Tetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa tre të tjera mbeten nën monitorim. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në orën 20:00 janë regjistruar gjithsej 27 vatra zjarri, ndërsa në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar qindra forca dhe mjete nga strukturat e emergjencave civile.

Në operacionet për shuarjen e fjalëve janë angazhuar 487 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Po ashtu, në mbështetje të tyre janë angazhuar edhe 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.

Ministria e Mbrojtjes njofton se vatrat kryesore aktive të zjarreve mbeten në Dajt, Gurë-Lurë, Qafë Helmes, Bruç, Lufaj, Fushë-Lajë dhe Rrjoll. Në Dajt ndërhyrja ka vijuar me 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në njoftim, Ministria e Mbrojtjes thekson se në Gurë-Lurë të Dibrës është operuar nga toka me forca të shumta dhe nga ajri me 2 avionë Air Tractor. Sipas ministrisë, korridoret e hapura në terren kanë penguar afrimin e flakëve drejt banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Ndërsa në Lufaj të Mirditës, ka vijuar puna me forcat në terren dhe 1 helikopter të Forcave të Armatosura.

Po ashtu Ministria sqaron se në shumicën e vatrave nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara, ndërsa në disa raste zjarret janë vënë nën kontroll dhe vijon puna për shuarjen e plotë.

Reagimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes - përditësim për situatën e zjarreve

(16 Gusht 2026 - ora 20:00)

Deri në orën 20:00, datë 16 gusht 2026, në territorin e vendit janë regjistruar 27 vatra zjarri, nga të cilat 8 mbeten aktive dhe 4 janë në monitorim. 

Në operacionet e shuarjes janë angazhuar 487 forca operacionale dhe 30 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje janë angazhuar edhe 100 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor. 

Vatrat kryesore aktive mbeten në Dajt, Gurë-Lurë, Qafë Helmes, Bruç, Lufaj, Fushë-Lajë dhe Rrjoll. 

Në Dajt vijon ndërhyrja me 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Gurë-Lurë ka vijuar një angazhim i gjerë me forca bashkiake, MZSH, polici, ADZM, vullnetarë dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar afrimin e flakëve drejt banesave dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Lufaj, Mirditë, ka vijuar puna me forcat në terren dhe 1 helikopter të FA, ndërsa zjarri në Tharri është vënë nën kontroll. Në Zhejë, Kurbin, zjarri është fikur plotësisht pas ndërhyrjes së MZSH, forcave bashkiake, policisë dhe një helikopteri të FA.

Në Fushë-Lajë, Pukë, zjarri mbetet aktiv, por me intensitet jo të lartë dhe pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Rrjoll situata po monitorohet nga afër, përfshirë edhe me dron.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:35
Zjarret në Lurë e Dajt, 100 efektivë të Forcave të Armatosura të angazhuar në terren, Nufi: Mirënjohje për guximin dhe përkushtimin! (VIDEO)

Situata nga zjarret në Lurë të Dibrës dhe në Malin e Dajtit paraqitet nën kontroll dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Kështu bën të ditur ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas tij, në Lurë operojnë 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës, ndërsa në Malin e Dajtit janë angazhuar 50 efektivë të tjerë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.

Nufi shton se vatra në aksin Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe po monitorohet, ndërsa në fund shpreh mirënjohje për efektivët e Forcave të Armatosura për angazhimin e tyre në terren.

"Forcat e Armatosura në vijën e parë të përballimit të zjarreve! Në Lurë të Dibrës dhe në Malin e Dajtit, Forcat e Armatosura vijojnë të jenë të angazhuara në terren për përballimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e komuniteteve.Lurë, Dibër: 50 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor dhe një automjet zjarrfikës i FA, vijojnë operacionin. Aktualisht, banesat nuk rrezikohen. Mali i Dajtit, Tiranë: 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore po punojnë për shuarjen e zjarrit. Zonat e banuara nuk rrezikohen, ndërsa vatra Priskë–Gurrë e Madhe–Farkë–Lundër është nën kontroll dhe monitorim. Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv të Forcave të Armatosura që ndodhet në terren, për profesionalizmin, guximin dhe përkushtimin e treguar në këto ditë të vështira" shkruan Nufi në rrjete sociale

 

Ora 16:17
Dy vatra zjarri mbeten aktive në Mirditë, zjarrfikësit vijojnë betejën me flakët (VIDEO)

Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike në disa zona të Mirditës. Në fshatin Tharrë, ndërhyrja e një helikopteri bëri të mundur frenimin përkohësisht të flakëve, por era e fortë ka favorizuar riaktivizimin e vatrës.

Aktualisht, zjarri po monitorohet nga forcat zjarrfikëse, të cilat vijojnë të jenë në terren për të parandaluar përhapjen e flakëve.

Ndërkohë, një tjetër vatër zjarri në Lufaj ndodhet pranë banesave. Forcat zjarrfikëse po monitorojnë situatën dhe po punojnë për mbajtjen nën kontroll të flakëve. Në ndihmë të operacionit ka mbërritur edhe një automjet zjarrfikës nga Mati.

Ora 14:52
Zjarr i qëllimshëm në Vukatanë të Shkodrës, ndërhyrja në kohë shmangu përhapjen e flakëve, shoqërohet në polici zjarrvënësi i dyshuar (VIDEO)

Një vatër zjarri e dyshuar si e vendosur qëllimisht në Vukatanë të Shkodrës u vu nën kontroll në kohë sot, duke shmangur përhapjen e flakëve drejt banesave.

Sipas kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, zjarri u izolua dhe u shua falë ndërhyrjes së shpejtë të efektivëve zjarrfikës, ndërsa personi i dyshuar për ndezjen e tij është shoqëruar në Policinë e Shkodrës.

Beci bëri të ditur gjithashtu se vetëm në 24 orët e fundit zjarrfikësit kanë ndërhyrë në pesë vatra zjarri dhe u bëri apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për shkak të temperaturave të larta.

Ora 14:16
Flakët përfshijnë ullishten në Cërrik, zjarrfikësit neutralizojnë rrezikun pranë banesave (VIDEO)

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një parcelë me ullinj në Lagjen Nr. 1, në periferi të Cërrikut.  Per shkak të përmasave dhe afërsisë me banesat, në terren u angazhuan forca dhe mjete të shumta zjarrfikëse.

Situata aktualisht është nën kontroll dhe po punohet për shuarjen e plotë të zjarrit dhe parandalimin e riaktivizimit. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa vijon monitorimi i zonës për të shmangur përhapjen e flakëve.

Ora 13:36
Masivi pyjor i Tërbunit në Pukë vijon të digjet, zjarrfikësit përballen të vetëm me flakët, era vështirëson situatën (VIDEO)

Masivi pyjor i Tërbunit në Pukë prej tri ditësh digjet. Flakët të ndihmuara nga era po zgjerojnë perimetrin e sigurisë, ndërsa të vetmit që përballen me situaten në malin e lartë janë zjarrfikësit e Pukës dhe pak punonjës të shërbimit pyjor.

Në shumë kënde të zjarrit është ë pamundur ndërhyrja e mjeteve zjarrfikës ccfarë detyron ndërhyrjen me mjete rrethanore, ndërsa aty ku autozjarrfikëset arrijnë të afrohen, perimetri nuk po lejohet të zgjerohet.

Deri tani janë dhjetëra hektarë shkurre të shkrumbuara, ndërsa sot flakët siç shikohet dhe nga pamjet kanë arritur në pyjet e lartë të pishës, që të ndihmuara nga era  po përhapen shpejt duke shkaktuar dëme kolosale për ekonominë pyjore të masivit.

Sipas autoriteteve në zonë fatmirsisht nuk ka banesa apo element të tjerë të infrastrukturës, çfarë ka bërë siç duket që të mos ketë as masa të shtuara në ndihmë të zjarrfikësve lokalë, që po luftojnë të vetëm me flakët që kanë përpirë Tërbunin në Pukë.

Ora 13:22
Zjarr në Novoselë, era e fortë vështirëson betejën me flakët! Digjet ullishtja (VIDEO)

 

Një sipërfaqe me ullinj po shkrumbohet nga flakët në fshatin Trevllazër, në Novoselë.

Zjarri vijon të jetë aktiv, ndërsa forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë fillimisht për izolimin e flakëve dhe më pas për shuarjen e plotë të vatrave. Situata vështirësohet nga era e fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit në pemëtari dhe veçanërisht në ullishte.

Bëhet fjalë për një zonë të njohur për ullinjtë shekullorë, ndërsa zjarret në këtë fshat nuk janë një fenomen i ri. Trevllazëri është përfshirë edhe më herët nga flakët, kryesisht në sipërfaqet me ullishte.