ZVICËR- Një shqiptar ka arritur të shpëtojë një pilot zvicerian i cili rrezikonte të digjej nga rrëzimi i avionit të tij të vogël në komunën Muhen të kantonit Aargau të Zvicrës mesditën e së djelës. Pas rrëzimit, avioni është përplasur me një makinë por kjo nuk ka shkaktuar lëndime në rënda as për pilotin as për drejtuesen e makinës. Mbi vendin ku u rrëzua avioni të dielën në mesditë dukeshin re të mëdha tymi, raportojnë mediat zvicerane.

Sipas portalit “20minuten” ishte shqiptari Zeqir Rexhaj nga qyteti Eohlen, i cili e tërhoqi pilotin nga avioni që po digjej. Pa ndihmën e tij piloti ndoshta nuk do të kishte mbijetuar, shkruan DialogPlus. Rexhaj ka treguar se ishte duke shkuar nga puna në shtëpi, kur ndodhi tragjedia. “Befas në anën e djathtë pashë një avion duke fluturuar shumë ulët. M’u duk e çuditshme, sepse aty afër nuk ka pistë”, tha ai.

Gjatë rrëzimit avioni u përplas me një veturë, duke e rrokullisur atë. “E ndala menjëherë veturën dhe vrapova te vendi i aksidentit. Pasi pashë që avioni po digjej dhe gruaja në veturë nuk ishte drejtpërdrejtë në rrezik, vendosa t’i ndihmoj pilotit”. Rexhaj ka treguar se piloti nuk kishte më forcë të dilte nga avioni dhe flakët kishin përfshirë edhe trupin e tij. “Unë thjesht reagova dhe e kapa për koke duke e tërhequr nga avioni”, tha Rexhaj.
Ai shpreson se në ditët në vijim do ta vizitojë në spital pilotin e lënduar rëndë.

Redaksia online
(s.m/shqiptarja,com)