Gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë raportuar gjithsej 40 vatra zjarri, prej të cilave 6 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 25 janë shuar plotësisht, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Në Qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit vijon aktiv, pa rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës së sotme, 30 efektivë të Forcave të Armatosura priten të ndërhyjnë në Dajt, në mbështetje të operacioneve në terren. Vatra në Malin me Gropa është izoluar dhe mbahet nën monitorim.
Në Qarkun Dibër, aktive vijojnë vatrat në Lundre–Madhesh, Cerrujë/Mali i Allushit dhe Selishtë, ku po punojnë strukturat zjarrfikëse, pyjore, bashkiake dhe të emergjencave civile. Vatra në Qafën e Helmes mbahet nën mbikëqyrje.
Në Qarkun Shkodër, aktive mbetet vatra në Porav, Fushë-Arrëz, ndërsa vatrat në Rragam–Bardhaj–Myselim dhe Malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje dhe nuk raportohen banesa në rrezik. Sot, 20 efektivë të Forcave të Armatosura do të angazhohen në Rragam, Shkodër, për të mbështetur operacionet në terren.
Në Qarkun Fier, aktive vijon vatra në Çërrilë, Mallakastër, në një sipërfaqe me pyll pishe, lis dhe shkurre. Gjatë ditës së djeshme FA mbështeti operacionin me 1 helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete. Gjatë ditës së sotme do të angazhohen 30 efektivë të FA në Çërrilë, Mallakastër, në mbështetje të strukturave që vijojnë punën për shuarjen e zjarrit.
Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, vatrat e raportuara janë kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 492 forca operacionale vendore dhe lokale dhe 36 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 133 efektivë, 1 helikopter, 2 automjete zjarrfikëse, 13 mjete, 1 dron dhe 1 autoambulancë.
Lajm në përditësim...











Komente
Komento