Gjashtë vatra zjarri aktive janë aktualisht në të gjithë vendin ndërsa 5 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar.
Vëmendja kryesore mbetet në Dajt, ku vatrat në lartësitë mbi tunelet e Qafë Mollës mbeten aktive. Në operacion janë angazhuar 40 forca zjarrfikëse, 20 efektivë të FA-së dhe 7 forca të ADZM-së (Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura), me mbështetje të fuqishme nga ajri me 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor. Aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Dibër mbeten aktive vatrat në Ballenjë, ku operojnë 5 forca të ADZM-së, si dhe në Qafë të Helmës, Bulqizë, ku vijon monitorimi me 4 efektivë të Zjarrfikëses. Në të dyja rastet nuk raportohen rreziqe për zonat e banuara.
Mali i Dardhës, Librazhd – vatra është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore të përshkruar prej rreth 7–8 hektarësh dhe në terren vijojnë të operojnë efektivët e Zjarrfikëses Librazhd. Fatmirësisht nuk rrezikohen banesa.
Një zjarr ka rënë mbrëmjen e sotme edhe në zonën malore të Shashicës në Vlorë. Flakët po përhapen me shpejtësi të favorizuara edhe nga era e fortë, ndërkohë që në terren kanë shkuar forcat zjarrfikëse për vënien nën kontroll të situatës.
Ndërsa në zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë nuk kanë më vatra aktive zjarri dhe zonat vijojnë vetëm të mbahen nën monitorim.
Për menaxhimin e situatës së zjarreve në Shqipëri janë angazhuar në total 126 forca operacionale dhe 18 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 20 efektivë, 1 helikopter dhe 2 avionë Air Tractor.
Pavarësisht menaxhimit dhe angazhimit të strukturave të mbrojtjes civile për të minimizuar dëmet nga zjarret, veçanërisht në zonat e banuara, mijëra hektarë pyje raportohen të djegura nga zjarret e kësaj vere.
Lajm në përditësim…
Një zjarr i madh ka rënë mbrëmjen e sotme në malin e Shashicës, në Vlorë.
Flakët, të favorizuara nga era, po përhapen me shpejtësi në terren, duke rritur rrezikun e përshkallëzimit të situatës
Drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet zjarrfikëse, të cilat po ndërhyjnë për të vënë situatën nën kontroll.
Zjarri ka djegur sipërfaqe me ferra dhe bimësi të egër, pa rrezikuar fatmirësisht banesa apo objekte të rëndësisë së veçantë.
Një sipërfaqe me pyje në malin e Dajtit në Tiranë është përfshirë nga flakët.
Report Tv ka siguruar pamjet, ku duket se flakët kanë përfshirë një hapësirë të konsiderueshme.
Ndërkohë nga ajri po operon edhe një avion, me qëllim shuarjen e flakëve.









Komente
Komento