TIRANE - Operacioni nga ajri gjatë ditës së sotme mbi Parkun Kombëtar të Bozdovecit, ka mundësuar fikjen e plotë të tij, ndërsa në të gjithë vendin rezultojnë 23 vatra aktive zjarresh. Është ky njoftimi që vjen nga zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme (MB), Leonard Olli, mbi situatën e zjarreve në vend.

Ndërkaq, një operacion i ngjashëm është kryer edhe mbi Malin e Dajtit, në afërsi të antenave, por ende mbetet një vatër aktive. Gjithashtu vazhdon djegia në Parkun kombëar të Lurës në vendin e quajtur “Liqeni i Bruçit”.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, “edhe gjatë ditës së nesërme operacionet nga ajri do të vijojnë në zonën verilindore, bazuar në planin e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, të miratur nga Ministri Flamur Noka”.

Qarku i Shkodrës është ai që ka edhe numrin më të madh të vatrave aktive të zjarrit, me 8 të tilla.

JA SITUATA E ZJARREVE NE VEND SIPAS MB

Qarku Berat. Ka 1 vatra zjarri aktive. Në fshatin Tozhar, komuna Tërpan. Vatra e zjarrit është në majë të malit, në kullotë. Vatra e zjarrit në Therepel, në komunën Bogovë, Skrapari u fik.

Qarku Dibër: Ka 5 vatra zjarri aktive. Vazhdon djegia në Parkut Kombëtar Lurë, në vendin e quajtur “Liqeni i Bruçit”. Një vatër e re u shfaq gjatë ditës së sotme në Parkun Kombëtar. Zjarri në Kacni, në vendin e quajtur “Kulemath” dhe ajo në Zallë-Gjoçaj, të komunës Derjan vazhdojnë dhe janë nën kontroll. Zjarri në “Vargmalin e Balgjajt”, ka kaluar në drejtim të malit të Bulqizës.

Qarku Elbasan: Ka 1 vatër zjarri aktive. Vatra e zjarrit filloi pasditen e sotme në Shmil, të Elbasanit, pa rrezik. Vatrat në rrethin e Gramshit janë fikur.

Qarku Kukës: Ka 3 vatra zjarri aktive. Në afërsi të fshatit Kok-Dedë, komuna Fierzë, Pukë është shfaqur një vatër e re zjarri me zhvillim intensiv. Janë marrë të gjitha masat nga komuna, forcat pyjore për të mbrojtur zonën. Në ndihmë kanë shkuar edhe 30 efektivë të FA-ve. Vatra në Rrethin e Bardhë, komuna Margegaj mbetet problematike. Vatra në Bjeshkët e Bardhocit, komuna Tërthore është vënë pjesërisht nënkontroll.

Qarku Tiranë. Ka 1 vatër zjarri aktive, atë në Malin e Dajtit, ku situata po mbahet nën kontroll. Helikopteri operoi në afërsi të antenave.
Ndërsa vatra e zjarrit në afërsi të objekteve të rëndësisë së veçantë në fshatin Linxë, komuna Dajt është vënë nën kontroll me ndihmën e helikopterit që operoi nga ajri dhe 1 mjet zjarrfikës të stacionit të Tiranës dhe 1 mjet zjarrfikës i FA dhe në orët e vona të pasdites u shua.

Qarku Shkodër: Ka aktive 8 vatra zjarri. Në Rrethin Pukë kemi 5 vatra zjarri: në afërsi të fshatit Kokdodë, komuna Fierzë, Pukë është shfaqur një vatër e re zjarri me zhvillim intensiv. Vatra të tjera zjarri: në fshatin Iballë, Komuna Iballë; fshati Orosh, Komuna Qafë Mali; fshati Mzi, Komuna Fierzë; fshati Dardhë, Komuna Blerim dhe Fushë Laj, Komuna Gjegjan.

Në Rrethin Shkodër: 3 vatra aktive: Rreth orës 11 në zonën e Thethit, komuna Shalë u shfaq një vatër e re. Në rrethin Malësisë së Madhe kemi 2 vatra në terrene të vështira: në komunën Këlmend dhe në fshatin Vukël, të cilat janë nën kontroll.
Zjarri në Fushë të Zezë, komuna Kastrat u fik.

Qarku Lezhë. Ka aktive 3 vatra zjarri. Vatra në rrethin e Mirditës në fshatin Arrëz, komuna Kaçinar është izoluar dhe nën kontroll. Vatra në malet e fshatit Arrën, komuna Arrën, Kukës është izoluar, ndërsa ajo në fshatin Gryk Orosh, Lgjin, komuna Orosh, është nën kontroll.

Qarku Vlorë. Ka 1 vatër zjarri aktive. Vatra e zjarrit në Karaburun, vijon që prej dy ditësh. Po punohet për izolimin e tij.

Qarku Korçë
. Nuk ka vatra aktive zjarri. Zjarri në Parkun Kombëtar të Bozdovecit u fik.
Vatrat e e zjarrit në malin e Elbit, komuna Hoçisht, në fshatin Stratobërdë, komuna Vithkuq dhe në fshatin Floq, komuna Mollaj, janë të izoluar totalisht.

Qarku Durrës. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Fier. Nuk ka vatra zjarri.
Qarku Gjirokastër: Nuk ka vatra zjarri.

QEVERIA ITALIANE 2 AVIONE PER SHUARJEN E ZJARREVE
Në përgjigje të kërkesa të qeverisë shqiptare për shuarjen e zjarreve në pyje, të cilët nga muaji gusht kanë prekur zona të ndryshme të Shqipërisë, qeverisa italiane ka vënë në dispozicion 2 avionë Kandair, të cilët do të veprojnë në Shqipëri prej ditës së nesërme (4 shtator).

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, ambasada italiane, sqaron se në koordinim me Mbrojtjen Civile shqiptare, departamenti homolog në Itali, do të kryejnë disa misione me qëllim vënien nën kontroll të zjarreve në Shqipëri.

(Gre.M/Shqiptarja.com)