Zvicra është drejt zgjatjes së pranisë së saj ushtarake në Kosovë edhe për 3 vite të tjera. Këshilli i Shteteve miratoi me shumicë votash vendimin për ta vazhduar misionin e kontingjentit Swisscoy deri në fund të vitit 2029.

Vendimi u miratua me 37 vota pro, 2 kundër dhe 4 abstenime. Tani pritet që çështja të kalojë për votim edhe në Këshillin Kombëtar, dhoma tjetër e parlamentit zviceran.

Ushtarët zviceranë janë pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që nga tetori i vitit 1999. Aktualisht numri maksimal i trupave zvicerane në këtë mision është 215 dhe mandati i tyre skadon në fund të vitit 2026.

Qeveria zvicerane kërkon që ky mandat të zgjatet deri në vitin 2029, duke mbajtur të njëjtin numër ushtarësh. Megjithatë, ajo kërkon edhe mundësinë që numri i trupave të rritet deri në 30 persona shtesë në rast se situata e sigurisë përkeqësohet dhe KFOR kërkon përforcime.

Ministri i Mbrojtjes Martin Pfister tha se aktualisht situata në Kosovë është e qetë, por mbetet e brishtë, sidomos në veri të vendit ku tensionet mes komuniteteve vazhdojnë.

Sipas tij, incidentet e rënda të sigurisë në vitin 2023 e shtynë NATO-n që ta përforcojë dy herë praninë e KFOR-it në Kosovë. Aleanca dhe vendet pjesëmarrëse mendojnë se misioni duhet të vazhdojë derisa marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të normalizohen.

Për mbajtjen e deri në 215 ushtarëve zviceranë në Kosovë parashikohet një buxhet prej rreth 48.9 milionë frangash zvicerane. Nëse do të kërkohej rritje e trupave, kostot shtesë do të mbuloheshin nga buxheti i Departamentit zviceran të Mbrojtjes.