Në hotel “Vendôme”, në sallën e pritjes gjetëm princ Abidin, të cilin ato e kishin ftuar për drekë. Ai ishte veshur thjesht, me një kostum gri. Mua kishte filluar të më hynte në zemër, ky i biri i sulltan Hamitit. Ishte shumë i thjeshtë, modest, tamam parizian. As e kujtonte ndonjëherë gjakun e tij perandorak. Kishte ikur i vogël nga Turqia dhe ishte rritur në Paris, ku kishte mbaruar fakultetin e Drejtësisë. Ekonomikisht mbetur shumë ngushtë dhe Jak Koçi, deputet i Shkodrës, që e çonte më shumë jetën në Paris, kishte mundur t’ia mbushte mendjen që të merrte të motrën e Zogut, Senijen, dhe nënshtetësinë shqiptare. Abidi u rrinte shumë larg princeshave, me një distancë diplomatike të heshtur. Ishte me trup të shkurtër, miop dhe mbante syze të rënda. Ishte gjakftohtë dhe fjalëpak. I sjellshëm sa mund të jetë një parizian. Nuk i pëlqenin lëvdatat dhe komplimentet.
Mbaj mend se, kur u takova për herën e parë, nuk dija se ç’titull t’i jepja. I dhashë titullin “excellence”! - por ai ma preu shkurt:
-Zotëri, më thoni se keni mbaruar Drejtësinë. Pra, jemi kolegë, donc des monsieurs.
Dhe që atë çast e quajtëm njëri-tjetrin me titullin e thjeshtë “zotëri”.
Pas disa takimesh, ku kishin folur për gjëra të përgjithshme, princ Abidi nisi të më fliste edhe për gjëra intime. Më tha një ditë se do të bëja një punë shumë të mirë sikur t’i këshilloja princeshat të ishin më modeste në veshje dhe në të sjellur. Ne jemi në një shekull demokracie, ku pozat “aristokratike” nuk shkojnë aspak dhe, këtu në Paris sidomos, bëhen qesharake.
Iu përgjigja se në asnjë mënyrë nuk mund t’i këshilloja. Në këto pak ditë, që jam me to, kam kuptuar se ato duan t’i ndihmosh në trillet, jo “këshilltarë”.
-Keni të drejtë, zotëri, - më tha. – Edhe mua më kanë marrë inat, se kam guxuar t’i “këshilloj”.
Kur e pashë mirë thjeshtësinë dhe çiltërsinë e tij, fillova t’i qaj hallin, më parë me aluzione dhe nënkuptime, më vonë haptazi:
-Zotëri, këtu në Paris, fundja, jemi “incognito” dhe nuk biem kaq shumë në sy, por pisk do ta kem në udhëtimin zyrtar në Danimarkë dhe në Suedi.
Me princ Abidin
Atje duhet shumë kujdes i madh, se na ndjekin dhe na vëzhgojnë gazetarët dhe mund të bëjmë figurë të keqe, po mos të sillemi si duhet.
-Keni shumë të drejtë, zotëri, dhe me këto është shumë vështirë të sillet njeriu si duhet, pse janë të pabindura dhe nuk e përfillin opinionin publik, duke kujtuar se janë “Lartësira”, ndaj të lira të sillen si të duan. Misioni juaj është i vështirë, zotëri, jua qaj hallin dhe s’do të dëshiroja në asnjë mënyrë të isha në vendin tuaj.
-Të paktën, zotëri, kini mirësinë të ma lehtësoni barrën.
-Sa të jetë në dorën time, me gjithë qejf, zotëri.
-Unë do të dëshiroja të më jepnit zotin Noçka, sekretarin e Legatës, në udhëtimin për në Shtetet Skandinave. Duke qenë dy, barra lehtësohet...
-E keni menduar shumë mirë, zotëri. Unë do telegrafoj qysh sot në Tiranë, do ta sugjeroj si një gjë të domosdoshme dhe jam i bindur se do të më autorizojnë.
E falënderova nxehtësisht.
Në këtë kohë ra telefoni: më kërkonin princeshat në dhomën e tyre. I mora leje princ Abidit dhe u ngjita. Sipas zakonit të tyre, për të ngrënë drekën ose darkën, duhej të vishesha me frak.
Shkova në dhomën time dhe vesha frakun.
Duke zbritur, kaluam nga salla e pritjes. Princ Abidi u doli përpara dhe u puthi dorën. Pastaj hymë në restorant, ato përpara dhe ne të dy burrat nga pas. Kryekamerieri na tregoi tryezën, që ishte rezervuar për ne. U ulëm. Ato rrinin si në gjemba, duke marrë poza qesharake. Unë shikoja princ Abidin dhe kërkoja të imitoja: ai rrinte sikur ishte në shtëpinë e tij, me një thjeshtësi dinjitoze, që të bënte ta admiroje. Ai kishte filluar të mësonte pak shqip dhe, me atë shqipen e tij të thjeshtë, e pyeta për shëndetin dhe si po e kalonin kohën në Paris. Kur s’ia dilte dot të shprehej ose nuk gjente dot ndonjë fjalë që i duhej, atëherë më kthehej mua frëngjisht dhe unë ua përktheja shqip.
Ishte një problem i madh për të zgjedhur gjellët: ato nuk pëlqenin pothuaj asgjë. Dhe çfarë se! Gjellët e “Vandomit”, ku hanin mbretërit e mbretëreshat e botës!
Mezi vendosnin për të porositur disa gjellë, të cilat ato sa i merrnin në dorë, duke vënë si me pahir ndonjë lugë në gojë. Kamerieri i merrte pothuaj të paprekura. Mua më vinte plasje. “Po këto dreq me fasule dhe me kungull janë mësuar në Mat. Nuk është gjynah të mos pëlqejnë gjellët e Vandomit?..., thosha me vete. Po paratë që shkojnë kot së koti? Me paratë që harxhohen në një darkë si kjo, kushedi sa familje mund të rronin një muaj të tërë.
Kurse princ Abidi hante duke i mbaruar pjatat gjer në fund, pa naze dhe pa katikule. Edhe unë e imitoja, duke mbushur barkun mirë e mirë.
Por kur erdhën frutat ishte edhe më për të ardhur keq: dardha, pa teprime, gjysmë kile një kokërr, rrushi si qelibari dhe ato sa i preknin me dorë! Ne të dy me Abidin hanim sa mundnim dhe ato qeshnin me ne për oreksin që kishim.
Kur princ Abidi u largua dhe ne mbetëm vetëm, Ruhija më tha:
-E pe si ha? Si i pangopur! Si ndonjë katundar!
-Shumë mirë bën, princeshë. Është i ri dhe ka oreks.
-Le të hajë në shtëpi, po jo në restorant.
-Po në restorant njeriu vjen për të ngrënë dhe jo për të bërë sehir, princeshë. Të ngrënët s’është turp. Unë vërtet nuk e njoh jetën aristokratike, por ai zbret nga një shtëpi e madhe, - ju e dini mirë.
Gjersa tha kështu edhe për atë, edhe për të birin e Sulltan Hamitit, unë nuk e quajta më veten të fyer dhe vendosa të mos i përgjigjesha më dhe të ndërroja muhabet. Ishin të cekëta dhe për të mbërthyera në megalomaninë e tyre. U thashë se kisha zgjedhur, për të kaluar pasdreken, një kabaret të Monmartrit. E dija se këto u pëlqenin shumë, po e drejta është se më pëlqenin edhe mua. Kabaretet e Monmartrit janë diçka e rrallë në botë: vijnë nga ana e anës për t’i parë.
U ngritëm duke paguar dhe duke i lënë një purbuar, një bakshish të majmë, kamerierit. Kjo puna e purbuarit më kishte mërzitur shumë: sikur i paguaja nga xhepi këto bakshishe. Ato donin që unë t’u jepja bakshishe të majme kamerierëve të hotelit, të restorantit, të gardërobës, të ashensorit etj. etj. Dhe në këtë ishin të prera. Pothuaj gjithnjë më shikonin me bisht të syrit se ç’bakshish u jepja dhe njëherë më qortuan se i kisha dhënë një bakshish të vogël garsonit, që na kish mbajtur palltot. Ato kujtonin se sa më shumë të jepnin bakshishe, aq më shumë ato ishin “lartësi”. Po mua më vinte keq, shumë keq. I thoshim një garsoni të na binte një paketë cigare dhe ai, i veshur me kostum të kuq me gajtane të arta, na i binte në një tabaka të argjendtë dhe ato i linin një bakshish dy herë më shumë se sa çmimi i cigareve.
Por kjo s’ishte një herë a dy: tërë ditën ne ishin me dorën në xhep: zbrit nga ashensori, jep bakshish garsonit që na çelte derën; merr pallton në gardërobë, jep bakshish gardërobieres; shko në kafene për të pirë një kafe, jep bakshish kamerierit; dil nga kafeneja, jep bakshish garsonit, që na çelte derën; hip në veturë, jep bakshish çunit, që na çelte derën e veturës etj, etj. Gjithnjë me dorën në xhep. Më shumë na kushtonin bakshishet sesa ngrëniet-pirjet. Ishte kiamet. Shumë herë u thashë të mos ishin aq dorëlëshuara me këto bakshishe, se na fikën, po meazallah se dëgjonin. Më përgjigjeshin se edhe Eqrem Libohova, ministri i Jashtëm, që i kishte shoqëruar disa herë në botën e jashtme, nuk i kursente bakshishet. M’u desh t’u bindem dhe të jepja bakshishe ashtu si më urdhëronin ato.
Të nesërmen princ Abidi më lajmëroi se kishte ardhur përgjigjja nga Tirana: aprovohej propozimi ynë që edhe Milto Noçka, sekretari i Legatës, të na shoqëronte në udhëtimin në Shtetet Skandinave. U gëzova shumë, se kështu do ta ndanim punë dhe do kisha një shok me të cilin të këshillohesha për çdo ngjarje të vështirë. Noçkën e kisha njohur ato ditë në Paris për herën e parë, po më ishte dukur një djalë i zgjuar, punëtor dhe i sinqertë. Mendoja se bashkëpunimi i tij do të më dilte i dobishëm për të dalë faqebardhë në atë mision delikat, ashtu siç më doli vërtet. Në shumë raste do ta kisha pasur punën shumë vështirë, pa bashkëpunimin e Noçkës, i cili nuk kurseu tërë zellin e tij djaloshar...
Në Belgjikë dhe në Vaterlò
Nuk mbaj mend në ç’ditë të nëntorit 1938 u nisëm për në Shtetet Skandinave. Morëm udhën e Belgjikës. Në Bruksel ndenjëm dy ditë. Kur nisa të shëtis rrugët e Brukselit, m’u duk se isha kthyer përsëri në Paris. Brukseli ka kopjuar aq verbërisht planin e Parisit, - me rrugë, me ndërtesa, me ndriçime – sa të duket sikur ndodhesh në Paris, po në një Paris më të vogël.
Ndonjë orë e gjysmë nga Brukseli, ndodhej fusha me famë e Vaterlosë, ku Napoleoni humbi luftën dhe, si pasojë, u degdis në Shën Helenë. Më ziente në shpirt ta vizitoja këtë fushë historike, pra më vinte keq po të ndodhesha kaq pranë dhe t’i ktheja krahët.
Po si t’ia bëja me ato se! Unë e dija se ato s’e çanin kokën për gjëra historike. Për t’i bindur sajova një gënjeshtër. U thashë se kisha takuar një gazetar belg, mik të Shqipërisë, i cili më kishte këshilluar të vizitonim fushën e Vaterlosë, se kjo vizita jonë do të linte mbresë të mirë në shtypin, në Qeverinë dhe në popullsinë e vendit. Këtu princeshat nisën të më pyesin.
-Dëgjoni, princesha, - u thashë me seriozitetin më të madh – në Paris ne kemi qenë privatë dhe mund të bënim ç’të donim. Por tani filloi udhëtimi ynë “zyrtar”. Tani nuk mund të bëjmë më si të duam, pse shtypi na ndjek e na vëzhgon. Mua mbreti më dha urdhër të prerë që ne të sillemi në një mënyrë që të lemë mbresën më të mirë. Ju e dini mirë urdhrin e mbretit. Që në këtë çast ju jeni në dispozitën time dhe do bëni si them unë, për ndryshe unë kam urdhër t’i telefonoj mbretit për çdo kundërshtim ose pengesë që do gjej nga ana juaj. Është dëshira dhe urdhri i mbretit, princesha. Në këtë udhëtim ne nuk duhet të lëmë atë përshtypjen e vajtueshëm që latë në Amerikë dhe për të cilën mbreti ishte shumë i hidhëruar. Mbreti më zgjodhi mua tamam për këtë qëllim: që ta nderojmë dhe jo ta turpërojmë emrin e Shqipërisë.
Të nesërmen nga ora dhjetë para dite u nisëm me makinë për në fushën e Vaterlosë. Unë nuk do të përshkruaj këtu gjerë e gjatë rëndësinë historike të kësaj fushe, sepse, po të shfletoni gazetën “Drita” do të gjeni edhe një korrespondencë mbi vizitën tonë në Vaterlo, edhe një konferencë, që mbajta në radio dhe botova në gazetë mbi rëndësinë historike të fushës së Vaterlosë.
Si për Vaterlonë, ashtu edhe për gjërat e tjera, unë do të përpiqem të mos shkruaj këtu gjërat e botuara, gjëra që lexuesit mund t’i gjejnë duke shfletuar gazetat e asaj kohe. Po të ishte kështu, këto “Kujtime” nuk do të paraqisnin asnjë interesim, se do të ishin një përsëritje e shkrimeve.
Takimi i parë në kufirin danez: në tren, me gazetarët
Pas dy ditësh që ndenjëm në Bruksel, u nisëm për në Danimarkë, duke kaluar përmes Gjermanisë. Në kufirin gjermano-danez, na doli përpara zoti Gomboes, konsulli ynë i nderit në Kopenhagë, bashkë me zonjën. Këta hipën në vagonin e princeshave me një tufë të madhe me lule dhe u uruan mirëseardhjen në tokën daneze. Pas kësaj ceremonie, u tërhoqëm në kabinën time. Po isha keq me gjuhën. Në Shtetet Skandinave, nuk flitet aspak frëngjishtja, po vetëm gjermanishtja dhe anglishtja. Këto dy gjuhë s’i dija as unë, as Noçka. Për fat të bardhë, zonja Gomboes e kuptonte pak, po fare pak, frëngjishten. Me atë pak frëngjishte të zonjës Gomboes dhe më shumë me shenja, filluam të flisnim. Zoti Gomboes na bëri të ditur se ne do të priteshim zyrtarisht në Kopenhagë, pse ai kishte lajmëruar Pallatin mbretëror, Qeverinë, Ministrin e Jashtme dhe përfaqësuesit e shtypit.
Ky lajmërim më trembi, më bëri të zverdhem dhe të shqetësohem tepër. Tani fillonin telashet e mia, “përgjegjësia” ime, ndaj duhej t’i bëja sytë katër.
-Këta janë përfaqësuesit e shtypit danez dhe të huaj, më tha konsulli, duke më treguar me dorë një grumbull njerëzish, meshkuj e femra, që kishin mbushur korridorin e trenit. – Kanë ardhur gjer këtu në kufi apostafat për ju.
Dhe s’kishte mbaruar akoma mirë fjalën, kur një grup gazetarësh iu afruan konsullit dhe i kërkoi që të njihej me ne. Konsulli na i paraqiti, mua dhe Noçkës, dy si përfaqësues të shtypit danez; një zonjushe, përfaqësuese të shtypit francez dhe një zotëri të gjatë, me syza të trasha dhe me llullë, si përfaqësues të “Rojter”-it. Na dhanë mirëseardhjen dhe na thanë se kishin ardhur gjer në kufi për të pritur princeshat e Shqipërisë. Dëshironin, pra, të kishin një takim me këto.
Unë, që e kisha mendjen si e si të kënaq shtypin, u tregova i gatshëm t’ua përmbush dëshirat dhe menjëherë kërkova leje të lajmëroj princeshat. Shkova në kabinën e tyre dhe u thashë se një delegacion i shtypit danez dhe të huaj dëshironin të takoheshin me to, prandaj të rregulloheshin pak që t’i prisnim. Do të mbeteshim dakord kështu: gazetarët sigurisht do t’u bënin pyetje, unë do t’ua përktheja pyetjet e tyre dhe Myzejeni, si më e madhja e motrave, do të përgjigjej shqip. Le të thoshte ç’të donte. Unë do ta dëgjoja gjer në fund, gjoja sikur ajo po i përgjigjej asaj pyetjeje, pastaj do t’u drejtohesha gazetarëve, duke u përgjigjur ashtu siç dija unë.
