Në Kukës vijon të jetë aktive vatra e zjarrit më e rrezikshme e ditëve të fundit, ajo në vendin e quajtur Maja e Rrunës (Laku i mollave).
Sipas informacionit të shpërndarë nga autoritet para pak minutave gjatë ditës së sotme ka vazhduar puna për mbajtjen nën kontroll të kësaj vatre me gjithë terrenin e vështirë për të operuar me forca tokësore.
Në këtë zonë janë angazhuar nga bashkia Kukës 10 forca të MZSH-së, 5 punonjës të pyjores dhe 20 forca nga komuniteti i Njësisë Administrative Malzi. Në këtë operacion janë angazhuar dhe forcat e Kosovës dhe konkretisht 9 mjete zjarrfikëse e 34 forca zjarrfikëse dhe nga FSK 32 forca dhe 7 mjete transporti.
Ndërkohë që sa i përket vatrës së zjarrit të rënë sipër Tunelit Kalimashit, në drejtim të Qafës Kumbullës është izoluar plotësisht. Në këtë drejtim janë angazhuar 10 forca të DMR-së Kukës dhe 4 automjete zjarrfikëse me personelin e tyre.
"Në bashkinë Tropojë kemi dy vatra zjarri një në pyje të fshatit Betoshë Njësinë Administrative Lekbibaj dhe një vatër zjarri e shfaqur afër varrezave të fshatit Dragobi në Margegaj, për izolimin dhe shuarjen e këtyre vatrave zjarri janë angazhuar 4 punonjës të pyjores, 5 punonjës të AZM Tropojë, 10 forca nga komuniteti si dhe 7 efektiv të", thuhet në njoftim.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka qëndruar sot në Shqipëri në zonën e Kukësit ku ka ndjekur për së afërmi angazhimin e trupave të FSK-së për shuarjen e zjarrit në këtë zonë.
“Sot për të parë nga afër zhvillimin e operacionit në shuarjen e zjarrit në malin Shën Mëri, vizitova pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së dhe pjesëtarët e kontingjentit të zjarrfikësve nga Agjencia e menaxhimit të Emergjencave. Dhembjen për dëmet e shkaktuara nga zjarri e mbisundonte ndjenja e krenarisë për ushtarakët tanë- heronj të vërtetë që me guxim, shpirt ekipi dhe shërbim vetëmohues nderojnë emblemën tonë, Kombin dhe Atdheun”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Ministri Mehaj ka shkruar se si një trup i vetëm bashkë me vëllezërit dhe motrat tona të Shqipërisë po vazhdojnë betejën me flakët deri në fund.
“Si një trup i vetëm bashkë me vëllezëri dhe motrat tona të Shqipërisë po vazhdojnë betejën me flakët deri në fund. Së bashku më të fortë, në ditë të vështira me vëllezërit e motrat tona”, u shpreh ministri.