Viti 1929 ka qenë një vit historik për Kishën Ortodokse Autoqefale. Kjo, siç dihet, u themelua për herë të parë nga Fan Noli në Amerikë, ku ai më parë u bë prift dhe pastaj peshkop “vox populi”, sepse, pikërisht në çastin e fundit, peshkopët rusë Aleksandër dhe Platon, që kishin dhënë fjalën për dorëzimin e Fan Nolit, telegrafuan se nuk mund të vinin dot. U duk qartë se propaganda greke kishte bërë punën e saj. Por besnikët shqiptarë, të ardhur në Kishën e Shën Gjergjit, iu përgjigjën intrigave greke duke bërtitur: “Të duam Peshkop! Të duam Peshkop! Aksios! I denjë!” Dhe kështu Fan Noli u bë Peshkop vox populi.
Por kjo zgjedhje nuk është në rregull nga pikëpamja kanonike. Dhe kështu, për të qenë në rregull kanonikisht, Fan Noli më 1922, kur ishte deputet i “Vatrës”, u dorëzua Peshkop në kishën e Shën Gjergjit në Korçë nga peshkopët imz.Kristofori dhe imzot Jerotheu.
Në vitin 1922 u mbajt në Berat Kongresi I i Kishës Ortodokse Autoqefale, i cili zgjodhi për kryetar At Vasil Markon, një prift i thjeshtë, por patriot, që kishte qenë dorëzuar prift nga Fan Noli në Amerikë.
Kongresi i Beratit doli me një statut të përkohshëm, se nuk kishte as kler, as peshkopë sa duheshin. Në këtë gjendje qe zvarritur Kishte Ortodokse Autoqefale, gjer më 1921.
Por Kostaq Kota, i njohur si patriot dhe si “kaur” i mirë, tani që erdhi në fuqi si kryeministër, nuk desh ta linte më pezull këtë çështje. Ai i jepte Kishës Ortodokse Autoqefale më shumë rëndësi patriotike sesa fetare. Kjo ishte vërtet për ne “një çështje kombëtare”. Duke u shkëputur nga Patrikana e Stambollit, ne shkëputeshim nga intrigat greke dhe, sidomos, nga ajo mendësi e ndryshkur e “megali idesë” – plagë e madhe për vendin tonë – që i quante “grekë” të gjithë ortodoksët shqiptarë(!).
Kostaq Kota desh ta zgjidhte këtë problem të madh për kombësinë tonë në mënyrë kanonike. Zgjidhje kanonike donte të thoshte të merrej “tomi” ose “pëlqimi” i Patrikanës për formimin e kishës ortodokse shqiptare. Këtë zgjidhje e kërkonin shumë fanatikë ortodoksë shqiptarë, midis të cilëve edhe Imzot Kristofori. Ky ishte një teolog me cilësi shumë të larta. Ishte nga familja Kiri prej Berati dhe një pjesë të madhe të jetës së tij e kishte shkuar në Stamboll, ku arriti të bëhet “predikator” i Patrikanës.
Me formimin e Kishës Ortodokse Autoqefale më 1922, si shqiptar i mirë që ishte, iku nga Stambolli dhe erdhi në Shqipëri, ku u emërua Peshkop i Beratit. Kishte cilësi të rralla si teolog dhe si shkencëtar: me kulturë të lartë teologjike shkencore, studiues i palodhur, predikator i shkëlqyer, sa linte të habitur të gjithë ata që e dëgjonin. Njeri me moral të lartë.
Por nuk ishte tip “revolucionar”, ndaj nuk dëshironte edhe zgjidhjen “revolucionare” të Kishës Ortodokse Autoqefale.
Qeveria vendosi ta dërgojë në Stamboll, në krye të një delegacioni, që përbëhej nga Vasil Avrami dhe Dhimitër Kacimbra, për të bërë çmos që të merrnin "tomin"”nga Patrikana. Por ky delegacion ndenji një kohë të gjatë në Stamboll dhe nuk arriti në asnjë ujdi me Patrikanën: e pamundur. Ata të Patrikanës ishin klerikë grekë fanatikë dhe miopë: që të na jepnin “tomin”, kërkonin nga ne kushte mesjetare, si për shembull që klerikët shqiptarë, për çdo faj a krim, të gjykoheshin nga “gjykatat fetare” dhe jo nga gjykatat civile të shtetit; që lindjet, martesat, divorcet, vdekjet të bëheshin prej Mitropolisë dhe jo prej Shtetit.
Ta pret mendja që Shteti shqiptar nuk mund t’i pranonte këto kushte mesjetare.
Atëherë duhej zgjidhur çështja në mënyrë “revolucionare”, domethënë pa “tomin”, (pa lejen e Patrikanës së Stambollit, - red.), ashtu siç e kishin zgjidhur edhe shtetet e tjera të Ballkanit, si Bullgaria dhe Rumania.
Mirëpo imzot Kristofori nuk pranonte, me gjithë presionet që iu bënë. Po halli? Imzot Kristofori ishte i domosdoshëm, pse ne kishin atëherë dy peshkopë – imzot Kristoforin dhe imzot Visarionin. Siç dihet, nga pikëpamja kanonike, duhen dy peshkopë që të bëjnë një peshkop tjetër. Duke refuzuar imzot Kristofori të merrte pjesë në formimin e Kishës Ortodhokse Autoqefale, nuk na mbetej veçse imzot Visarioni dhe me këtë vetëm ne nuk mund të bënim peshkopë të tjerë për të tri dioqezat e Shqipërisë, që ishin vakante – Korçën, Gjirokastrën dhe Beratin.
Kishim mbetur në hall të madh. Imzot Kristofori u tregua në këtë pikë shumë kokëfortë e këmbëngulës – si pasojë, u internua në manastirin e Ardenicës.
Por çështja e Kishës duhej zgjidhur me çdo kusht dhe me çdo sakrificë. Ishte një çështje kombëtare, që nuk mund të mbetej e pazgjidhur.
Kryeministri: “Yrish! Jepi përgjigjen që meriton atij ministrit grek që na kërcënon me pronat e shqiptarëve në Greqi”
Nga ana tjetër, ministri i Greqisë në Tiranë, zoti Mellas s’linte mjet pa përdorur, duke ushtruar tërë ndikimin e tij moral e material pranë ortodoksëve shqiptarë. Arriti gjer në kërcënim. Në një rreth ortodoksësh arriti gjer në këtë trysni: “Në qoftë se shqiptarët do ta zgjidhin çështjen e kishës ortodokse në mënyrë “revolucionare”, atëherë Greqia nuk ka për t’i paguar pronat që zotërojnë shqiptarët në Greqi”.
Ju e dini se shumë shqiptarë, sidomos çamët, - por edhe bejlerë korçarë dhe beratas, - zotëronin mjaft prona në krahinat e Prevezës dhe të Janinës, por edhe gjetkë. Greqia kishte bërë një Reformë agrare, me të cilën caktonte shpronësimin e pronave rurale, po duke i shpërblyer. Për arsye “politike”, e kishte zvarritur pagesën e pronave të shqiptarëve. Dhe ja tani që zoti Mellas po kërcënonte haptazi se nuk do t’i paguante fare, po të zgjidhej çështja e Kishës në mënyrë “revolucionare”.
Mehmet Konica, i vëllai i Faikut, ma solli këtë fjalë të Mellasit dhe më siguroi se në atë mbledhje kishte qenë edhe ai vetë dhe i qé përgjigjur Ministrit të Greqisë se ato fjalë qenë një “kërcënim” që cenonin sovranitetin e Shqipërisë.
I thashë Mehmet Konicës se, për hir të dinjitetit kombëtar, duhej t’i jepnim një përgjigje atij Ministri sa ta mbante kokën me dorë dhe unë isha gati ta shkruaja dhe ta botoja këtë artikull, po kisha frikë se ai do ta përgënjeshtronte duke pohuar se s’i kishte thënë ato fjalë.
Mehmet Konica më siguroi se, në këtë rast, do t’i vërtetonte me shkrim ato fjalë si ai vetë, ashtu edhe të tjerët që u ndodhën në atë mbledhje.
Vura në dijeni edhe kryeministrin Kostaq Kota, i cili më tha: “Yrysh! Jepi një mësim si duhet atij maskarai!”
Dhe unë të nesërmen botova një kryeartikull kundër Mellasit, kryeartikull që zgjoi entuziazëm në të gjitha rrethet patriotike të kryeqytetit. Erdhën të më përgëzojnë shumë patriotë, që s’kishin dëgjuar një polemikë aq të rreptë kundër një përfaqësuesi të huaj.
Është më kot t’jua sjell këtu përmbajtjen. Sado që të mundohem, prapëseprapë do dalë e zbehtë. Unë jam i mendjes që ai artikull do marrë dhe riprodhuar tekstualisht në rubrikën “Shtesa dhe shënime”. I thashë Mellasit, me pak fjalë se ne jemi një shtet sovran dhe shumë xheloz për pavarësinë tonë kombëtare. Luftërat e bëra dhe gjaku i derdhur e provojnë sesa të shtrenjtë e kemi lirinë e Atdheut. Mos kujtoni, zoti Mellas se, për disa pasuri që kanë shqiptarët në Greqi, do të sakrifikojmë pavarësinë e kombit? Kurrën e kurrës!
Çështja e kishës autoqefale është një çështje kombëtare për ne shqiptarët dhe jo vetëm për shqiptarët ortodoksë etj.etj.
Zemërimi i ministrit tonë të Jashtëm
Por të nesërmen që doli artikulli në gazetë, më mori në telefon Iljaz Vrioni, që ishte ministër i Punëve të Jashtme. Më telefonoi nga “Kontinentali” dhe më lutej të shkoja ta takoja.
Shkova. Pyeta kamerieren e “Kontinentalit” se në ç’dhomë ishte Sua eçellenza Vrioni. Këtë hotel e mbante një italian dhe të gjithë personelin “Kontinentali” e kishte italian.
Kamerierja më tregoi numrin e dhomës. Shkova dhe trokita. Askush nuk m’u përgjigj. Trokita edhe më fort. Prapë asnjë përgjigje. Iu drejtova përsëri kamerieres:
-Signorina, ma S.E. non c’è.
-È dentro, signore, è dentro. Bussate più forte, vi prego.
Trokita më fort. Akoma asnjë përgjigje. Atëherë mora guximin dhe e hapa pak derën. Hodha sytë rreth e rrotull: askush! Isha duke mbyllur derën, kur pashë shtrirë në një poltronë një njeri të mbuluar kokë e këmbë me një mushama. Ai po gërhiste. Qëndrova i habitur. Ç’të bëja? Ta zgjoja apo të largohesha?
Nuk mund ta zgjoja! Me siguri do t’i vinte zor që e gjeta atë alamet ministër të Jashtëm ashtu shtrirë dhe duke gërhitur. U largova në majat e këmbëve dhe çela derën. Po dera bëri zhurmë dhe ai ngriti kokën.
-Erdhe? – më tha dhe u ngrit ndenjur duke hedhur mushamanë te këmbët. – Më fal që më gjete kështu, po s’jam kaq mirë. Urdhëro e ulu.
U ula në një kolltuk aty pranë. I ra ziles dhe më pyeti ç’dëshiroja të merrja.
-Një kafe, - i thashë.
Erdhi “signorina” dhe ai porositi një kafe për mua dhe një konjak për vete. U çudita kur e pashë që “signorina” nuk i solli një “qelqe” me konjak, po një “gotë uji” me konjak. E piu sikur po pinte një gotë me ujë. Shtrembëroi buzët, u koll nja dy herë, pastaj më pyeti:
-Po ç’qe ai kryeartikull që botove sot në gazetë?
-Një përgjigje e merituar kundër ministrit të Greqisë, zoti ministër.
-Po unë a jam apo s’jam ministër i Jashtëm? Si s’më pyete mua përpara se ta botoje?
-Më lejoni t’ju them, zoti ministër, por këtë nuk mund ta bëjmë kurrë. Sikur të pyesnim ministrat përkatës për çdo artikull që do të botonim, atëherë gazeta s’del kurrë. Kjo është kundër rregullave të gazetarisë, zoti ministër.
-Po ti, me atë kryeartikull, më prishe politikën e Jashtme!
-Nuk kuptoj, zoti ministër, më ndjeni, por edhe ju vetë, si shqiptar, nuk mund të pranoni që një përfaqësues i huaj të na cenojë në dinjitetin tonë kombëtar, të ndërhyjë në punët tona të brendshme dhe të na kërcënojë sovranitetin tonë, si shtet i pavarur.
-Sa axhami që je! – ma preu fjalën Iljaz beu – Sa fjalë që thotë njeriu! Pastaj ne jemi të vegjël dhe nuk duhet të tregojmë kaq “sensibilité” të madhe. Punë e madhe se tha një fjalë! Pastaj a e provojmë dot se e tha atë fjalë? Sigurisht ai ka për të ardhur sot në ministrinë e Jashtme dhe ka për të protestuar. Unë ç’t’i them?
-Ju ma hidhni mua fajin, zoti ministër.
-Po ai do kërkojë të merren masa kundër jush, të mbyllet gazeta...
-Shumë mirë, zoti ministër. Dhe ju, po qetë dakord me të, kërkoni nga Këshilli i Ministrave që të merren masa kundër meje, si drejtor përgjegjës, duke më pushuar dhe duke më dërguar në gjyq. Mundet që edhe Këshilli i Ministrave të jetë në një mendje me ju.
Unë heshta dhe ndeza një cigare. Iljaz beu po mendohej, duke fërkuar duart. Pastaj duket se u pikas dhe shpërtheu:
-E kuptova. Ju paskeni kaluar sipër meje dhe paskeni marrë pëlqimin e Kostaq Kotës. E kuptova. S’është e mundur që unë të bashkëpunoj me Kostaq Kotën. Do të jap dorëheqjen. Nuk bashkëpunoj dot. Impossible.
-Zoti Ministër, nuk më përket mua të shprehem për bashkëpunimin tuaj në qeverinë e zotit Kota...
-E di, e di, unë do të jap dorëheqjen, por më vjen keq për Shqipërinë se në ç’duar do ta le. Unë kam qenë iniciator i Kongresit të Lushnjes; unë e bëra Zogun mbret; unë bëra aleancën me Italinë dhe tani isha gati për një marrëveshje me Greqinë, kurse ju dilni dhe ma prishni tani punën. S’mbetet veçse të jap dorëheqjen. Shko, bir, shko, këto janë “marifetet” e Kostaq Kotës.
Shkova dhe pyesja veten si bën ky ministër sarhosh të flasë me ministrat e jashtëm të botës së qytetëruar, që janë “koka” jo shaka, të flasë madje edhe në Lidhjen e Kombeve etj, etj.
Dhe m’u bë qejfi kur, pas dy ditësh, dha vërtet dorëheqjen dhe, në vend të tij, erdhi zoti Rauf Fico.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Gusht 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)