Zhbllokohen aplikimet për fondin e komunitetit në Tiranë, pas riaktivizimit të programit nga Bashkia e Tiranës. Bashkia njofton se kanë marrë dritën jeshile edhe projektet që kishin mbetur pezull muajt e fundit, ndërsa këtë vit programi sjell një risi për banorët e pallateve.
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit, Dritan Dango, gjatë takimeve me administratorë pallatesh bëri të ditur se Bashkia do të rimbursojë edhe zëvendësimin e depozitave individuale të ujit me një depozitë të përbashkët për të gjithë pallatin. Sipas tij, Bashkia do të mbulojë 50% të kostos për banorët, ndërsa 100% për pensionistët dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike.
“Fondi i komunitetit është një ndër programet më të kërkuara në Bashkinë e Tiranës. Ne këto 10 vite, buxheti është shtuar vit për vit. Siç dihet me fondin e komunitetit, ne si Bashki e Tiranës rimbursojmë vendosjen e ashensorit që është një ndër kërkesat më të kërkuara, ku të gjithë banorët e pallateve të cilët nuk kanë një ashensor mund të aplikojnë në Bashkinë Tiranë dhe përfitojnë 50% të rimbursimit nga Bashkia e Tiranës por të mos harrojmë që kemi edhe pensionistët dhe familjet të cilët marrin ndihmë ekonomike, ku Bashkia ua paguan 100% fondin e komunitetit”, nënvizoi Dango.
Programi financon ndërhyrje në hapësirat e përbashkëta të pallateve, si instalimi i ashensorëve, izolimi i tarracave, vendosja e sistemit kapot dhe tashmë edhe krijimi i depozitave të përbashkëta të ujit.
Bashkia e Tiranës u bën thirrje banorëve që kanë nevojë për ndërhyrje të tilla në pallatet e tyre të riaplikojnë për fondin e komunitetit.









Komente
Komento