VLORE - Zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, Henri Zhardin ka dënuar ashpër sulmin me acid ndaj gjyqtares së Vlorës. Gjatë një seminari të organizuar me përfaqësues të policisë, gjykatës dhe Prokurorisë së Vlorës, zëvendësambasadori deklaroi se përballë këtyre ngjarjeve drejtësia shqiptare shpeshherë ndihet e kërcënuar.

“Mendoj se kemi parë dhe shembuj më konkret si sulmi ndaj gjykatëses i cili ishte për të ardhur keq, rast të cilin ne e kemi dënuar. Kemi parë që shumë zyrtarë të drejtësisë janë në vijë të parë të frontit dhe luftës dhe do të shpresonim që qeveria e Shteteve të Bashkuara të ketë mundësira ku mund të ndihmojë në këtë drejtim, pasi edhe ky trajnim këtë qëllim kishte në fokus. Ka realisht sfida dhe rreziqe të shumta për drejtësinë shqiptare dhe shpresa jonë ndoshta dhe me disa gjëra që u mësuan sot në seminar do ndihmojë të kalohen këto pengesa”, deklaroi zv/ambasadori.

Zhardin preku edhe çështjen e vrasjes së gjykatësit Konomi, për të cilën ai tha se qeveria amerikane ka dhënë kontribut në hetimin e kësaj çështjeje.

“Dua t’ju siguroj se qeveria amerikane ka dhënë kontribut në vite në drejtim të hetimit të proceseve gjyqësore ashtu si edhe për këtë rast. Një nga këto është grupimi i përbashkët hetimor, i cili funksionon në Vlorë prej 3 vjetësh, ndërmjet Prokurorisë dhe organeve të tjera, ku prokurorë, gjykatës dhe efektivë të policisë, ndihmojnë në raste të tilla.

Zhardin ishte i pranishëm në seminarin me temë “Lufta kundër korrupsionit gjyqësor dhe politik”, ku u trajnuan gjykatës, prokurorë dhe efektivë të policisë së Vlorës. Në këtë seminar, ishte instruktor zëvendësprokurori i Përgjithshëm amerikan Peter Ainsworth, i cili kishte një rol aktiv në trajnimin e disa pjesëtarëve të trupës gjyqësore Vlorë dhe disa prej prokurorëve të këtij rrethi.

Redaksia online
(Gre.m/v.gj/shqiptarja.com)