Zjarrfikësit e Bashkisë Vlorë i kanë paraqitur zyrtarisht Bashkisë një sërë kërkesash që lidhen me pagesat dhe kushtet e punës, duke kërkuar zbatimin e të drejtave që, sipas tyre, u takojnë me ligj.
Në një takim të zhvilluar në ambientet e Bashkisë Vlorë me përfaqësues të institucionit, punonjësit e shërbimit zjarrfikës ngritën shqetësimet për moskompensimin e plotë të orëve të punës dhe të gatishmërisë. Ata kërkojnë pagesën shtesë të parashikuar nga qeveria, pagesën për orët e gatishmërisë, për punën gjatë natës, në ditët e pushimit javor, si edhe gjatë festave zyrtare.
Zjarrfikësit thanë se kjo është nisma e parë që kanë ndërmarrë për t'i dhënë zgjidhje problematikave që kanë ngritur, ndërsa theksuan se nuk bëhet fjalë për grevë apo protestë.
“Po kërkojmë vetëm të drejtat që na takojnë. Nuk është protestë dhe as grevë, por një kërkesë që të zbatohet ligji”, u shprehën ata.
Në përfundim të takimit, zjarrfikësit kërkuan nga Bashkia Vlorë që të marrë masa për zgjidhjen e të gjitha kërkesave të paraqitura dhe që pagesat të bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.









Komente
Komento