Një zjarr ka përfshirë këtë të premte masivin me pisha në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, duke arritur edhe disa biznese që operojnë në këtë zonë turistike. Në pamjet nga vendngjarja, duket se si flakët kanë arritur dhe disa tenda kashte në majën e një pallati shumë-katësh.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e tjera emergjente, të cilat po punojnë për të izoluar flakët dhe për të shmangur përhapjen e tyre në sipërfaqe të tjera.
Sipas informacioneve paraprake, fokusi kryesor i ndërhyrjes është mbrojtja e pyllit me pisha, por edhe e bizneseve dhe objekteve që ndodhen pranë vatrës së zjarrit.
Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende, ndërsa operacioni për shuarjen e plotë të flakëve vijon. Autoritetet po monitorojnë situatën për të shmangur çdo rrezik të mëtejshëm.
Ndërkohë nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, është shprehur se zjarri thuajse është shuar, ndërkohë që po bëhet vrojtimi i zonës, në mënyrë që të mos ketë përhapje të mëtejshme të flakëve.
“Rreth orës 13:00 strukturat e Bashkisë Lezhë janë vënë në dijeni të një rënie zjarri në rrugën Riviera në Malin e Rrensit dhe menjëherë janë bërë të gjitha njoftimet e duhura, është vënë në dijeni edhe prefektura, ku nën koordinimin e saj janë njoftuar edhe bashki të tjera për përforcime me mjete zjarrfikëse. Përkatësisht na ka ardhur në ndihmë mjet nga Bashkia e Tiranës, e Kamzës, e Vaut të Dejës dhe e Mirditës. Gjithashtu kanë qenë edhe 4 mjete zjarrfikëse të Bashkisë së Lezhës, bashkë me të portit, 3 autobote të subjekteve private që na kanë furnizuar me ujë dhe gjithë strukturën tjetër mbështetëse të Bashkisë. Në këto momente jemi në situatën kur zjarri thuajse është shuar. Po bëhet vrojtimi i zonës, në mënyrë që të mos kemi përhapje të flakëve. Shkaqet ende nuk dihen. Po bëhen verifikimet e duhura lidhur me ngjarjen. Nuk ka asnjë prekje të pronave apo strukturave komanduese. Koha ka qenë shumë e shkurtër që është vënë nën kontroll. Trupat zjarrfikëse po vazhdojnë fikjen e vatrave të vogla me çanta shpine dhe do të monitorojnë deri në orët e vona të natës, që të mos përballemi me situata të rrezikshme”, tha mes të tjerash Zefi.
Komente










Dora e njeriut per me hap troje
PërgjigjuDuhet te rimbillet ajo zone me pisha te Buta mesdhetare ngjan me bukur !
Përgjigju