Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar në total 43 vatra zjarri, prej të cilave 13 mbeten aktive, 8 janë nën mbikëqyrje dhe 22 janë shuar, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Në operacione janë angazhuar 697 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 68 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 314 efektivë, 8 automjete zjarrfikëse, 1 autobot, 29 mjete, 5 autoambulanca dhe 1 dron. Janë realizuar gjithashtu 4 operacione me helikopterë.
Për ditën e sotme parashikohet vijimi i angazhimit të rreth 252 forcave ushtarake, 28 automjeteve, 2 autoambulancave dhe 1 droni.
Qarku Tiranë: Në Malin e Dajtit zjarri vijon aktiv në pyll ahu dhe shkurre, por pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës së djeshme u angazhuan 25 zjarrfikës, 7 forca të ADZM-së, 55 efektivë të FA-së dhe 1 helikopter; sot operacionit i shtohen rreth 50 forca ushtarake. Vatrat në Kryezi, Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë nën mbikëqyrje.
Qarku Dibër: Mbeten aktive vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Në Lundre–Madhesh operacioni është mbështetur edhe nga FA dhe sot do të angazhohen rreth 30 forca ushtarake. Për vatrat aktive të raportuara nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Qarku Lezhë: Vatra në Gallatë të Kurbinit vijon aktive në një terren të vështirë, por pa rrezik për banesat. Më i konsiderueshëm është angazhimi në Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku dje operuan rreth 100 forca vendore e vullnetare, 124 efektivë të FA-së, 16 mjete, 2 ambulanca dhe 1 helikopter. Sot do të vijojnë operacionet edhe me rreth 50 forca ushtarake. Aktualisht nuk raportohen zona të banuara në rrezik.
Qarku Shkodër: Vatra mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz mbahet nën mbikëqyrje. Aktive mbeten Mnelë e Vogël, Bardhaj–Myselim dhe Mali i Tërbunit. Në Mnelë e Vogël janë raportuar 2 banesa në rrezik, të cilat po mbrohen nga forcat zjarrfikëse; dje operacioni u mbështet edhe nga 27 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse, 1 autobot dhe 1 helikopter. Në Bardhaj–Myselim dhe Tërbun nuk ka rrezik për zonat e banuara. Sot FA do të vijojë mbështetjen me rreth 80 efektivë gjithsej në këto tri vatra.
Qarqet Elbasan, Vlorë dhe Fier: Në Elbasan vijon aktive vatra në Gurëshpatë të Librazhdit, pa rrezik për banesat, ndërsa Mali i Qukësit është nën mbikëqyrje. Në Vlorë, zjarri në Qesarat–Mali i Malinës, Finiq, mbetet aktiv dhe është ndërhyrë edhe me 1 helikopter, pa rrezik për zonat e banuara. Në Fier, Peshtani mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa vatra në Çërrilë të Mallakastrës është aktive dhe sot do të mbështetet me rreth 30 forca ushtarake.
Lajm në përditësim…

Zona e Kashnjetit, në Njësinë Administrative Ungrej të Lezhës, vijon të përballet me zjarret prej gati një jave. Edhe pse vatrat më të mëdha të flakëve janë vënë nën kontroll, në terren ende raportohen vatra të vogla aktive, kryesisht në zonat malore dhe në terrene të vështira për t’u aksesuar.
Rreth 150 forca janë angazhuar në operacion, mes tyre efektivë të Forcave të Armatosura dhe shërbimeve zjarrfikëse. Ndërhyrja po vijon me mjete zjarrfikëse dhe pompa dore, ndërsa fokusi kryesor është mbajtja nën kontroll e vatrave dhe parandalimi i përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.
Terreni i thyer dhe lartësia e madhe ku ndodhen disa prej vatrave e kanë vështirësuar ndërhyrjen nga toka. Për këtë arsye, operacioni po mbështetet edhe nga ajri, me një helikopter që po ndërhyn në zonat ku flakët janë të paarritshme nga ekipet tokësore.
Kryetari i Njësisë Administrative Ungrej Agustin Zefi bën me dije se situata është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me një ditë më parë, por rreziku nuk është eliminuar plotësisht.
Forcat në terren do të vijojnë punën deri në shuarjen e plotë të vatrave, ndërsa pas ndërhyrjes do të monitorohet zona për të shmangur riaktivizimin e zjarrit.










Komente
Komento