TIRANË - Gjykata penale e Tiranës ka lënë në burg Enea Zyferin, kamarierin e lokalit në pronësi të Armand Shakaj, i shpallur në kërkim për rrëmbimin e 34 vjeçarit Eglant Koçi, i cili prej një jave rezulton i zhdukur.

25-vjeçari ra në prangat e policisë së kryeqyetit për përkrahje të autorit të krimit. Gjatë seancës gjyqësore ai e ka mohuar se ka lidhje me ngjarjen.

Nga provat e grumbulluara deri më tani nga grupi hetimor, rrethanore dhe shkencore dyshohet se 34-vjeçari mund të jetë vrarë.

Një ditë parë policia njoftoi se ka arritur të gjejë motorin e 34-vjeçarit të zhdukur dhe vendin ku ai është mbajtur. Nga kamerat e sigurisë, është parë që prej aty del me makinë autori i dyshuar Armand Shakaj dhe dyshimet janë se me vete në automjet, të ketë pasur edhe pengun. Ky automjet është gjetur dhe është sekuestruar si provë materiale.

Eglant Koçi është zhdukur më 4 qershor, dhe për herë të fundit është parë në zonën pranë sheshit “Willson” në kryeqytet, teksa po lëvizte me motorin e tij me targa “CT969”. Policia ka arritur të gjejë nga kamerat e sigurisë edhe disa episode të lëvizjes së tij me motor nëpër Tiranë.

Koçi nuk rezulton me precedent penal, dhe mbetet i paqartë konflikti. Ai rezultonte i punësuar në një biznes mobilierie, por dyshohet se mund të jetë përfshirë në tregti të kriptovalutave, një prej pistave ku po hetohet.

Njoftimi i plotë:

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale, mori në shqyrtim kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për Vleftësim i ligjshëm i ndalimit dhe caktimin e masës sẽ sigurimit “Arrest në burg”, ndaj personit nën hetim E.Z.,:

Pasi ka shqyrtuar të gjitha faktet, të dhënat, shpjegimet, qëndrimet, si dhe provat e paraqitura nga palët, Gjykata, në përfundim gjykimit, në bazë dhe në zbatim të neneve 228, 229, 238, 253, 258 të Kodit të Procedurës Penale:

V E N D O S I:

1. Pranimin e kërkesës.

2. Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të personit nën hetim E. Z..

 3. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim E. Z., i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Përkrahje e autorit të krimit" të parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal, duke urdhëruar mbajtjen e tij në një institucion paraburgimi.

 4. Shpenzimet gjyqësore siç janë kryer. 5. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi. U shpall në Tiranë, sot në datë 10.06.2026.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë