Zhurmënajë për hiçgjë

   Kështu, me një shprehje të vetme, mund të përkufizohen së paku deri tani gjithë ato njoftime, diskutime dhe debate të pasqyruara nëpër media gjatë këtyre dy muajve rreth fatit të aktit normativ të Qeverisë për pezullimin 6 mujor të efekteve juridike të ligjit “Për nëpunësin civil”. Një akt ky, që u aprovua në fillim të tetorit të shkuar në Kuvendin e Shqipërisë me tri të pestat e votave të të gjithë deputetëve. Pra, me po atë shumicë të cilësuar votash që ishte miratuar në maj të vitit të kaluar vetë ligji në fjalë, në fund të tekstit të të cilit përcaktohej që ky ligj do të hynte në fuqi më 1 tetor. Por, fakti që gjatë periudhës tranzitore të dorëzimit të pushtetit, nga qeveria e mëparshme nuk u lëviz as gishti për ta bërë të zbatueshëm atë, domethënë për të hartuar e miratuar në Këshillin e Ministrave aktet nënligjore në zbërthim e zbatim të plot 32 neneve të ligjit, Qeverisë së re i lindte detyrimi që pavarësisht formës së zgjedhur prej saj (me akt normativ, apo me dispozita tranzitore që duhej t’i shtoheshin ligjit “Për nëpunësin civil”), të plotësonte vakuumin e trashëguar.

Pasi ky detyrim juridik u legjitimua në Parlament, çka bëri që opozita të paraqiste në Gjykatën Kushtetuese ankimin e saj për shfuqizimin e aktit normativ, atëherë filluan njoftimet dhe hamëndjet e ndryshme rreth këtij shfuqizimi, sidomos pas ushtrimit të votës pezulluese nga ana e Presidentit të Republikës, por që në Kuvend nuk u muar në konsideratë dhe përsëri u votua me shumicë të cilësuar e njëjta nismë e Qeverisë. Prej atëherë, fillimisht u dëgjuan ca zëra dridhës, si ato që në zhargonin e marinarëve quhen ndryshe ‘përpërima’, për t’u shndërruar shumë shpejt në një stuhi, pikërisht ashtu sikurs karakterizohen shpesh herë lundrimet nëpër ujërat e Adriatikut.

     Shkaku i interesimit në rritje prej disa segmenteve të politikës, e një pjese të shoqërisë civile dhe e pothuajse të tëra mediave, për zgjidhjen e këtij problemi, deri – diku është i shpjegueshëm. I shpjegueshëm, sepse ka të bëjë me qëndrimin ose jo në detyrë të ndoshta shumë e shumë nëpunësve të administratës publike, të cilët gjatë qeverisjes së përmbysur me votat e mbi 1 mijonë shqiptarëve më 23 qershor 2013, rëndom kanë qenë emëruar mbi bazë të përkatësisë partiake. Kështu do ta kishin të vështirë të ballafaqoheshin së fundmi me kërkesat e profesionalizmit, meritokracisë dhe konkurueshmërisë, për të mbajtur apo fituar në mënyrë permanente vendet e punës. Pra, organigrama shtetërore nuk do të bëhej vazhdimisht strehë e tyre, madje edhe për ata që e kanë zakon t’i mbushin xhepat me flamurë të ndryshëm, për të nxjerë atë të duhurin në një kohë të caktuar.

Në vështrimin e opozitës aktuale, që ka qenë mësuar t’i blerë votat e ardhjes dhe të qëndrimit në pushtet, edhe nëpërmjet dhurimit të plot vendeve të punës në administratën publike, sanksionimi i kritereve të reja për rekrutimin e nëpunësve civilë të këtij shteti do të përvijonte një tablo të zymtë për përkrahjen e saj në një të ardhme të afërt. Prandaj, ankimi i opozitës në Gjykatën Kushtetuese, përveç kërkesës për shfuqizimin e aktit normativ të Qeverisë së re, të parin objekt kishte pezullimin e këtij akti. Objekt ky, që organi i rishikimit kushtetues vendosi të mos i japë OK, pavarësisht një gafe të bërë në seancë nga një përfaqësuese e subjektit të ankimuar, somethënë e Qeverisë, që përpara gjyqtarëve kushtetuesë kishte fryrë pëndët më shumë se sa flokët e saj.

     Pra, poshtë u hodh vetëm një objekt, por veçanërisht te opozita politike nuk ishin shuar shpresat për realizimin e kërkesës kryesore të saj. Dhe, me kalimin e ditëve, veshët u mprehën më shumë. Megjithatë...vështirë të merrej ndonjë njoftim zyrtar, derisa po humbte durimi dhe filluan të qarkullonin me zë të lartë, madje edhe nëpër media, lajme se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur për shfuqizimin e aktit normativ të Qeverisë. Kurajua për ta përcjellë vetëtishëm këtë lajm arriti deri aty sa të shqiptohej edhe raporti i votave për marrjen e këtij vendimi: 5:4. Ndërkohë që, sipas lajmëtarëve, pritej që së shpejti të formulohej edhe arësyetimi i vendimit.

Të gjendur në një situatë të paqartë, aspak të konfirmuar zyrtarish, nga redaksitë e gazetave vërshuan telefonatat në veshët e disa konstitucionalistëve të njohur, të cilët nuk mund t’u jepnin atyre opinione, përderisa asgjë nuk dinin për dispozitivin e shprehur publikisht nga Gjykata Kushtetuese. Përkundër tyre, disa juristë pro mazhorancës shprehen me gjuhën e militantit politik dhe jo me atë të profesionistit të ligjit, se nuk mund të mbahen në administratë injorantët dhe të paaftët. Të tjerë variojnë në debate të ndryshme, si për shembull, nëse duhet të ketë apo jo efekt prapaveprues vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, nga selia e Partisë Demokratike, një zëdhënëse e saj u shfaq përsëri dje përpara kamerave, duke pretenduar që revanshi i paligjshmërisë nga ana e Qeverisë bëhet akoma më i padurueshëm, kur Gjykata Kushtetuese na paskërka marrë një vendim kundër aktit normativ(?).

Në këto ditë, kur heshtja e Gjykatës Kushtetuese vazhdon, kjo kakofoni e bërë publike është absurde, ajo bëhet për hiçgjë. Sigurisht për hiçgjë, përderisa në fakt ende nuk është marrë një vendim i këtij organi dhe prandaj akti normativ i Qeverisë vazhdon të jetë në fuqi. Mirëpo, a ka trupa e organit të rishikimit kushtetues detyrimin të respektojë afate të caktuara për shpalljen e vendimeve? Përkundër logjikës që mund t’i jepte përgjigje pohuese kësaj pyetje, në të vërtetë as në Kushtetutë dhe as në ligjin organik të këtij Institucioni kushtetues të pavarur nuk parashikohen afate të tilla. Ndërkohë që nuk mund të thuhet, se çështja e zhurmuar kaq shumë nuk ka precedent.

Mjafton të kujtojmë fatin e një vendimi të 20 viteve të kaluara. Partia Socialiste, atëhere në opozitë, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me ankimin që mazhoranca nën drejtimin e Sali Berishës, i cili asokohe ishte i zgjedhur President i Republikës, duke mos zotëruar votat e shumicës së nevojshme të deputetëve, pra atë ekstra cilësore të tyre, po anashkalonte Parlamentin për miratimin e Projektit të Kushtetutës, që të votohej ky dokument bazik i shtetit drejt e në referendum popullor, ndryshe me parashikimin e Ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese. Dhe, ndonëse koha nuk priste, Gjykata Kushtetuese e vonoi shpalljen e vendimit të saj deri rreth 3 muaj pasi referendumi ishte zhvilluar dhe madje e kishte hedhur poshtë variantin e Projektit të paraqitur nga mazhoranca parlamentare/Berisha.

Të kuptohemi, nëse ky rast është përfolur me tone groteske, nuk merret këtu si një shembull për të justifikuar edhe vonesa të tjera të mëvonshme deri më sot të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, nuk mund të pretendohet që për një çështje të tillë, megjithëse shumë të debatuar, një vendim i mundshëm i Gjykatës Kushtetuese kundër aktit normativ të Qeverisë të ketë fuqi prapavepruese. Vetë ligji organik i kësaj Gjykate parashikon vetëm tri rrethana të caktuara, për shembull, që kanë lidhje me raste të diskriminimit pozitiv, veçanërisht për persona të dënuar penalisht.

Por nejse, për t’i dhënë fund vënies së veshit kësaj zhurmënaje, që deri tani bëhet pa u marrë ende një vendim i caktuar, ndoshta është për të kujtuar që edhe atëherë kur ai të shqiptohet në përfundim të gjykimit nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke shpallur shfuqizimin e aktit normativ të Qeverisë, vendimi nuk mund të hyjë në fuqi automatikisht atë ditë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në paragrafin e dytë të nenit 132 shprehet: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese hyjnë në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare”. Dhe, në vijim të kësaj dispozite thuhet, gjithashtu, se: “Gjykata Kushtetuese mund të vendosë që ligji ose akti tjetër normativ të shfuqizohet në një datë tjetër”.       
 

Shkrimi u publikua sot (14.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’/ Bejtja: Sazani jo më ‘pika e zjarrit’, i vetmi ‘agresion’ na vjen nga turizmi! Kushner s’është investitori më i madh! Çoçoli: Investimi 1,4 mld USD, 1 mijë vende pune

‘Studio Live’/ Bejtja: Sazani jo më ‘pika e zjarrit’, i vetmi ‘agresion’ na vjen nga turizmi! Kushner s’është investitori më i madh! Çoçoli: Investimi 1,4 mld USD, 1 mijë vende pune