Zjarri në pyllin e Vlorës, policia 
thirrje banorëve: Largohuni 
Video/ Ndërhyrja në Vlorë me helikopte

Prej mesditës së sotme zona pyjore në Akërni në Vlorë është përfshirë nga flakët, ndërsa raportohet se janë djegur mbi 100 hektarë pyje.
 
Tre mjete zjarrfikëse dhe 30 punonjës prej disa orësh vazhdojnë luftën me flakët për të shuar zjarrin, por terreni është shumë i vështirë për të ndërhyrë.
 
Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur thirrjes së zjarrfikësve duke dërguar trupa dhe një helikopter për të shuar flakët. 
 
Trupat e Forcave të Armatosura prej orën 19:00 kanë nisur aksionin së bashkë me zjarrfikësit nga tokë, ndërsa helikopteri nga ajri  për të shuar flakët që kanë pushtuar zonën e hidrovorit në Vlorë.
 
Në disa momente ka qenë në rrezik edhe jeta e zjarrfikësve, pasi zjarri ka marrë përmasa shumë të mëdha, ndërsa është favorizuar edhe nga era që frynte duke e përhapur akoma më shumë.
 
Nga zjarri nuk raportohet për dëme në njerëz, policia u bën thirrje qytetarëve që banojnë pranë kësaj zone, të marrin masa për t'u larguar nga ato banesa të cilat rrezikohen nga flakët.

Ndërsa janë larguar edhe barinjtë e zonës që kanë ngritur stanet në zonën e fshatit Akërni, pasi rreziku është potencial nga zjarri që ka përfshirë kullotën dhe pyllin. 

Zjarri në këtë zonë ndodhet në katër pika të ndryshme dhe mendohet se është vënë qëllimisht nga persona të pa përgjegjshëm.

Zhvillimet minutë pas minute për situatën e zjarreve në Vlorë, Peqin dhe Fier

22:30 Vlorë, largohen pushuesit nga zona e hidrovorit, ikën energjia
Zjarri vazhdon në pyllin e "Pish Poros" ndërsa në ka mbërritur kryebashkiaku i Vlorës, Leli. Zjarri ka shkaktuar dëmtimin e linjës elektrike duke lënë pa energji zonën e hidrovorit, ndërsa pushuesit në kabinat e plazhit janë larguar të gjithë. 



21:18 Policia e Vlorës: Banorët që rrezikohen të largohen
Rreth orës 15:23, në pyllin e "Pish Poros" ka rënë zjarr duke u djegur kështu 3 vatra, sipërfaqe pyjore me shkurre, kullotë dhe pyje.
 
Erërat e forta kanë bërë të mundur përhapjen me shpejtësi të zjarrit duke u afruar drejt pyjeve të Delisufit dhe Zvërnecit.
 
Përveç përpjekjeve që po bëhen për neutralizimin e situatës, Policia u bën thirrje qytetarëve që banojnë pranë kësaj zone, të marrin masa për t'u larguar nga ato banesa të cilat rrezikohen nga flakët.
 
Shërbime të Policisë, Shërbime Zjarrfikëse, Pushteti Lokal, si dhe Emergjencat Civile të Prefekturës ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve të zjarrit.
 
Gjithashtu, në ndihmë të situatës ka ardhur edhe një Helikopter nga Tirana.

20:45 Peqin, janë djegur mbi 20 hektarë me ullishte
Ndërkohë në Peqin është raportuar për një zjarr masiv në fshatin Përparim, i cili ka djegur mbi 20 hektarë me ullishte pasditen e sotme.
 
20:40 Zjarr edhe në fshatin Darzëzë në Fier
Edhe në fshatin Darzëzë në Fier janë përfshirë nga flakët disa hektarë me pemë, ndërsa situata është vendosur nën kontroll, pasi zjarrfikësja ndërhyri me shpejtësi duke neutralizuar flakët.

20:30 Zjarrfikësja: Nuk ka pushues që rrezikojnë në Vlorë
Në një lidhje telefonike për Report Tv, komandanti i forcave operuese, Luan Kapaj është shprehur: "Në momentin e parë që kemi marrë njoftimin ka qenë ora 13:15 dhe menjëherë kemi operuar me disa mjete dhe me të gjitha forcat që disponon zjarrfikësja e Vlorës pavarësisht terrenit të vështirë

Ne ndodhemi në një terren të vështirë por nuk kemi informacion për pushuesit, Sipërfaqja është me dhjetëra hektar dhe jemi munduar që të ruajmë objektet dhe banesat nga zjarri.Në këto momente nuk ka njerëz të rrezikuar, por në anën e detit nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë.

Nuk besojmë së ka pushues të rrezikuar pasi ata kanë pasur mundësi të largohen. Tani terreni është më i vështirë pasi është edhe natë por ne po mundohemi të shmangim çdo rrezik të mundshëm.

20:20 Gazetari Hoxhaj: Po rrezikohen turistët nga zjarri në Vlorë
Gazetari Edmond Hoxhaj në një lidhje telefonike për Report Tv nga zona e Nartës deklaron se situata është alarmante, pasi pushuesit janë bllokuar dhe rrezikojnë që të asfiksohen, ndërsa zjarrfikësja ka qëndruar vetëm dy orë dhe është larguar, sipas tij.
 
“Ka pasur shumë pushues që kanë qenë akomoduar në ndërtesa të improvizuara, të cilët janë në rrezik, pasi janë bllokuar nga zjarri. Fshati Nartë rrezikohet më shumë, pasi besoj që kanë mbërritur flakët, ndërsa një ndërtesë është në flakë tani.
 
Zjarrfikësit erdhën dhe më pas janë larguar. Ne nuk shikojmë as forcat e ushtrisë dhe 2 zjarrfikëse që kanë qëndruar vetëm dy orë dhe janë larguar dhe dy policë.
 
Pushuesit janë asfiksuar nga tymi. Me flakët që duken në horizont, mendoj që makinat do të shkrihen, pasi zjarri ndihmohet edhe nga era në këtë zonë”deklaroi ai.


(Video: Zjarri në pyllin e hidrovorit Vlorë)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë