PUKE-Vatrat e zjarrit vijojnë që të jenë aktive në disa qarqe të vendit, ndërsa sot raportohet se është përfshirë nga flakët edhe mali i Munellës.
 
Zjarri favorizohet edhe nga era duke e bërë të vështirë vendosjen nën kontroll, ndërsa banorët e zonës janë të vetmit për momentin që po luftojnë me flakët.
 
Zjarrfikësja është nisur drejt vendit ku është regjistruar vatra e zjarrit, por terreni i vështirë e bën të pamundur ndërhyrjen.
 
Të ndodhur përballë kësaj situate, banorët e zonës, por edhe autoritetet lokale kërkojnë ndërhyrjen nga ajri.

Shuhet zjarri te Kisha e Laçit
Ndërsa në Laç situata është normalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm pas ndërhyrjes së ushtrisë dhe zjarrfikëses.
 
Edhe vatra që ishte pranë Kishës së Laçit është shuar plotësisht, ndërsa banorët janë rikthyer në banesat e tyre, pasi u evakuuan mbrëmë.
 
Fillimisht ndërhyri edhe një helikopter, por në orët e para të mëngjesit dorën e fundit për të shuar plotësisht vatrën ia dhënë zjarrfikësit dhe ushtria. 

Por, vijojnë zjarret në Torovicë, ndërsa ndërhyrja është e vështirë për shkak të terrenit.

Dibër, një i arrestuar për zjarret, një në hetim të lirë
Dylaver M. 65 vjeç banues në fshatin Gjon, Bulqizë është arrestuar, pasi akuzohet se ka vendosur qëllimisht zjarrin në fshatin Muhurr, si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe pylli prej 500 m2.
 
65 vjeçari dyshohet se është autor edhe i zjarrit në fshatin Lenë, ku me datë 24.08.2017, është djegur një sipërfaqe pylli (me pisha).
 
Policia ka publikuar edhe pamjet e momentit të arrestimit të autorit të zjarrvënies, ndërsa në foto duket edhe çakmaku me të cilin ai vendosi zjarrin. 

Ndërsa A.K. 15 vjeç, banues në Muhurr po hetohet në gjendje të lirë për një tjetër vatër zjarri ku si pasojë është djegur një sipërfaqe pylli, rreth 10 dynym (dushk, shkurre)

[gallery]23676[/gallery]
dy.b/shqiptarja.com