TIRANE- Flakët e aktivizuara prej disa ditësh vazhdojnë të përpijnë dhjetra ha tokë pyje në veri, verilindje dhe juglindje të vendit. Të favorizuara nga era dhe terreni i vështirë flajët vazhdojnë të përparojnë megjithë përpjeket e autoriteteve shtetërore për t'i shuar. Situatat më problematike paraqiten në parkun kombëtar të Bozdovecit në Korçë, në qarkun e Kukësit, Pukë. Ndërsa zjarri në malësinë Krujës po përparon drejt parkut kombëtar të Qafështamës.

BORSH, RREZIKOJNE TE DIGJEN 15 SHTEPI
Flakët kanë përfshirë zonën e varrezave në fshatin Vajkal të Delvinës. Zjarri ka përparuar në drejtim të Qafa e Breshërit më pas era e ka çuar drejt Borshit të Lukovës duke përfshirë zonën e kalasë. Korrespondenti i Tv A1 Report Piro Nase tha sot në orën 14: 00 se flakët rrezikojnë 15shtëpi, ndërsa kreu i komunës Vladimir Kume bën apel për ndërhyrje të shpejtë pasi ka predha nën tokë të cilat rrezikojnë të shpërthejnë.

KORCE
Flakët që kanë përpirë parkun kombëtar të Bozdovecit kanë dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë flakët kanë përshirë edhe Parku Kombëtar të Dardhës. Në orën 11: 51 minuta korrespondentja e A1 Report, Dafina Ismaili njoftoi se po ndërhyhet nga ajri.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimit Pyjor të Korçës, Erjon Aruni, deklaroi sot në mëngjes se “situata është më keq se ditën e djeshme, se është djegur kurora e bredhave". Ndërkohë që era favorizon flakët drejt Parkut Kombëtar të Dardhës. Mëngjesin e sotëm 100 forca të drejtorisë së shërbimit pyjor dhe komunës Drenovë po punonin për shuarjen e flakëve.

Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes gjatë mesditës së sotme ka ndërhyrë për shuarjen zjarreve, por pavarësisht kësaj situata vijon të mbetet jashtë kontrollit. Për situatën e zjarreve ka folur edhe prefekti i Korçës, Andrea Mano, icili u shpreh se po punohet për neutralizimin e vatrave të zjarrit, por theksoi se situata vijon të mbetet e vështirë në zonën e Bozdovecit. Era e fuqishme gjatë kësaj të hënë ka përhapur me shpejtësi flakët,duke djegur qindra hektarë me bredh dhe pisha, ndërkohë që flakët kanë hyrë gjithashtu 200 m edhe në zonën e Dardhës.

KUKËS
Situata problematike paraqitet edhe në qarkun e Kukësit ku një pjesë e pyjeve në zonat malore të komunave Arren e Zapod vijojnë të mbeten nën pushtetin e flakëve të cilat të favorizuara nga temperaturat e larta vazhdojnë të zgjerojnë rrezen e tyre. Problematike paraqitet situata në Qarkun e Kukësit, ku ka 6 vatra aktive, 2 në rrethin e Kukësit, fshati Tërthore, komuna Tërthore dhe në komunën e Surrojit. 4 vatra aktive mbeten në rrethin e Tropojës, në fshatin Geg - Hysen, komuna Fierzë, në Dobrej, Komuna Bytyç, në fshatin Nikël-Mërtur, komuna Lekbibaj dhe në Valbonë, të komunës Margegaj. Terreni i thyer e malor vështirëson punën punonjësve të shërbimit pyjor për lokalizin e vatrave dhe shuarjen e flakëve.

SHKODER
E rëndë paraqitet situata në Qarkun e Shkodrës, ku ka 11 vatra aktive zjarri. Në Shkodër janë aktive dy vatra zjarri në fshatin Lekaj, komuna Shalë dhe në fshatin Plan, komuna Pult. Në rrethin e Pukës janë aktive 8 vatra zjarri, por më problematikë janë në fshatin Orosh, të komunës Qafë Mali dhe vatra në pyllin me pisha në fshatin Flet, komuna Blerim. Zjarre në vazhdim të tjerë janë në Malin e Krrabit, fshati Midë, në fshatin Fusha e Korit, komuna Qelëz dhe në Qafën e Sharrit. Në rrethin e Malësisë së Madhe kishte vetëm një vatër zjarri në fshatin Shkrelë, e shfaqur gjatë ditës së djeshme.

TIRANE E DURRES
Ndërsa në Qarkun e Tiranës ka patur 2 raste zjarri aktive. Në Qafën e Krrabës, në km 29, ku përveç forcave të PMNZSH-së, FA-ve dhe atij pyjor, firma që kryen punimet në yunelin e Kërrabës, ofroi ndihmë të çmuar me mjete të rënda dhe zjarrëfikëse. Në mëngjesin e djeshëm u riaktivizua vatra e zjarrit në lartësinë e Priskës. Vatra është në distancë të konsiderueshme nga Parku Kombëtar i Dajtit dhe nuk përbën asnjë rrezik për të.
Ndërkohë Qarku Durrës ka 1 vatër aktive në rrethin e Krujës, në Qafë Shtamë.

KRUJË
Zjarri në malësinë Krujës po përparon drejt parkut kombëtar të Qafështamës. Këtu flakët vazdojnë prej 5 ditësh. Ndërhyrja e zjarrëfiskeve e pamundur për shkak të terrenit të vëshirë. Punonjësit e shërbimit pyjor dhe banorët e zonës po përpiqen e të shuajnë zjarret.
DIBËR
Në Qarkun e Dibrës ka 4 vatra aktive zjarri, në ekonominë pyjore “Lura 1”, si dhe ekonominë pyjore Kaçni, në fshatin Dragu, komuna Fushë Bulqizë dhe në Krastë, të komunës Martanesh.
ELBASAN
Në Elbasan ka 1 vatër aktive në rrethin e Librazhdit, në fshatin Letëm, komuna Lunik.
LEZHE
Në Lezhë ka 2 vatra aktive zjarri, në fshatin Malaj, bashkia Rreshen dhe në fshatin Gallatë.

(sg/shqiptarja.com)