Zhani Ciko,e vërteta për Luk Kacajn dhe
drejtorinë 'hije' që më sulmon

Zhani Ciko,e vërteta për Luk Kacajn dhe<br />drejtorinë 'hije' që më sulmon
Drejtori i Teatrit Kombëtar Zhani Ciko, kishte përgatitur dje këtë tekst si përgjigje të akuzave që baritone i TKOB Ylber Gjini solli në shkrimin e tij në Shqiptarja.com. Ky reagim në fakt duket se zë fill pak më herët. Ciko është i bindur se është një sulm i organizuar që nis nga libri i Edi Ramës, ku artikulohet akuza për rolin, që sipas 'libërshkruesit' ka pasur Ciko në dënimin e Lukë Kaçajt. Drejtori i TKOB, thotë se është një shpifje, duhma e të cilës do të largohet shpejt, edhe pse parashikon se të tjerë emra do të shfaqen në këtë sulm. Por pavarësisht këtij reagimi me shkrim, drejtori Ciko është i gatshëm të përgjigjet edhe për të gjithë pyetjet e tjera që lindin pas çdo paragrafi të shkrimit që baritoni Gjini, botoi në gazetën tonë një ditë më parë.
Z.Ciko, baritoni Ylber Gjini thotë në shkrimin e tij se bordi i jashtëm i TKOB është ineficent. Kjo, pasi anëtarët e bordit propozohen nga ju dhe po ju keni kompetencën ligjore ta mblidhni e ta shpërndani bordin… A nuk lë shteg kjo për konflikt interesi?
Ndërtimi i bordit artistik të institucionit bëhet në bazë të kompetencave ligjore që ka ligji për artin skenik ku përcaktohet përbërja e tij në formë numerike edhe nga pikëpamje jo vetëm sasiore por edhe cilësore. Ata për të qenë njerëz të pavarur që s'kanë konflikt interesash me teatrin janë personalitete të jetës artistike, të jetës financiare dhe kulturore të vendit, por jo specialistë të ngushtë. Sigurisht që ka midis tyre dhe njerëz që kanë punuar dhe në fushën e koreografisë, muzikës, por ka dhe të financës dhe të historisë. Pra ata shikojnë politikën artistike të institucionit. Kane të drejtë të mblidhen me ligj disa herë në vit dhe gjithçka e tyre është vendimmarrëse. Ata miratojnë kalendarët vjetorë, ndryshime të mundshme, miratojnë kriteret e sjelljes së përgjithshme të institucione. Veprimtaria e këtij bordi kontrollohet vazhdimisht nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Është pjesë e auditit, pra nuk kanë kompetencat e ngushta të zgjedhin këtë këngëtar apo tjetrin.
Pretendimi është se ka konflikt interesi. Pasi bordin e propozon titullari, pra ju…
Sipas ligjit bordi miratohet nga ministri. Propozohen disa veta nga fusha të ndryshme dhe ministri ka dhe kompetencë të mos e miratojë atë që çon titullari. Nuk është diçka që e ndërton dhe bën ai. Unë përpara anëtarëve të bordit jam një nga pjesëtarët që kryesoj nga ana administrative. Në kuptimin e vendimmarrjes ata janë që të gjithë me kompetenca të plota për ta rrëzuar dhe miratimet bëhen me shumicë votash.
Pra nuk ka konflikt interesi…
S'ka konflikt interesi. Sesi vendosin ata, sesi do të marrin vendim ata, kjo është e drejta e tyre. Ata mund ta miratojnë apo jo. P.Sh. për kalendarit e sivjetshëm ose për vitin që do jetë në kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë, ne propozuam një titull baleti tjetër, por ata argumentuan ndryshe. Edhe në kalendarin e vitit që kaloi ka pasur një titull që bordi ka propozuar diçka tjetër. Këto janë të gjitha me procesverbal.
Ju jeni edhe kryetar i këtij bordi, megjithëse ligji nuk e parashikon këtë, kjo është e përcaktuar vetëm në statutin e TKOB…
Jo kjo është e mbështetur në ligj.
Është e vërtetë që edhe propozimin e statutit të TKOB e keni bërë ju?
Statuti miratohet nga ministria dhe atje ka një zyrë juridike. Statutet pak a shumë janë të ngjashme me institucionet e tjera. Nuk është një statut që lind për herë të parë. Janë bërë ndryshime sipas ligjit që të jetë në përputhshmëri ligjore. Pastaj në asnjë vend nuk ndodh që dikush drejton e të tjerë marrin vendimet. Kjo do të ishte katastrofë.
Ju thoni që ligji për artin skenik e parashikon që titullari të jetë kryetar bordi, por ligji për funksionimin e organeve kolegjiale e rrëzon praninë e titullarit të institucionit në borde, aq më pak të jetë kryetar bordi...
Është tjetër ligj ai. Ata janë zyra juridike. Janë SHPK, ambiente të cilat financojnë paratë e huaja. Nuk i përfshijnë institucionet shtetërore.
Po rasti i KKRT? Edhe ai është një bord i jashtëm, por drejtori i RTSH-së nuk është pjesë e tij...
Ai është indipendent. Varet nga parlamenti. Nuk është shtetëror. Pastaj këto janë borde administrative, janë një strukturë tjetër. Ata marrin mendim për të gjithë veprimet financiare. Ndërsa ky i yni është një bord artistik, që miraton politikat. Gjestionimi bëhet sipas bazës ligjoretë të gjitha ligjeve që ka shteti ynë
Megjithatë ky bord ka shumë në dorë, pasi është ai që miraton shfaqjet që do të vihen në skenë e nëse funksionon në këtë mënyrë favorizohet klientelizmi, apo jo?
Jo bordi miraton vetëm titujt. Pasi miratohen titujt, miratohet edhe kalenari dhe bëhet gjestionimi sipas ligjeve të shtetit. Nuk mund të futet një bord në përcaktimin e rrogave. Ne jemi rrogëtarë kemi rroga fikse.
Ju jeni sot drejtues i Operas, jeni titullar, por jeni edhe artist. A mendoni si artist, se ky është një ligj i mirë për artin skenik?
Kur kam filluar punën, ishte një ligj që nuk funksiononte fare. U bë ligji për artin në kohën e Ramës, i cili nuk funksionoi. U bë një ligj tjetër që ishte vetëm për institucionet e artit skenik, për Teatrin, për Operan etj, i cili funksionoi. Aty u vunë norma për bordet, për ngarkesën, për rregulloren etj. Ky ligj u përmirësua pas tre vitesh me një ligj që përfshin tërë horizontin e dikasterit përkatës, për artin dhe kulturën. Do të shikohet tani për funksionimin e tij. Asnjë pengesë nuk ka. S'mund të themi se Teatri s'po i realizon detyrat e tij për shkak të një ngërçi ligjor. Këtu janë disa ligje, me të cilat ne jemi plotësisht të monitoruar. Ndërsa aspektet subjektive janë gjë tjetër. Unë kam shijen time, strategjinë time, që e miratoj aty ku duhet. Vazhdimisht jam në kontakt me njerëzit që implementojnë një kalendar vjetor. Praktikisht ne kemi 67 premiera që janë bërë gjatë 8 vjetëve, një shifër kjo e barabartë me sa premiera janë vënë gjatë gjithë historisë së Operas. Kjo tregon që ligji funksionon.
"Nuk ka transparencë financiare në TOB", thotë baritoni Gjini në shkrimin e tij. Pse nuk janë të publikuara në website të gjithë zërat e shpenzimeve për një shfaqje ta zëmë?
