Zv.ministri i Brendshëm: Bombat molotov u shpërndanë nga një plan kriminal /PD: Sajesë e neveritshme

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, në një deklaratë për mediat 1 orë e gjysmë para nisjes së protestës së opozitës, tha se ka sinjale se do të jetë sërish i njëjti skenar si të shtunën pasdite kur u hodhën bomba molotov, fishekzjarrë dhe sende të forta ndaj policisë. Ministria e Brendshme i bën thirrje qytetarëve të distancohen nga këto grupime që Lamallari i quajti kriminalë, dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit.

Lamallari tha se qindra bomba molotov janë shpërndarë sipas një plani kriminal dhe janë hedhur drejtpërdrejt mbi punonjësit e policisë në detyrë. Ai theksoi se policia dhe prokuroria janë nisur hetime për organizatorët e këture akteve kriminale.

Sipas tij policia u tregua profesionale dhe se përdorimi i gazit lotsjellës është i ligjshëm jo vetëm në Shqipëri por në çdo vend demokratik. Zëvendësministri tha se dënon lëvizjen e organizatorëve nga kryeministria, tek parlamenti e më tej tek Drejtoria e Policisë së Tiranës, pa lajmërim dhe pa leje për tubimin, çka bëri që nga gazi të preken edhe qytetarë që nuk kishin lidhje me protestën.

Deklaratë e zv.ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari: 

Ministria e Brendshme dënon ashpër sulmet e rrezikshme për jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë tubimit të dhunshëm të 11 majit. Qindra bomba molotov të prodhuara dhe shpërndara sipas një plani kriminal, janë hedhur drejtpërdrejtë, me intensitet të lartë mbi punonjësit e policisë, në krye të detyrës. 

Veç bombave molotov, mbi forcat e rendit janë hedhur horizontalisht bateri të tëra me fishekzjarrë të ndaluar të kalibrit të lartë, nga një distancë shumë e afërt.  Megjithatë Policia e Shtetit u tregua profesionale, ashtu si në manifestimet e kaluara, dhe nuk arriti për asnjë moment limitet e reagimit të ligjshëm. 

Përdorimi i gazit lotsjellës është vetëm një nga mjetet e ligjshme në dispozicion të Policisë së Shtetit. Ai është mjeti i parë që përdorin forcat policore të çdo vendi demokratik, në përballjet me turmat e dhunshme. Përballë qindra bombave molotov të hedhura mbi Policinë duke rrezikuar jetën e punonjësve të saj, nuk mund të ketë asnjë pikëpyetje mbi përdorimin ose jo të këtij mjeti. Ajo për të cilën jemi të shqetësuar është afektimi edhe për disa minuta i qytetarëve, të papërfshirë në tubim, nga gazi lotsjellës.

Dënojmë me ashpërsi aktin e organizatorëve të tubimit të dhunshëm, për devijimin e tij nga Bulevardi drejt zonave të populluara, duke afektuar kështu dhe qytetarë që nuk kishin lidhje me tubimin. Sipas deklaratave mediatike rezulton se organizatorët e dhunës planifikojnë të përsërisin atë edhe sot. 

Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, të distancohen nga këto grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit. Policia e Shtetit, në bashkëpunim Prokurorinë dhe Agjencitë e tjera ligj zbatuese janë në ndjekje dhe po hetojnë të gjithë mekanizmin e ideimit, organizimit dhe ekzekutimit të këtyre akteve kriminale. Të gjithë autorët, pa dallim, do të përballen me Forcën e Ligjit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:13
Bardhi: Dhuna nuk është mjeti jonë, të identifikohen ata që sulmuan Borchardt

Kur ka mbetur më pak se një orë nga nisja e protestës së opozitës, sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi ka deklaruar se protesta e tyre do jetë paqësore. Ai tha se PD ka dënuar dhunën edhe gjatë protestës së 11 Majit.

Lidhur me sulmin ndaj ambasadorit të OSBE-së në Tiranë Bernd Bernd Borchardt, Bardhi tha se PD nuk është përgjegjëse, madje kërkon të identifikohen autorët.

Ndërkohë një ditë më parë lideri i opozitës Lulzim Basha deklaroi se nuk kishte asnjë koment ndaj Bochardt.

"Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Ministrisë së Brendshme si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit.
 
Qeveria që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike. Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se Partia Demokratike ka prodhuar dhe ka shpërndarë bomba molotov për protestën e sotme janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët. Partia Demokratike ka thirrur sot një marshim proteste të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa. 

I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e vlerave europiane dhe euroatlantike, ajo ka refuzuar dhe refuzon dhunën dhe bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet.  Është e dënueshme çdo përpjekje propagandistike e qeverisë për ta kundërvënë Partinë Demokratike me partnerët tanë, si në rastin e mbishkrimeve në banesën e ambasadorit të OSBE-së. Ne i kërkojmë prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata përpara përgjegjësisë.
 
Dhuna është mjeti kryesor me të cilin Rama mban pushtetin, duke goditur qytetarët e pambrojtur. Është Edi Rama ai që nxorri me gaz lotsjellës nga shtëpitë banorët tek bregu i Lumit, që kërcënon banorët e Astirt me shkatërrimin e shtëpive, që ka futur në burgje mbi 10 mijë qytetarë që nuk paguajnë dot energjinë elektrike, që u ka hequr bukën e gojës mijëra të tjerëve. Ky është zemërimi në rritje i mijëra e mijëra qytetarëve të tjerë, të poshtëruar e të dhunuar nga regjimi I Edi Ranës.
 
Partia Demokratike është e vendosur të mos bëjë asnjë hap prapa për të drejtën themelore politike të njerëzve të lirë, votën e lirë, të pandikuar nga krimi dhe korrupsioni, njësoj siç ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani, Francë, Gjermani, Itali dhe kudo.
 
Protestat tona i shërbejnë vetëm këtij qëllimi. Ne jemi distancuar nga dhuna dhe e kemi dënuar atë që gjatë protestës së 11 Majit. Mediat kanë transmetuar live thirrjen e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për protestuesit, që të mos cënojnë asnjë polic në krye të detyrës.  
 
Skenarët kriminlaë të Edi Ramës, pengimi i së drejtës për të protestuar për opozitës dhuna dhe terrori mbi protestuesit nuk kanë për të na ndalur. Beteja jonë është për Shqipërinë si gjithë Europa, prandaj ne kemi mbështetjen e shumicës së shqiptarëve të ndershëm"
, u shpreh Bardhi.

G.M./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg