Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka paralajmëruar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, për shkak të mungesës së konsensusit politik rreth zgjedhjes së presidentit të ri.
Sipas tij, procesi për përzgjedhjen e kreut të shtetit ka hyrë në një fazë të paqartë dhe të tensionuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur të nxjerrin një emër unifikues.
“Fushata për president është dashur të fillojë që një muaj më parë. Deri më tani nuk ka ndonjë emër serioz për president. Kemi edhe dy-tri ditë kohë dhe askush nuk e di si do të veprohet. Partitë politike nuk kanë konsensus. Për këtë arsye mund të ndodhë dërgimi i Kosovës në zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Kryeziu.
Ai ka komentuar edhe mundësinë e një mandati të dytë për presidenten aktuale, Vjosa Osmani. Sipas Kryeziut, ndonëse ajo i ka kryer relativisht mirë detyrat kushtetuese, nuk do të ishte e përshtatshme që të vazhdojë edhe me një mandat tjetër.Sinkron..
“Presidenti është një funksion i ngurtë dhe ajo është ende e re. Duhet të ketë perspektivë që të pozicionohet në një subjekt politik për të ndihmuar qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-i burgosur politik, ka komentuar gjithashtu procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai ka shprehur shpresën që ata të jenë “të burgosurit e fundit politikë të Kosovës” dhe që, sipas tij, të lirohen dhe të kthehen në Kosovë që nga qershori i këtij viti.
Sipas Kryeziut, një dënim eventual i katërshes së UÇK-së do të përbënte një goditje të rëndë për Kosovën.
“Nëse ata dënohen si një organizatë kriminale, siç e quan Serbia, atëherë në përfundim do të ishte shumë keq, sepse do të konsiderohej se Kosova është çliruar nga një grup i armatosur kriminal. Këtë e dëshiron Serbia. Këtë nuk e dëshiron Shqipëria dhe Amerika. Jam i bindur që Shqipëria, Kryeministri dhe SHBA do të jenë këmbëngulës që të mos ketë një përfundim të tillë”, ka theksuar ai.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 4 prill, ndërsa afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri është 4 marsi. Nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin të zgjedhë kreun e shtetit brenda këtij afati, vendi detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.
Komente