Resurset e financiare të Teatrit të Operas nuk janë vetëm ato të buxhetit të shtetit, janë edhe sponsorizimet, edhe donacionet e tjera. Këto janë objekt i monitorimit të të gjithë auditeve. Njëherë në vit ne kontrollohemi nga auditi i MTKRS, dy -tri herë jemi kontrolluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Edhe në momente që ka pasur ndonjë vërejtje, apo ndonjë ankesë, janë të gjitha transparente. Mund të shihet edhe në zyrën juridike sa jemi audituar. Në asnjë institucion unë nuk kam parë që të vendosen letra me shifra. Me sindikatën ne raportojmë dy herë në vit. Dhe sindikata është organ kolegjial, I zgjedhur nga opozita jonë, nga artistët. Në asnjë zyrë të shtetit nuk mund të shkojë çdo individ e të kërkojë dokumente. Në bazë të ligjit ne jemi transparentë ndaj shtetit por edhe ndaj artistëve në bazë të normave që është kërkuar.
Si bëhet shpërblimi i artistëve të huaj që vijnë në TOB? Mjaft herë janë shprehur xhelozi në komunitetin e artistëve për këtë çështje…
Zakonisht ka një politikë në bërjen e repertorëve, që është edhe faktori i suksesit të Operas. Ne kemi një trupë të kufizuar këngëtarësh. Në të gjithë botën nuk ka këngëtarë me rrogë. Të gjithë punojnë në bazë të kontratave. Ne shpallim audicionet e hapura për çdo vepër: në këto audicione janë drejtuesit e veprës, njerëz të tjerë të teatrit, dhe absolutisht nuk është e vërtetë që Zhani Ciko merr dhe bën audicionet me të gjithë këngëtarët. Unë patjetër që do të jem present për një titull të rëndësishëm që vihet në TKOB. Edhe vetë këta zotërinj që më akuzojnë mua kanë qenë herë pas herë sipas funksionit të tyre pjesëtarë të audicioneve. Asnjëherë nuk mund të bëhet diçka kundër interesit të veprës. Unë vetë duke mos qenë këngëtar, jam krejt i çliruar në ketë drejtim.
A është e vërtetë që ata nuk i marrin shpërblimet në rrugë bankare, por paguhen me para kesh, në dorë?
Lidhur me shpërblimet e artistëve të huaj për shkak të kalendarëve të ngjeshur të tyre, ndodh shpesh që njëri e mbaron shfaqjen të dielën, pra një moment kur banka nuk është e hapur për këtë rast ne kemi një miratim nga Ministria e Financave të cilët na e kanë lejuar. Është një ndër të paktat arka që ka mundësinë e shpërblimit më para. Nuk vjen artisti po si mori paratë pasi ka kënduar. megjithatë kjo bëhet në bazë të të gjithë dokumenteve të nënshkruar prej tyre, të miratuara. Secili që vjen këndon me kontratë, pra ka fillimisht një kontratë dhe artisti zgjidhet në bazë të audicionit që e dërgon ose në rrugë elektronike ose perms prezencës së tij. Kështu bëhet një përzgjedhje artistike. Më pas nënshkruhet kontrata dhe kjo shlyhet në bazë e gjithë dokumentacionit.
Pse nuk lëshohet një çek dhe pagesa të tërhiqet nga ata vetë?
Sepse këta artistë 10 përqind duhet të paguajë taksën, po ashtu edhe 20 përqind kur ja çon në bankën e tij. Pra nuk i ngelet gjë. Mos harroni shpërblimet tona janë minimale. Ne kemi ndërtuar një politikë afrimi mbi bazën e interesave artistike të tyre, se ne nuk jemi në gjendje që me një buxhet që ka Shqipëria të paguajmë artistët e huaj. Tërë mençuria është që ne të gjejmë artiste që duan të debutojnë një rol, duan të përfitojnë, nuk i kanë mundësitë në vendin e tyre ku konkursi është shumë i madh. Atëherë për ne është i vlefshëm. Ne i paguajmë shumë më pak nga ç'marrin andej, dhe i paguajmë me paratë e shtetit mbi bazën e ligjit dhe
kontratës së shpërblimit. Por kjo nuk është hera e parë që xhelozia vepron në këtë formë. Këta zotërinj janë të lirë të dalin artistë të lirë, të shkojnë të provojnë fatin e tyre, të krijojnë atje ku ata paguhen dhe të vijnë këtu njësoj siç vijnë Inva (Mula), apo Sajmiri (Pirgu) apo të tjerë që vijnë mbi bazë të kontratës. Për mua kjo duhet të jetë e ardhmja e solistëve shqiptar të aftë.
