Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka deklaruar se situata e zjarrit në Himarë është disi më e qetë, falë ndërhyrjes së shpejtë të 17 mjeteve zjarrfikëse dhe rreth 300 trupave, të forcave zjarrfikëse dhe forcave të armatosura.
Nufi tha se 6 banesa ishin djegur, teksa tregoi se dy banorë kishin rrezikuar edhe jetën nga flakët gjatë ditës së sotme, por fatmirësisht sipas tij, u arrit që të evakuoheshin në kohë.
Ministri Nufi tha se për momentin nuk kishte informacione për hotele të rrezikuara në zonë, teksa shtoi se gjithë struktura shtetërore është 'në këmbë' për vënien nën kontroll të situatës.
“Situata duket më e qetë sesa ishte fillimisht. Janë mbi 300 trupa në terren, janë mbi 150 forca të armatosura në Himarë. Situata po monitorohet edhe përmes dronit Bajraktar. Të gjitha trupat që po vijnë drejt Himarës do të punojnë gjatë gjithë natës, për vënien nën kontroll të flakëve. Raportohet për 6 banesa të depërtuara nga zjarri deri më tani, 3 të banuara dhe 3 të pabanuara. Nuk ka jetë të humbura deri tani.
Gjithë struktura shtetërore është në këmbë për vënien nën kontroll të situatës. Situata tani është shumë më e qetë. Na ka favorizuar edhe fakti që nuk ka më erë, sepse era është armiku numër një. Sot ka qenë një nga ditët më të vështira përgjatë gjithë sezonit veror. Në Qinam u rrezikua edhe një depo municioni. Ajo e Levanit ishte situata më e rëndë e ditës së sotme. Kemi pasur 2 helikopterë dhe një avion air tractor. Këtu në Himarë situata është shumë më e qetë mesa ishte para 1-2 orësh.
E gjithë lufta ka qenë për të shpëtuar banesat dhe jetët e njerëzve. Kishim një situatë me 2 persona të shpëtuar, që u shpëtuan dhe u larguan nga banesat në kohë. Në mëngjes do të nisin menjëherë punë edhe mjetet ajrore. Në Himarë janë 17 zjarrfikëse në terren. Për momentin nuk kemi informacion për hotele të rrezikuara. Mund të kemi me dhjetëra e qindra raste për zjarrvënësit, por është puna e prokurorive dhe gjykatave pastaj që t’i dënojë këta persona”, tha mes të tjerash Nufi.
Lajmi kryesor:
Himara nën kërcënimin e flakëve! Evakuohen banorë e turistë, digjen 6 banesa! Nufi e Çako: Pas 3 orësh betejë, situata nën kontroll







