjen!

Eljan Tanini: -Përse emri Zhak? Cila ishte Zhaku, një vajzë e vogël buzë Bllokut te Pallatet Agimi? 

Zhaku: -Ne ishim kufiri i Bllokut, ne ishim rrethina. Këtë lagje e kanë ndërtuar vetë banorët me punën e tyre vullnetare. Vetë gjyshërit e mi janë angazhuar atje, ata ishin partizanë. Gjyshja ishte Shefe Kabineti te Kiço Ngjela, gjyshi punonte në Arkivën e Shtetit. Unë flija gjithmonë në dhomën e pritjes, 42 vjet kam fjetur atje. Bëja sikur flija, aty dëgjoja shumë. Familja Bërdëllima ishte atje pranë nesh, Shpresa, Flamuri, Beni, Monda… Ata të gjithë janë kujdesur për mua kur prindërit ishin të zënë me punë. Ben Bërdëllima rrinte më shumë me mua, ishte 20 vjeç. U kujtoja filmin Zhaku i pa mposhtur. Me kanë rritur çunat e lagjes, më mësonin edhe notin nga Liqeni. Mua më ka rritur një kolektiv shumë i madh, prindërit punonin shumë. Babi ishte në RTSH, mami pedagoge në Akademi, xhironte filma, bënte një emision po ashtu në RTSH. 

Eljan Tanini: -Mami e egër në shkollë? Më trego pak më shumë për edukimet e tua? 

Zhaku: -Mami nuk ka qenë e egër në shkollë, ajo kishte raporte të mira me studentët. Ardit Gjebrea, Nertila Koka, Parashqevi Simaku më kanë marrë edhe në kopsht. Për mamin por edhe për mua, Vera Zheji është kujdesur shumë. Ajo më ka mësuar rregullat dhe mirësjelljen, në atë kohë ajo jetonte te Ish Ambasada Jugosllave. Skënder Plasari dhe Sesilia ishin miq të afërt të familjes sonë, gjyshja ime dhe njerëzit në Elbasan me çonin në një botë tjetër me fantazi. Banonin në kala.

Eljan Tanini: -Si ia dilje me babin që herë ishte dhe jo në shtëpi? 

Zhaku: -Ne ishim të tre elektronë të lirë, mami kujdesej për çdo gjë. Babi ishte pak më dytësor, ishte interesant roli që kishte. Ishte koha kur babi mësonte frëngjisht për të njohur Yves Montad, kudo në shtëpi kishim fotot e tij, dëgjohej muzika e tij nga magnetofonët me shirita. Duhan dhe muzikë shtëpia jonë.
Ne kishim akses në Bllok, futeshim atje dhe shikonim te vilat, luanim me fëmijët e tyre sepse i kishim në kopshte dhe çerdhe nipa e mbesa, na ftonim në datëlindje. 
Kam qenë njëherë e vogël te Haki Toska për një datëlindje, atje na dhanë ca qershi shumë të mëdha që më bënë shumë përshtypje, nuk i harroj kurrë! Ata ishin shumë të edukuar. 

Babi donte ti shkruante letër Yves Montand, babi mësonte frëngjisht nga Luftëtari, shoku i ngushtë. Ai kishte një dorë fallco, e kishte plastike. Sa herë që vinte, e hiqte dorën dhe e linte atë mbi tavolinë, ai madje ngjante me Gérard Depardieu.

Në një tavolinë prej druri, babi mësonte frëngjisht me Luftëtarin, mami bënte programin mësimor për studentët, unë bëja detyrat dhe e kisha të gjithë mendjen te frëngjishtja; dhoma ishte gjithë duhan dhe muzikë franceze në fund të viteve 80-të. Luftëtari na mësonte edhe italisht, babi kishte shumë shokë të pa parë, si Sadi Petrela.

Babi i shkruante shumë letra Yves Montand, deri sa mësoi saktë të shkruante frëngjisht, më në fund donte ta niste letrën rekomande, por ajo u kthye pas. Ai mendoi ta çonte vetë atë letër pasi Ambasada Franceze nisi disa artistë në Francë për specializim në TV5MONDE, por Montand kishte ndërruar jetë, tepër i zhgënjyer! Ai jeton ca muaj atje, na sjell disa banane dhe një shishe me Coca Cola. Ato i ndamë me gjithë lagjen, i çuam edhe në Elbasan. Kopshti dhe çerdhja jonë ishin në Bllok, fëmijët e Bllokut, nipat, ishin me të gjithë në shkollë. 

