Zjarret apokaliptike vazhdojnë të shkrumbojnë gjithçka u del përpara në Greqi, duke sjellë për pasojë evakuimin e mijëra banorëve dhe humbje jetësh në radhët e forcave zjarrfikëse. Tre zjarre të mëdhenj kanë përfshirë që prej të shtunës shtetin grek, ndërsa më i rrezikshmi ishte ai në ishullin Evia, i dyti më i madh në vend.
Të tjerët përfshinë malet e pyllëzuara dhe rrethuan vendet e lashta, duke lënë pas një gjurmë shkatërrimi që një zyrtar e përshkroi si "një katastrofë biblike". Zjarrfikësit kanë luftuar gjatë gjithë natës me flakët, për të shpëtuar Istiajan, një qytet me 7,000 banorë pjesën veritore të ishullit Evia. Të paktën dy persona, përfshirë një zjarrfikës vullnetar, kanë vdekur për shkak të zjarreve.
Në ditën e 11 të zjarreve në vend, deri më tani janë regjistruar dy viktima, si dhe mijëra të evakuuar e të pastrehë. Në ndihmë të autoriteteve vendase mbërritën trupa dhe mjete nga Franca, Spanja, Ukraina, Qiproja, Kroacia, Suedia, Izraeli, Polonia, Rumania, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar se sigurimi i ndihmës për të gjithë të prekurit nga zjarret do të jetë "prioriteti i qeverisë së tij.
"Kur të kalojë kjo verë e keqe, ne do ta kthejmë gjithë vëmendjen në riparimin e dëmit sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe në rikuperimin e mjedisit”
Në Turqi, zjarret e përshkruar si më të këqijtë në dekada kanë përfshirë rajonet jugore, duke vrarë 8 persona. Një zyrtar i lartë i forcave zjarrfikëse tha se 217 zjarre ishin vënë nën kontroll që nga 28 korriku në mbi gjysmën e provincave të vendit.
Zjarret kanë shkaktuar një stuhi politike me qeverinë e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan të kritikuar ashpër për trajtimin e krizës dhe për refuzimin e disa ofertave të ndihmës nga jashtë. Erdogan ka hedhur poshtë kritikat dhe ka akuzuar kundërshtarët për politizimin e krizës. Ai gjithashtu ka dënuar përdorimin e hashtagut #HelpTurkey, i zemëruar që vendi i tij mund të përdorë ndihmën nga shtetët e tjera.