Ishte e para herë që filloja nga misioni im. E quajta me vend të mos hyja menjëherë në konflikt me to. Iu luta, me të butë e me të ëmbël, të mos ua prishnim qejfin gazetarëve dhe t’i pranonim, por nuk më dëgjuan ngaqë ishin të lodhura. Atëherë u ktheva në kabinën time, ku më prisnin gazetarët, dhe u thashë, me gjithë xhentilesën dhe ëmbëlsinë që munda, se princeshat ishin të lodhura nga udhëtimi i gjatë dhe u lutesha që këtë takim ta bënin në hotel, posa të arrinin në Kopenhagë.
Po asnjërit s’i pëlqeu kjo përgjigje, shtrembëruan buzët, u vrenjtën në fytyrë dhe njëri nga përfaqësuesit e shtypit danez, më tha me buzën në gaz:
-Po të ishte që t’i takonim princeshat në Kopenhagë, s’qe nevoja që ta bënim këtë udhëtim gjer këtu në kufi, por ne duam të telefonojmë përshtypjet tona që nga stacioni më i parë. Ne kemi pritur mbretër e mbretëresha, princër e princesha, por askush nuk na ka sjellë pengesa në kryerjen e detyrës sonë...
Kjo përgjigje më dogji, se donte të thoshte me te tjera fjalë: “Eh, kush jeni ju, fundi i fundit!?”, - ndaj shpejtova t’ia pres fjalën e t’i them:
-Unë jam gazetar vetë dhe ju kuptoj më mirë se kushdo tjetër. Keni të drejtë. Po u them princeshave t’ju pranojnë menjëherë.
Shkova me vrap në kabinën e princeshave dhe u thashë të rregulloheshin si të mundnin dhe të mos bënin fjalë. (Kundërshtimi i tyre më bëri të kundërveproj prerë, por mora përgjigje lënduese. Më vonë, do ta bisedonim shtruar). Për tani bëhuni gati.
- Këtu kemi ardhur “zyrtarisht” dhe duhet ta mbledhim mendjen të mos bëjmë pas qejfit, po ashtu si e kërkon e mira e përgjithshme, që të lëmë një emër të nderuar.
Pas nja pesë minutash, hyra në kabinën e tyre me të katër përfaqësuesit e shtypit dhe me nja dy fotoreporterë.
Në emër të shtypit danez dhe të shtypit të huaj në Kopenhagë, ai që më tha ato fjalë që më dogjën, u uroi princeshave mirëseardhjen dhe shfaqi dëshirën që të mbeteshin të kënaqura nga ky udhëtim, duke u larguar me përshtypjet më të mira. Pastaj pyeti mbi qëllimin e këtij udhëtimi.
Princesha Myzejen filloi të fliste, po unë i kisha parashikuar me mendjen time të gjitha pyetjet që mund të na bënin gazetarët dhe kisha përgatitur edhe përgjigjet. Prandaj mbaj mend se u thashë:
-“Ne kemi dëgjuar dhe kemi studiuar shumë për vendin tuaj. E dimë se është një nga vendet më të përparuara të botës. Ju keni arritur përparime të jashtëzakonshme në industri, në bujqësi dhe, sidomos, në arsim. Organizimi i arsimit tuaj përmendet si një organizim shembullor. Ne jemi një shtet i vogël, që duam të shkojmë përpara në rrugën e përparimit. Prandaj kemi ardhur që t’i shohim me sy dhe t’i prekim me dorë këto përparimet tuaja të shquara. Ne duam të përfitojmë nga kultura dhe nga përvoja juaj”.
Ndërsa unë flisja, ata merrnin shënime, më dukej me stenografi, në blloqet e tyre. Nga fytyra e tyre kuptova se i kisha kënaqur, duke i ledhatuar në sedrën kombëtare.
Fotoreporterët na morën disa herë në poza të ndryshme.
Dhe vërtet në stacionin e parë gazetarët zbritën dhe u telefonuan gazetave të tyre përshkrimet dhe përshtypjet e tyre që patën nga takimi i parë në tren me princeshat e Shqipërisë.
Shkrimi u publikua sot (14.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)