Në datën 2 tetor 2026, Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, mori pjesë në Konferencën e 10-të të Bankave Qendrore të Mesdheut me temë: “Monedhat digjitale, pagesat dhe menaxhimi i rezervave: Ndikimet për bankat qendrore të Mesdheut”, e zhvilluar në Tarragona, Spanjë.
Konferenca u organizua nga Banka e Spanjës, në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Institutin Evropian të Mesdheut (IEMed) dhe Unionin për Mesdheun (UfM). Në të morën pjesë drejtues të lartë të bankave qendrore nga Shqipëria, Algjeria, Bosnje dhe Hercegovina, Kroacia, Qiproja, Sllovenia, Spanja, Franca, Greqia, Malta, Maroku, Mali i Zi dhe Portugalia. Gjithashtu, konferenca mblodhi edhe studiues të institucioneve akademike, si dhe ekspertë e përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare.
Diskutimet u fokusuan në sfidat dhe ndryshimet që po ndikojnë sistemin monetar dhe financiar ndërkombëtar, veçanërisht në kushtet e rritjes së tensioneve gjeopolitike dhe transformimit teknologjik.
Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj, ishte e ftuar të drejtonte Sesionin e dytë të konferencës me temë: “Pagesat dhe remitancat: sistemet aktuale dhe perspektivat e së ardhmes”. Në këtë sesion u diskutua rëndësia e remitancave për ekonomitë mesdhetare dhe ndikimi i tyre në sistemin financiar e bankar. Në fokus ishin gjithashtu kostot e remitancave, si dhe mënyrat për nxitjen e përdorimit të kanaleve formale të transfertave. Në ndërhyrjen e saj, Zaçaj theksoi progresin e bërë sipas saj ndër vite nga Banka e Shqipërisë në modernizimin e sistemeve të pagesave dhe në përafrimin e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian.
Duke u ndalur në rastin e Shqipërisë, ajo veçoi faktin se remitancat përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për shumë familje. Megjithatë, zhvillimet e fundit në fushën e teknologjisë digjitale, e kryesisht ato që lidhen me modernizimin e sistemeve të pagesave, po riorganizojnë mënyrën se si paraja cash lëviz përtej kufijve. Në këtë kuadër, roli i bankave qendrore merr një rëndësi të veçantë, pasi nëpërmjet modernizimit të sistemeve të pagesave, uljes së kostove të transfertave, ato mund të nxisin përdorimin e kanaleve formale nga emigrantët për dërgimin e remitancave.
Lidhur me modernizimin e sistemit të pagesave në Shqipëri Zaçaj nënvizoi rëndësinë e reformave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë si një element kyç për rritjen e përfshirjes financiare dhe integrimin evropian të vendit. Ajo veçoi anëtarësimin e Shqipërisë në SEPA, jo vetëm si një arritje historike për integrimin financiar të vendit, por edhe si një hap të rëndësishëm drejt uljes së kostove dhe kohës së transfertave, rritjes së përdorimit të kanaleve digjitale dhe formale të pagesave, si dhe nxitjes së emigrantëve për të përdorur kanalet financiare formale për dërgimin e remitancave pranë familjeve të tyre.
Ajo shtoi se një tjetër fazë e rëndësishme në fushën e modernizimit të infrastrukturës së pagesave në Shqipëri është zbatimi i projektit TIPS Clone, i cili synon krijimin e një platforme kombëtare për pagesa të shpejta, të përputhshme me standardet evropiane, në kohë reale, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, duke krijuar kushte për zhvillimin e mëtejshëm të pagesave të shpejta të pagesave ndërkufitare.
Lidhur me përfitimet ekonomike të TIPS Clone, Zëvendësguvernatorja Zaçaj u shpreh se sipas një studimi të përbashkët të Bankës Botërore dhe Bankës së Shqipërisë, përdorimi i pagesave elektronike, i mbështetur nga infrastruktura e pagesave të menjëhershme, mund të gjenerojë deri në 38.7 miliardë lekë kursime në vit, ose rreth 1.5% të PBB-së. Ndërkohë, zëvendësimi i gjysmës së pagesave të faturave me para në dorë me pagesa elektronike mund t’u kursejë konsumatorëve mbi 500 milionë lekë dhe bizneseve rreth 1 miliard lekë në vit.
Në mbyllje të sesionit, Zaçaj theksoi se reformat e ndërmarra për modernizimin e sistemeve të pagesave duke u shoqëruar me rritjen e edukimit financiar, synojnë ta bëjnë përdorimin e kanaleve zyrtare financiare zgjedhjen më të përshtatshme për të gjithë konsumatorët, duke kontribuuar në formalizimin e ekonomisë, përfshirjen financiare dhe integrimin më të madh të Shqipërisë në sistemin evropian të pagesave.











Komente
Komento