Pra kjo mënyrë pagese bëhet për të lehtësuar artistët e huaj. Por a na siguron kjo, transparencë të plotë?
Shteti ka ligje, po shteti nuk ka mundësi të ketë një transparencë që vepron mbi bazë të dyshimeve të çdo individi që rri në kafe gjithë ditën dhe mendon se ky ka marrë kaq, ky tjetri aq. Po të kenë fakte le ti çojnë atje ku është zyra dhe të bëhet transparenca nëse nuk është bërë. Këto janë një grup njerëzish që kanë 6 muaj që trokasin derë më derë janë bërë më një fjalë drejtoria hije e institucionit.
A është e vërtetë që janë përjashtuar nga projektet gjashtë muaj e këtej? Absolutisht. Ata kanë të gjithë të drejtat e tyre. Kanë kënduar nuk është marrë kurrë një rast që të jetë hequr një rol, përkundrazi janë stimuluar. Dhe për faktin që thonë që nuk janë lançuar unë mund të jap titujt e zotit Gjinit në shtypin shqiptar sa intervista ka pasur ai, ka kënduar 8 herë ka 8 intervista, ai që ka kënduar 16 ka 16 intervista. Por ama këtu është edhe një ndër pikat e tjera të diskutimit, emrin njeriu e krijon me punë. Në rast se del pak herë në punë të njohin vetëm ata pak që të kanë dëgjuar, në rast se del vazhdimisht edhe këndon do kesh më shumë njerëz që të njohin.
Mund të ketë një argument një artist i tillë : S'më kanë dhënë role!...
Nuk është e vërtetë, rolet janë të lira këtu tek ne, janë dhënë të gjitha rolet e mundshme.
Sa baritonë kemi ne në teatër?
Ne kemi dy, kishim vetëm një Ylberin dhe un kam vënë shfaqje enkas për Ylberin, e kam bërë të këndojë Rigoleton disa herë, derisa ka pasur rezultate të duhura, ja kam dhënë rolet një vit përpara. Rolet më të mëdha të baritonëve ja kemi besuar atij dhe kemi luftuar që ai të marrë premierën, kaq herë është përgatitur kaq herë ka dalë në skenë. Në momentin që janë abroguar shpërblimet ekstra dhe pritet të gjendet një mënyrë tjetër këta njerëz nuk kanë pranuar të këndojnë.
Në një nga pikat e shkrimit të Ylber Gjinit përmenden edhe persona që e kanë mbushur moshën e pensionit e që vijojnë të jenë në teatër...
Artistët e teatrit që kanë mbushur moshën e pensionit kanë dalë të gjithë në pension në kohën e duhur, dhe kjo është e kontrolluar nga dikasteri, i cili ka të gjithë strukturën e teatrit, me përjashtimin tim që dhe unë e kam mbushur moshën por për shkak të titujve që kam qeveria ka vendosur siç janë gjithë andej mjeshtrat, profesorët, që nuk del menjëherë në pension. Të gjithë të tjerët kanë dal në pension. Por edhe Agron Aliaj dhe Edit Mihali janë personalitete të teatrit, të cilët vijnë dhe angazhohen në mënyrë vullnetare, nuk marrin shpërblim në teatër. Ata kanë kënaqësinë e tyre kur vijnë këtu. Un jam shumë i ndjeshëm ndaj respektimit të traditës dhe emrave.
Pra ata bëjnë punë vullnetare? Nuk marrin shpërblime nga TKOB?
Po bëjnë punë tërësisht vullnetare. Absolutisht asnjë shpërblim nuk marrin. Janë të kontrolluara këto gjëra nga shteti. Po ashtu kemi dhe një pianiste Donika Çili që vjen me kënaqësi në teatër.
Po pranimet në punë, mbi ç'kritere bëhen?
Në përzgjedhjet e artistëve ka komisione sipas vendit që është vakant. Në rast se do merret një instrumentist ka një komision të përbërë nga instrumentistët e sektorit që do ta pranojnë, dhe titullari miraton mendimin kolegjial të procesverbaleve juridike. Pra asnjë njeri nuk është futur në punë pa u paraqitur dhe miratuar nga sektori përkatës. Nëse merret një oboist i dytë, oboisti i parë i takon të jetë anëtar i komisionit dhe ta zgjedhë shokun e tij, këto janë rregulla ndërkombëtare.
A nuk bëhen pranimet sipas rregullores së brendshme? Po kjo rregullore a nuk parashikohet në ligj që sërish të propozohet dhe miratohet nga ju?
Dëgjo, po kush do ta miratojë? Mos vallë një anëtar i korit, kush i miraton…
Ndoshta nuk duhet të propozohet nga titullari?
Këta artistë që dalin e flasin sot, kanë qenë pjesë e rregullores, rregullorja është mbajtur 6 muaj në dorë të sindikatës, e cila ka bërë të gjitha vërejtjet që kanë dashur ata, nga të cilat drejtoria ka miratuar 90 përqind dhe s'kemi qenë dakord për dy pika, por s'ka të bëjë fare me këtë. Mendoj se kjo është përzgjedhja më demokratike për njerëzit që futen në punë. Çdo plan diskutohet pranë sektorit përkatës dhe pastaj i paraqitet dhe bordit për miratim.
A ndiqet rregulli që vendet vakante të shpallen 6 muaj përpara?
Po, por ndodh që njëri që ikën tani, pse do presim 6 muaj, ne e shpallim publikisht në hyrje të Operas ose në gazetë si datën e konkursit dhe kërkesën. Të gjithë kandidatët i nënshtrohen konkursit. Edhe në rastet e shkurtimeve në organikë kur janë artistike dhe këto i vendosin sërisht sektorët përkatës. Vendimmarrjet janë të gjitha të kontrollueshme.
Ju thatë që mosha juaj e pensionit shtyhet për shkak të titujve që gëzoni. Por ju akuzoheni se i keni përfunduar mandatet tuaja dhe sërish vijoni ta mbani postin e drejtorit...
Ky është një vendim që i takon qeverisë e cila më emëron. Duke qenë se përgjithësisht evenimentet e Teatrit kanë qenë cilësore dhe në opinion asnjeri nuk ka idenë që Zhani Ciko është despoti që po shkatërron operan, pra opinioni është krejtësisht tjetër, qeveria ka vendosur të më mbajë deri në momentin që e sheh të arsyeshëm. Unë s'kam pasur ndonjë arsye që të jap dorëheqjen përkundrazi, kam ambiciet e mia që mos ta le teatrin në disa duar që shihet që tani se ku do ta çojnë. Pse, çfarë parashikoni për teatrin nëse ju heqin?
Heqja ime Zëvendësimi im është fenomen normal...
-Jo, çfarë parashikoni për të ardhmen e teatrit? Un mendoj se ka një mllef dhe një dëshirë të sforcuar nga këta njerëz për të hipur në këto karrige menjëherë. Por unë mendoj që nuk e meritojnë. Formimi kulturor i këtyre njerëzve nuk është në nivelin e duhur. Unë uroj, që asnjëherë teatri, megjithë meritat profesionale që kanë, të mos bjerë kurrë në këto duar se do ishte një ulje e nivelit.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë