Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në fshatin Gojan i Madh të Pukës, vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri për menaxhimin e vatrës së zjarrit, në një terren të vështirë malor.

Në operacion janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse me 19 efektivë të Zjarrfikëses Pukë dhe Fushë-Arrëz, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, të mbështetur nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë të Forcave të Armatosura. Aktualisht vijon edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.

Për shkak të situatës, ka nisur evakuimi i banorëve më të ekspozuar, duke i dhënë përparësi fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore. Falë ndërhyrjes së strukturave në terren dhe nga ajri, rreziku më i madh për zonën e banuar ka kaluar, ndërsa operacioni vijon për vënien e plotë nën kontroll të situatës.

Procesi i evakuimit dhe operacioni po zhvillohen në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefekturën e Qarkut Shkodër, strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Pukë, Policinë e Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse.

AKMC vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës, në bashkëpunim me të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.


Lajmi kryesor:

Pamje me dron/ Flakët në Gojan të Pukës, 3 helikopterë në terren! Nis evakuimi i banorëve! Zjarri djeg edhe masivin pyjor në Milot, shtëpitë në rrezik