Një vendim i Gjykatës së Apelit Vlorë i marrë në muajin maj 2013, i cili në 20 shkurt u pasua edhe me rastin e lirimit nga qelia të një biznesmeni nga Fieri, duket se ka shkelmuar marrëveshjen e lidhur mes Shqipërisë dhe Italisë.
Gazeta “Shqiptarja.com” zbulon se në datën 6 maj 2013 Gjykata e Apelit Vlorë, vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë dhe të nxjerrë jashtë qelie biznesmenin në fushën e lojërave të fatit, shtetasin Gramos Murataj.
Ky i fundit rezultonte në kërkim dhe me kartelë të “kuqe”, pasi gjykata e Leçes në Itali e ka dënuar me 20 vite burg për trafikimin e heroinës dhe kokainës. Në datën 17 prill ky biznesmen arrin të lokalizohet dhe arrestohet nga policia e Vlorës, por në 6 Maj 2013, arrin të dalë nga qelia si pasojë e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë. Ky vendim caktonte masën e “arrestit shtëpiak” me argumentin se nuk ka rrezik ikje dhe urdhëronte të arrestuarin të qëndronte në banesën e tij, deri në sqarimin e rrethanave të ekstradimit.
Mirëpo ajo që ndodhi më pas solli dështimin e ekstradimit të tij në Itali, pasi shtetasi Gramos Murataj ishte larguar nga banesa. Momentalisht ndaj Murataj prokuroria e Vlorës ka ngritur akuzën e “Largim të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dosja ndodhet në gjykim.
Arratia nga banesa
Në një kohë kur autoritet italiane sollën me shpejtësi kërkesën për ekstradimin e shumë të kërkuarit për trafik droge dhe pjesëmarje në organizata kriminale, Gjykata e Apelit Vlorë, vendos ta lirojë duke i caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Në datën 6 maj 2013, një Oficer i Policisë Gjyqësore ka shoqëruar Muratajn nga ambientet e burgut deri në banesën e tij në Vlorë,ku dhe është mbajtur procesverbali përkatës. Ndërkohë teksa biznesmeni i një kompanie lloto-sporti qëndronte në banesën e tij, në gjykatën e Vlorës ka filluar pas disa ditësh procesi gjyqësor me objekt shqyrtimin e kërkesës së palës italiane, për ekstradimin në Itali të Gramos Murataj.
Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, ka miratuar kërkesën e prokurorisë, duke i thënë “po” ekstradimit të biznesmenit në Itali. “Ok” ka marrë dhe nga Gjykata e Apelit Vlorë. Për shkak se vendimi kishte marrë formë të prerë, një oficer policie është paraqitur në banesën e Muratajt me qëllim ekzekutimin e këtij vendimi, që lejonte ekstradimin e Gramos Murataj në drejtim të Italisë.
Ajo që është konstatuar ishte se i kërkuari i drejtësisë italiane, i dënuari me 20 vite burg nga gjykata e Leçes ishte arratisur nga banesa e tij. Në këtë moment oficeri i policisë ka njoftuar policinë e Vlorës dhe më pas në vendgjarje ka përpiluar një procesverbal, ku tregon largimin nga banesa të të dënuarit Gramos Murataj. Që prej kësaj dite, policia nuk ka asnjë të dhënë rreth vendndodhjes së këtij personi, ndërkohë që ekstradimi i tij në Itali,ka dështuar.
Proçedimi penal
Në kushtet e konstatimit të largimit nga banesa e Gramos Murataj, menjëherë prokuroria e Vlorës ka urdhëruar rregjistrimin e një procedimi penal për akuzën “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” bazuar në nenin 323 të Kodit Penal. Nga hetimet nuk është arritur të gjendet vendndodhja e Murataj dhe për pasojë në 11 korrik 2013, dosja penale në ngarkim të Murataj është rregjistruar në Gjykatën e Vlorës. Momentalisht në këtë gjykata janë zhvilluar disa seanca gjyqësore, por ende trupi gjykues nuk ka dalë me një vendim konkret.
Shkrimi u publikua sot (07.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)