Policia e Lushnjës ka shpallur në kërkim një person i cili dyshohet se ka vendosur zjarrin në tregun e frutave-perimeve në Lushnjë para tre ditësh.

Autori i dyshuar me inicialet K. Ç., banues në Durrës ka bashkëpunuar me një tjetër i cili nuk është identifikuar ende sipas policisë. 

Nga pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë pasi i kanë vendosur flakën tregut janë larguar nga vendngjarja.

Zjarri i rënë pas mesnate shkrumboi tregun e fruta-perimeve, ku ushtronin aktivitetin rreth 50 tregtarë. Të paktën 25 prej tyre raportuan dëme të mëdha, ndërsa theksuan se do e kenë të vështirë të e nisin nga e para pa ndihmën e bashkisë.

Njoftimi i policisë:

Më datë 19.05.2026, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë është marrë njoftim se në tregun e fruta-perimeve të qytetit kishte rënë zjarr.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat, brenda pak orësh, bënë të mundur shuarjen e flakëve.

Si pasojë e zjarrit janë dëmtuar disa tezga dhe produkte në pronësi të disa tregtarëve.

Fillimisht u dyshua se zjarri ishte shkaktuar nga një shkëndijë elektrike, por në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, të kryera nga grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u bë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasit K. Ç., banues në Durrës, i dyshuar si njëri prej autorëve të zjarrvënies.

Nga këqyrja e pamjeve filmike rezulton se shtetasi K. Ç. shfaqet pranë tregut së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndezur zjarrin dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.

Policia vijon punën për kapjen e shtetasit K. Ç., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit tjetër që shfaqet në pamjet filmike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë