TIRANË - Tërmeti i 26 nëntorit nuk ishte një lajm i zakonshëm. Askush nga kolegët gazetarë në Tiranë të cilët dolën menjëherë në punë pas lëkundjeve të fuqishme nuk e kishte menduar se shkrimet dhe raportimet e para do të flisnin për jetë të humbura. Lajmi tragjik për një gjyshe të shuar nën rrënoja erdhi nga gazetari i Report Tv nga Fushë-Kruja, Jualian Shota i cili raportoi se në Thumanë ka pallate të rrëzuar. Ndoshta ende të tronditur nga përjetimet e lëkundjeve që ndjemë edhe në Tiranë, nuk e besuam këtë lajm deri kur lajmi i trishtë u faktua me video: Me trupin e saj gjyshja kishte mbuluar nipin e vogël i cili u shpëtua nga forcat shqiptare që dolën menjëherë në terren në operacionin e kërkim-shpëtimit, ndërsa nga rrënojat e pallatit doli e pajetë gjyshja e tij.
KLIKONI KËTU lajmin më të lexuar të vitit që lamë pas
Raportime të njëpasnjëshme do të vijonin nga të gjithë kolegët e Report Tv në terren e shkrime të shumta në Shqiptarja.com, ku pak nga pak, bilanci shkoi fatkeqësisht në 51 jetë të humbura dhe qindra të tjerë të mbetur të plagosur. Histori njerëzore të këputura në mes nga sekondat shkatërruese të tërmetit me magnitudë 6.4 të shkallës Rihtër në 03:54 të 26 nëntorit.
Edhe pse ishte lajmi më tragjik i këtij fundviti, muaji nëntor, tërmeti është lexuar më së shumti nga lexuesit besnikë të Shqiptarja.com. Por jo vetëm. Të çdo shqiptari që gjithçka ndodhte në zonat më të prekura, Durrës e Thumanë, po i përcillte hap pas hapi përmes dritares sonë informative.
Zhvillim pas zhvillimi plotësoi atë që u kthye në lajmin më të lexuar të vitit që lamë pas, 2019-ës, llogaritur nga webmasteri i faqes.
Më poshtë, po veçojmë disa nga zhvillimet që janë klikuar më shumë nga shqiptarët në lajmin kryesor të tërmetit.
Shpresa për të gjetur të gjallë nën rrënoja ishte ajo që shoqëroi jo vetëm ekipet e kërkim-shpëtimit, por edhe të gjithë shqiptarët, deri në momentin final kur flamuri shqiptar u valëvit mbi rrënoja duke simbolizuar mbylljen e operacionit. E lajmet që janë lexuar më së shumti, janë pikërisht videot me lot gëzimi: Duartrokitjet që shoqëronin momentet kur nga rrënojat dilnin persona të gjallë. I tillë është rasti që është lexuar më shumë nga besnikët e Shqiptarja.com është shpëtimi i Klajdi Qatos nga rrënojat e Vila Palma në Durrës. Pas orëve të tëra në ankth e duke mos ditur a do ia dilte të shpëtonte, Qato gjeti forcën të ngrihet vetë në këmbë e të takojë ekipet e shpëtimit të ardhura nga Janina e Greqisë, që e nxorën shëndosh e mirë.
Zhvillimet për vëllezërit kosovarë, Shemsedin dhe isa Abazi që lanë pas 6 jetim janë ndjekur masivisht nga shqiptarët, derisa fatkeqësisht mes orëve të tëra pritjeje për një lajm të mirë, nga terreni u raportua se pas më shumë se 15 orësh, të dy vëllezërit dolën të pajetë nga rrënojat e hotel "Tropikal".
Historia e Diana Meçes dhe vajzës së saj të vogël të cilën e kishte mbuluar me trup për ta shpëtuar, fatkeqësisht pa ia dalë, përloti këdo që lexoi dhe pa me zë e figurë momentet therëse të gjyshit teksa kërkonte kukullat e mbesës nën rrënoja: "Vetëm mbesa të më shpëtonte, se e kisha rritur vetë". Lotët e tij shteruan nga dhimbja kur mësoi se edhe bashkëshortja e tij nuk doli gjallë nge rrënojat e pallatit 6 katësh në Durrës.
Edhe lotët e dajës që kërkonte mbesën e tij Drita Cakoni në Spitalin e Traumës në Tiranë me një pasaportë në dorë kanë prekur zemrat e shqiptarëve, duke e kthyer në një zhvillim të cilin ata e kanë përcjellë duke e lexuar dhe shpërndarë masivisht. Por tragjik ishte edhe dhënia e lajmit, se mbesa e tij, kishte humbur jetën në Thumanë.
Nga Thumana, ku ishin kthyer sytë e gjithë Shqipërisë, një grua e përlotur në krahët e kryeministrit Edi Rama teksa i kërkonte t'i nxirrnin vëllain e saj Pëllumb Grekun, ka rrëmbyer ndjeshmërinë e lexuesve. Një video e sjellë në Shqiptarja.com nga gazetarët në terren të Report Tv, që përcolli dramën e kësaj tragjedie, lotët, shpresën dhe dhimbjen e familjarëve teksa humbnin nën rrënoja njerëzit e zemrës.
Shqiptarja.com përcolli edhe zërin e atyre që jo shumë kush i pati në vëmendje. Frikën për jetën e ndjenë edhe të burgosurit tek 313-a në Tiranë, të cilët në momentin e lëkundjes së fuqishme kanë goditur dyert e kanë thirrur t'i nxjerrin jashtë: "hapini dyert se do të vdesim këtu", ishin thirrjet e tyre që u kthyen në zhvillimin më të lexuar të tërmetit.
Edhe jehona që i dhanë mediat botërore kësaj tragjedie të rëndë për Shqipërinë me të cilën u solidarizuan jo vetëm fqinjët me mjete dhe ekipe kërkim shpëtimi por mbarë bota, ka shfaqur interes për lexuesin e Shqiptarja.com.
Nuk mund të mbeste jashtë zhvillimeve më të lexuara rreth tërmetit, edhe fotoja e veçantë e qenit hero të forcave të sigurisë së Kosovës, të parat që u solidarizuan ndaj popullit shqiptar, teksa kërkon nën rrënoja për jetë të gjalla. Të tillë ishin heronjtë e heshtur të kësaj tragjedie, efektivët e policisë, zjarrfikësit, ushtria, emergjencat civile, e kushdo që u përfshi edhe vullnetarisht në misionin më të vështirë që u përball vendi: Duke rrezikuar jetën e tyre në përmbushje të misionit mjaft fisnik: Shpëtimin e jetëve dhe nxjerrjen e trupave nga rrënojat.
Mjaft i lexuar ishte edhe vetë reagimi i parë i kryeministrit Edi Rama ku konfirmoi se tërmeti la pas viktima ndërsa iu drejtua shqiptarëve me fjalët: Guxim, kurajë, solidaritet. Djali i tij Greg Rama humbi në këtë tragjedi të fejuarën, Kristi Reçi e cila u shua nën rrënoja me familjen e saj, prindërit dhe vëllain më të vogël.