Mbrëmja e 13 marsit në qytetin e Korçës është shoqëruar me ndezjen e zjarreve tradicionale, për festën e verës, një traditë që simbolizon largimin e dimrit dhe mirëpritjen e stinës së ngrohtë.

Në lagje dhe sheshe të ndryshme të qytetit, qytetarë të të gjitha moshave janë mbledhur rreth zjarreve duke e kapërcyer atë sipas traditës, me besimin se ky ritual sjell mbarësi, shëndet dhe fat për muajt që vijnë.

Ndërkohë, në shumë familje korçare, amvisat janë angazhuar në përgatitjen e gatimeve tradicionale që shoqërojnë këtë festë. Në tryezat e tyre nuk mungojnë vezët e ziera dhe të ngjyrosura, misrat e zjerë, kulaçët dhe ëmbëlsira të ndryshme, të cilat më pas shpërndahen mes të afërmve dhe fqinjëve si shenjë bujarie dhe urimi për një stinë të mbarë.

Një tjetër simbol i rëndësishëm i kësaj feste është edhe “verorja”, byzylyku i punuar me fije të kuqe dhe të bardha që vendoset në dorë nga fëmijët dhe të rriturit, si shenjë mbrojtjeje dhe për të sjellë fat gjatë pranverës.

Në juglindje të vendit kjo traditë festohet në dy data. Dita e Verës kremtohet më 1 mars nga besimtarët ortodoksë, ndërsa më 14 mars nga besimtarët myslimanë, duke ruajtur kështu një traditë të përbashkët që përcillet brez pas brezi dhe që vazhdon të mbajë gjallë frymën e festës në qytetin e Korçës.


Lajmi kryesor:

Sot Dita e Verës/ Ballokume, verore dhe festime në çdo qytet të Shqipërisë, Elbasani mbetet ‘shpirti’ i festës