Zhapa, nxitësi i lëvrimit të gjuhës 
dhe i hapjes së shkollave shqipe

Zhapa, nxitësi i lëvrimit të gjuhës <br />dhe i hapjes së shkollave shqipe
Vangjel Zhapa (23 gusht 1800 - 19 qershor 1865) ka lindur në fshatin Labovë e Madhe. Pasi mbushi moshën 13 vjeç u largua nga fshati për në Janinë, ku u regjistrua në shkollën ushtarake që kishte hapur Ali pashë Tepelena. Në planet e Ali Pashës qëndronte fort ideja e krijimit të një shteti monarkik konstitucional shqiptar.

Zhapa që kishte shërbyer që shumë i ri tek Ali Pasha  u përfshi plotësisht në këtë projekt.
Më pas V. Zhapa mori pjesë në kryengritjen greke bashkë me mijëra shqiptarë të tjerë, që ishin të bindur se me çlirimin e Greqisë do të shpejtohej edhe çlirimi i Shqipërisë. Pas luftës, edhe pse arriti postin e komandantit të brigadës, i dhanë vetëm medaljen e argjendtë të luftimeve në vijën e parë të frontit. Qeveritarët grekë të kohës duket nuk kishin harruar se V. Zhapa përveçse shqiptar, kishte qenë edhe përkrahës i zjarrtë i ideve të Ali pashë Tepelenës. Në këto kushte ai braktisi Greqinë e ngushtë, tërë male të thata dhe mosmirënjohëse, për fushat pa fund dhe pjellore të Rumanisë, ku e priste edhe një koloni e madhe shqiptarësh.

Nga mesi i viteve '30 kreu studimet agronomike në Paris dhe pasi u kthye në Rumani, zbatoi me sukses metodat e reja të bujqësisë intensive që rritën dukshëm rendimentet bujqësore në pronat e tij. Në mesin e viteve  ’40 ai arriti të bëhesh njëri nga njerëzit më të pasur në Evropën Lindore.

Ndërkohë Naum Veqilharxhi, ai që do të bëhej autori i abetareve të para shqipe, ideologu, politikani dhe filozofi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, jetonte në Rumani që prej 30 vjetësh. Pasi kreu gjimnazin edhe ai mori pjesë aktive në Revolucionin rumun antiosman(1821), duke arritur postin e komandantit politik të reparteve shqiptare me mbi 5000 luftëtarë.

Me thyerjen e kryengritjes, Naumi shkoi në Vjenë ku ndoqi studimet e larta për drejtësi. Aty hyri në kontakt me bashkësinë e shqiptarëve që u bënë për Naumin burim i rëndësishëm informacioni për gjendjen ekonomike, politike, kulturore si edhe për sistemin arsimor në mbarë Shqipërinë. Në vitin 1824 kthehet në Rumani duke shtrënguar fort edhe dorëshkrimet e alfabetit, abetareve dhe gramatikës së gjuhës shqipe që duket i kishte përfunduar gjatë kohës që ishte student në Vjenë.

Pas shkatërrimit të shtetit të pavarur të Ali pashë Tepelenës, si dhe të ëndrrave që u thurën për një monarki shqiptare  kushtetuese, dëshpërimi dhe pesimizmi që pasuan u shoqëruan me frikë dhe pasiguri, veçanërisht kur në vitin 1844 u shpall programi ekspansionist që u quajt Megali Idhea, sipas të cilit Greqia  do të përfshinte edhe Shqipërinë e Jugut.

Protagonistët e Megali Idhea-s në Shqipëri u përpoqën të shfrytëzonin për qëllimet e tyre dasitë fetare, mungesën e gjuhës shqipe të lëvruar dhe e shkollave shqipe, si edhe vonesën e lindjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

 Nga ana e tyre sundimtarët turq prej shekujsh përpiqeshin të fanatizonin dhe turqizonin shqiptarët myslimanë, duke i lënë dorë të lirë kishës për helenizimin e shqiptarëve ortodoksë. Si rezultat i këtyre trysnive të gjithanshme asimiluese, shqiptarët rrezikonin të zhdukeshin si komb.

 Ndër fqinjët e Shqipërisë, feja dhe kombësia përputheshin. Përderisa kjo nuk ndodhte me shqiptarët, Naumi u përpoq të zhvillonte ato aspekte të kulturës kombëtare që ishin të një natyre jofetare. Për rrjedhojë theksin e  vuri te kombi dhe gjuha e përbashkët, që do të shërbenin si hallka ndërlidhëse ndërmjet grupeve të ndryshme krahinore dhe fetare.

Në atë kohë gjuha shqipe nuk shkruhej, as lexohej, as mësohej në shkolla. Shqipja ishte gjuha e zemrës dhe përdorej në jetën e përditshme veçanërisht në shtëpi, turqishtja ishte gjuhë e administratës, ndërsa italishtja dhe greqishtja ishin gjuhë të tregtisë.

            Nga ana tjetër arsimi zyrtar ishte shumë i kufizuar. Ai praktikohej në gjuhë të huaja dhe ishte kryesisht arsim fetar dhe si i tillë antikombëtar.
             Si gjuhë kombëtare, gjuha shqipe duhej të shkruhej me një alfabet të veçantë që nuk do të ishte as arab, as grek, as latin, as edhe cirilik. Alfabeti me shkronja të veçanta që krijoi Naumi, përveçse do t'u mundësonte shqiptarëve që të shkruanin gjuhën amtare me alfabetin e tyre, por do t’i  bashkonte ata  ashtu si rreth flamurit kombëtar.

N. Veqilharxhi, sikurse ka shkruar vetë në parathënien e abetares-1845, për 20 vjet me radhë nuk mundi t’i shtypte ato pasi duhej të kapërcente dy pengesa: burimet financiare dhe  fermanet e Sulltanit që do të mundësonin hyrjen e librave shqip dhe hapjen e shkollave në Shqipëri.

Nuk dihet data e saktë e njohjes së N. Veqilharxhit me V. Zhapën, veçse me siguri ka qenë fillimi i viteve ’40. Takimi me pasanikun shqiptar, ishte  takimi me njeriun e duhur. Krenarë për rrënjët e tyre shqiptare, që të dy pjesëmarrës në kryengritjet antiturke dhe të zhgënjyer nga Filiqi Eteria, nuk u takuan rastësisht. Ata kërkuan dhe gjetën njëri-tjetrin, kurse bashkëpunimi i tyre do të ishte sintezë e qëllimeve dhe e idealeve të njëjta.

Ka mjaft dokumente që dëshmojnë për bashkëpunimin në mes dy shqiptarëve. Vetë Zhapa ka shkruar te gazeta “Pellazgu” se "...diskutuam me javë të tëra me Veqilharxhin në lidhje me çëshjen e alfabetit të shqipes”.

Nikolla Naço, atdhetar dhe veprimtar i dalluar i Rilindjes , ka dëshmuar që në vitin 1888 se: "V. Zhapa me Arsaqin dhuruan respektivisht 25.000 dhe 10.000 florinj për gjuhën shqipe dhe punuan së bashku me N. Veqilharxhin për të shkruar gjuhën shqipe dhe për të shtypur shumë kartëra".      Kurse gazetari rumun Grigore Grandea (1887) jep këtë informacion me rëndësi: “N. Veqilharxhi kishte hartuar abetaren, gramatikën si edhe libra mësimorë në gjuhën shqipe. Zhapa dhe Arsaqi i dërguan në Stamboll për t’i shtypur dhe me projektin e një fermani për hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Me që çështja u mor shpejt në shqyrtim, librat u shtypën dhe fermani doli”.

Librat e N. Veqilharxhit që panë dritë falë dhurimeve të V. Zhapës janë "Ëvetari" (1844) dhe "Fare i ri ëvetar shqip" (1845), dy abetaret e para të gjuhës shqipe që u quajtën “abetaret e abetareve”. Me këta libra dhe me idetë e shprehura në ta, hapet programi kulturor dhe gjuhësor i Rilindjes dhe hidhen hapat e parë të arsimit shqip.

Me anë të tregtarëve korçarë, u dërguan në atdhe abetaret të shoqëruara gjithmonë me fermanët përkatës që i siguronte  Vangjel Zhapa.
 Veqilharxhi dhe Zhapa e kishin të qartë rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe çlirimin kombëtar.
 Për të dy patriotët shqiptar shkollat shqipe do të shërbenin gjithashtu si një mjet i dorës së parë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, për emancipimin e popullit dhe propagandimin e ideve patriotike. Si demokratë që ishin, ata kërkonin një arsimim masiv për gjithë popullin, me shkolla laike, ku vendin kryesor në tërësinë e njohurive do ta zinin lëndët shkencore.

              Rilindësi Spiro Dine na bën të ditur se në shkollën e fshatit Trebickë në vitin 1854, si libër mësimi ende përdorej abetarja e N. Veqilharxhit. Kjo dëshmon se abetarja e Naumit mbeti në përdorim, të paktën për një dhjetëvjeçar në disa nga shkollat e Shqipërisë Jug-lindore, kurse programi madhështor i Naum Veqilharxhit së bashku me bamirësin e madh Vangjel Zhapa për shkolla shqipe në mbarë vendin, u shua bashkë me Naumin.

Pas vrasjes së Naumit (1846), Vangjel Zhapa i vetëm shtoi përpjekjet në drejtim të problemeve të shumta lidhur me Shqipërinë, shqiptarët, gjuhën shqipe dhe futjen e saj në shkolla. Në frymën e porosive të Naumit u shtrua në mënyrë propagandistike se "në qoftë se nuk e mësojmë popullin në gjuhën e tij amtare, nuk është e mundur ta edukojmë atë”.

Në një periudhë shumë të vështirë, kur u  shtuan përpjekjet për të zhdukur identitetin e popullit shqiptar, tashmë ishte laboviti V. Zhapa dhe gazetari i parë shqiptar lekjoti Anastas Byku, që me patriotizmin dhe energjinë  e tyre bënë të mundur që shqiptarët të mësonin dhe të shkruanin gjuhën amtare. Sipas programit të hartuar nga Zhapa dhe Byku, që do të ishte edhe inspektor i shkollave të Zhapës në Shqipëri, parashikohej:

- “ botimi në shkallë të gjerë i teksteve shkollorë në gjuhën shqipe;
- hapja e shkollave shqip, mundësisht në çdo fshat për vajza dhe djem;
- ndërtimi i gjimnazeve në Gjirokastër, Përmet, i një liceu në Berat, si dhe i dy shkollave të mesme për vajza në Rrëzë dhe Labovë”.
Historiani grek Mamopullos (1968) i përmend të gjitha shkollat të ndërtuara nga Zhapa duke filluar me shkollën e Labovës, Karjanit, Nivanit, Leklit, Kakozit, Dhrovjanit, Delvinës, Filatit, Qeparoit dhe më tej shkollat për fëmijët e shqiptarëve që banonin jashtë atdheut.          

 Sipas A. Budës: “Vangjel Zhapa shkruan një artikull në gazetën Pellazgu në të cilin vë në dukje përpjekjet e veta për të futur mësimin e shqipes në shkollat greke në Shqipëri”. Kurse Dh. Shuteriqi shkruan se: "Zhapa ndihmoi vërtet për futjen e shqipes në shkollat greke".

Futja masivisht e gjuhës shqipe në shkollat greke, kinse për të ndihmuar mësimin e greqishtes, si edhe ngritja me donacionet e Vangjel Zhapës të shkollave me dy klasa gjimnaz ku mësohej edhe shqipja, ishte një fitore e jashtëzakonshme e lëvizjes patriotike shqiptare.

Në vitin 1860 Zhapa shprehet hapur në gazetën “Elpis” të Athinës se "shqipja duhet të shkruhet për nevojat e përdorimit familjar dhe për të fituar më shumë dije".
Vangjel Zhapa mbështeti financiarisht Anastas Bykun për botimin e gazetës patriotike “Pellazgu”, gazeta e parë në gjuhën shqipe, si dhe abetaren "Gramë për shqiptarët" që u përdor gjerësisht në shkollat e tij.
Vendimi për të lejuar mësimin e shqipes në shkollën e Labovës u bë i njohur nëpërmjet një letre e shkruar nga vetë Vangjel Zhapa që u botua në numrin e datës  01. 03. 1861 të gazetës “Pellazgu”. V. Zhapa bënte të ditur se “në shkollën e Labovës nuk mësohet vetëm greqisht por edhe shqip”. Shkolla  kishte 4 cikle: foshnjore, fillore, qytetse me tri klasa dhe dy klasa gjimnaz.

 Në vitin 1878  u hap edhe shkolla për vajza me konvikt. Në fillim u regjistruan 80 vajza, por më vonë ato u shtuan. Nxënëset vinin jo vetëm nga fshatrat për rreth, por edhe nga Gjirokastra, Tepelena, Dropulli etj.
Godinat e shkollës ishin nga më të mirat për kohën dhe të paisura me orendi dhe me një bibliotekë, ndoshta më e madhja që ekzistonte në ato anë.  

Kjo shkollë me një rrezatim të gjerë në qarkun e Gjirokastrës, por edhe më tej, rron në kujtesën historike të kombit tonë si përmendore e ndritur e vullnetit të tij të palëkundur për të ruajtur identitetin dhe dinjitetin kombëtar, gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare.

Për këto arsye shkolla e Zhapës me dy klasë gjimnaz ku mësohej shqipja qysh në vitin 1860, u shpall monument kulture (2010), por tashmë pa qenë shkollë. “Mësonjtorja e vjetër në fshatin Labova e Zhapës” është shitur dhe prej 25 vitesh i është vënë dryri edhe pse 30 nxënësit labovitë dhe nga fshatrat për rreth i kryejnë mësimet në lokale të papërshtatshme.
Shkolla e Labovës, në oborrin e së cilës iluministi Vangjel Zhapa nëpërmjet testamentit kërkonte që të kishte varrin e tij,  duhet të qëndrojë në këmbë si një dëshmi historike e gjallë, ku të evokohen përpjekjet e labovitëve që e ngritën dhe e mbrojtën në ato kohë të vështira. Ajo duhet të qëndrojë në këmbë edhe si një mesazh drejtuar brezave që të krenohen dhe të frymëzohen nga përkushtimi i tyre atdhetar.

Labovitët e të gjithë brezave, krenarë për origjinën e tyre të lashtë dhe të lidhur ngushtësisht me atdheun, prej kohësh kanë shprehur trishtimin e tyre për faktin se Vangjel Zhapa ka ndarë dashurinë e tij edhe me dy vende të tjera. Ai ka qenë nënshtetas rumun gjatë pjesës më të madhe të jetës dhe Rumaninë e quante "atdheu i adoptuar", kurse atdhe quante edhe Greqinë duke nënkuptuar Greqinë e artit, kulturës dhe civilizimit helen.  Veçse fjalët më të ëmbla do t’i shprehte për vendlindjen e tij si “atdhe të veçantë  dhe vendi i shenjtë i takimit me Zotin”.

Krahas parave të shumta që dhuronte, me elegancën dhe delikatesën që e karakterizonte, Vangjel Zhapa kishte gjithashtu kapacitetet e duhura të shpërndante paqe, dashuri dhe mirëkuptim midis popujve, duke u integruar plotësisht në historinë e kulturës, të zhvillimit ekonomik dhe të qytetërimit panballkanik të shekullit XIX.

Duket se shqiptarët e sotëm kanë filluar ta kuptojnë bashkëatdhetarin e tyre me eshtra që i prehen në dy varre të ndryshme, ashtu siç ishte ai në të vërtetë, dhe ta konsiderojnë tashmë si prototipin e qytetarit pararendës të Evropës së Bashkuar, të cilën po përgatitemi më në fund ta prekim edhe ne.

Zhapa-Veqilharxhi
Nuk dihet data e saktë e njohjes së N. Veqilharxhit me V. Zhapën, veçse me siguri ka qenë fillimi i viteve ’40. Takimi me pasanikun shqiptar, ishte  takimi me njeriun e duhur.   Zhapa ka shkruar te gazeta “Pellazgu” se "...diskutuam me javë të tëra me Veqilharxhin në lidhje me çëshjen e alfabetit të shqipes”.
 
Shkollat shqipe         
Veqilharxhi dhe Zhapa e kishin të qartë rrezikun e madh që paraqisnin shkollat e huaja për bashkimin e popullit shqiptar dhe çlirimin kombëtar.
 Për të dy patriotët shqiptar shkollat shqipe do të shërbenin gjithashtu si një mjet i dorës së parë për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, për emancipimin e popullit dhe propagandimin e ideve patriotike. Si demokratë që ishin, ata kërkonin një arsimim masiv për gjithë popullin, me shkolla laike, ku vendin kryesor në tërësinë e njohurive do ta zinin lëndët shkencore
 
Amaneti
Shkolla e Labovës, në oborrin e së cilës iluministi Vangjel Zhapa nëpërmjet testamentit kërkonte që të kishte varrin e tij,  duhet të qëndrojë në këmbë si një dëshmi historike e gjallë, ku të evokohen përpjekjet e labovitëve që e ngritën dhe e mbrojtën në ato kohë të vështira. Ajo duhet të qëndrojë në këmbë edhe si një mesazh drejtuar brezave që të krenohen dhe të frymëzohen nga përkushtimi i tyre atdhetar.
vangjel zhapa

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 14 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg