Një banesë në afersi të pastiçeri "Tasho" në lagjen nr.13 në Korçë është përfshirë nga flakët gjatë ditës së sotme.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka rënë në një kat të pallatit, ndërsa tymi është përhapur me shpejtësi në të gjithë pallatin.
Si pasojë e flakëve, për shkak të asfiksisë, ka ndërruar jetë në banesë një i moshuar, 72-vjeçari Urim Hysolli.
I moshuari jetonte vetëm në banesë dhe persona të tjerë kujdeseshin për të. Mësohet se viktima konsumonte alkool dhe dyshohet se aksidentalisht të ketë ndezur zjarrin, i cili ka marrë përmasa të mëdha.
Në banesë në momentin e rënies së zjarrit ka qenë edhe një person tjetër që kujdesej për të moshuarin, i cili ka arritur të dalë jashtë objektit, ndërsa 72-vjeçari s’ka mundur dot të dalë dhe ka ndërruar jetë nga asfiksia.
Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse dhe forcat e Policisë, të cilët bënë të mundur evakuimin e banorëve. Pas shuarjes së flakëve, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Korçë/Informacion paraprak
Rreth orës 15:45, në lagjen nr. 15, Korçë, në katin e parë të një pallati, dyshohet se ka rënë zjarr në banesën e shtetasit U. H., rreth 72 vjeç.
Si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë shtetasi U. H., i cili ndodhej në banesë.
Shërbimet e Policisë dhe ato të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje dhe po bëjnë evakuimin e banorëve të pallatit, si dhe shuarjen e zjarrit.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të rënies së zjarrit.
Komente