Babin e sollëm ne nga Franca, sepse këtu nisën të rrëmbehen pronat, ata donin ta mbanin në Francë. Kishin nisur të merreshin pronat, ishte një lëmsh shumë i madh! Na vjen një natë një burrë me një grua te dera e shtëpisë, ai kishte sopatë në dorë. Donte të na merrte bodrumin poshtë pallatit sepse kishte gruan shtatzënë, donte të merrte bodrumin me dhunë. Ai e mori bodrumin dhe më pas u bë restorant shumë i famshëm.
Prindërit e mi nuk ishin njerëz që donin të përfitonin, ishin nga Fshati Jap. Gjithmonë kishim për të tjerët, ndërsa unë nga Zoti kam kuptuar se sa më shume jep, aq më shumë merr! 

Eljan Tanini: -Kujtime që duhen shkruar me patjetër. Erdhën ndihmat në lagje? 

Zhaku: -Daja im vajti në Itali emigrant me anijet! Don Giuseppe dhe Signora Lucrezia u kujdesën për të. Ne na merr daja në telefon te komshia, flas unë me ta, me italianët, sepse flisja dhe shkruaja shumë mirë italisht, isha 9 vjeçe. Në atë kohë shkruaja kërkesat e emigrantëve shqiptarë për në Ambasadën Italiane. Xhaxhai im qe ishte kirurg në Spitalin e Fëmijëve, bëri edhe ai kërkesë që këto ndihma të vinin edhe për të, ndërkohë 7 kamionë me ndihma erdhën në apartamentin tonë. Hap thasë e mbyll thasë ne, ndihmat i vodhën pas 6 muajsh. Ndërkohë të gjithë u veshën në Tiranë dhe Elbasan, na doli nami që në apartamentin tonë vetëm të japin. Unë për të falënderuar i shkruaj një letër kishës, ata u mahnitën, ata sollën edhe një kamion tjetër vetëm për mua. Te ndihmat kishte edhe letra higjienike! Më sillnin letra që të shkoja në Itali, këtu isha shumë e lumtur. Nisi shitja e bananeve rrugës, tregti e madhe nëpër rrugë.

Italianet erdhën te ne një ditë, ndërkohë mami u lodh shumë të gjente letra higjienike në atë kohë. Unë çoja tavën në furrë te Kiku, madje merrja edhe rrogën e mamit në punë, në Akademinë e Arteve. Blija edhe bukën, mbaja radhë, një jetë e tërë me çelës në qafë, shtypeshim atje te Kinema Agimi kur merrnim bukën megjithëse isha e vogël. 
Filluan filmat pornografikë në Kinema Agimi. Ushtarët na ndalonin në rrugë dhe na tregonin letra bixhozi pornografike që ndryshonin pamjen 

Kishte nga ata që kryenin akte të turpshme në publik, unë në atë kohë nisa karatenë me Luanin, shokun e babit me të cilin mësova disa lëvizje vdekjeprurëse. Në lagje kishte edhe nga ata banorë me pseudonime si Beni i Myzos, Pampuri, Torja, Baruti, Kajsia, Koburja, Çiksi, Zambaku kishim edhe një qen Çuçuku, ai ishte vdekjeprurës. 
Gatuanim të gjithë me fitila vajguri. Ne bënim edhe punë vullnetare në lagje dhe në shkallë. 

Në pallat na erdhën gratë më të bukura në botë, Liliana Hoxha dhe Valbona Hoxha. Ishin shumë të thjeshta. Valbona për mua ishte vajza më e bukur që kisha parë ndonjëherë. Për to thuhej që laheshin na vaska floriri me qumësht, kot fare! Valbona kujdesej shumë për trupin e saj, bënte vrap, më pas shkoi në palestër. Ata qëndruan te Trimi, te Robert Radoja i madh. Trimi më mësoi death, metal etj… Master Of Puppets është albumi që unë adhuroj që prej fëmijërisë sime. Kasetat i regjistronim vetë. 
Babi kthehet nga Franca dhe ne blejmë televizor me ngjyra Samsung, e blemë nga dietat që ai kish kursyer. 

Ishim të varfër dhe të lumtur. Në lagje erdhi edhe Mimoza Ahmeti, dashuria e jetës sime, ajo më ndryshoi jetën. Moza Ahmeti erdhi me bashkëshortin në lagje, me qen dhe me një ‘Benz 220’. Ishte poete shumë e famshme në atë kohë. Mimoza Ahmeti ishte tjetër stil, ajo botoi librin tim të parë me poezi pa lekë. Ajo ka ndikuar shumë në formimin dhe karakterin tim, kemi ndenjur shumë me njëra-tjetrën. Tirana ka ndryshuar për mirë, ndihem shumë mirë sa herë vij në lagjen time. 

A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Formula 1/ Verstappen nderon titullin kampion, fiton në garën e Katarit! Ferrari lë pas McLaren

Formula 1/ Verstappen nderon titullin kampion, fiton në garën e Katarit! Ferrari lë pas McLaren