Zëvendësministri i Turizmit, Hajrullah Çeku në një intervistë për "Report Tv" ka folur mbi sezonin turistik në vend. Sipas tij, në vend ka një rritje të ndjeshme prej 17.5% të turistëve të huaj, të cilët nuk preferojnë më vetëm bregdetin por edhe zonat kulturore në vend.
Intervista e plotë:
1. Me çfarë note mund ta vlerësojmë këtë sezoni turistik?
Kemi disa parametra matës për të vlerësuar ecurinë e sezonit. Nga fillimi i këtij viti kemi funksionuar me dy nivele të mobilizimit institucional: task forcën qëndrore të ngritur me urdhër të kryeministrit ku bëjnë pjesë institucionet e nivelit qendror dhe Komitetet rajonale të turizmit nën udhëheqien e 12 prefektëve.
Jemi munduar që të sigurojmë bashkëpunim efektiv mes institucioneve. Deri më tani ky mekanizëm ka funksionuar mjaft mirë. Në raport me statistikat edhe pse nuk kemi një matje shumë të saktë kemi një rritje prej 17.5% të turistëve të huaj.
Por na nevojitet ende shumë punë për të thënë që turizmi në Shqipëri është i një niveli të lartë.
2. Nga të dhënat e deritanishme cili është destinacioni i preferuar?
Deri tani nga të dhënat e përgjithshme rezulton se Shqipëria nuk vizitohen vetëm për bregdetin por turistët zhvendosen edhe në pjesë të brendshme të territorit. Kjo do të thotë që ne diversifikojmë ofertën tonë.
3. Cilat janë sektorët që meritojnë më shumë vëmendje?
Po i referohem Strategjisë Kombëtare të Turizmit, kemi nxjerrë problematikat, të cilat i kemi shndërruar në objektiva. I parë është diversifikimi i ofertës dhe produktit ku edhe pse ka rritje prapë ka hapësirë për përmirësim.
I dyti lidhet me cilësinë e shërbimeve që buron nga menaxhimi. Duhet të punojmë shumë fort për të konsoliduar shkollat profesionale në mënyrë që të kemi një shërbim të lartë. E treta lidhet me promovimin, nëse ju sot bëni një search për Shqipërinë turistike në internet, rezultatet lidhen me imazhe dhe foto të bregdetit. Kemi mangësi të madhe për të promovuar edhe pjesën tjetër. Dy pikat e tjera lidhen me investimet publike dhe private. Sa i përket investimeve publike, ne nuk kemi mbërritur në pikën që ministritë përkatëse t’i çojnë investimet e tyre në zonat me përparësi të turizmit. Po ashtu edhe me investimet private. Por ende jemi në pritje.
E fundit është nevoja për koordinim shumë të mirë mes institucioneve. Duhet ta kuptojmë bashkë që turizmi në vendet ku funksionon është rezultat bashkëpunimi.
4. Flasim për foton që bëri xhiron e rrjetit, fatura e 800 mijë lekëve për një omëlete? Çfarë është bërë për të ndalur abuzimet me çmimet?
Kontrollet sivjet kanë filluar që në tremujorin e parë, tani kemi inspektime të rregullta për shumë aspekte që kanë të bëjnë më cilësinë e turizmit. Ato raste janë vetëm përjashtime. Ne duhet të jemi të kujdesshëm në mëyrën se si i interpretojmë. Jemi të lumtur që turizmi ofron një farë varieteti për çmimet. Nuk përjashtohet askush. Gjithsesi kemi nevojë për angazhim më të madh. Bashkitë janë të obliguara për të lënë bosh 20% të plazheve në mënyrë që qytetarët të mos detyrohen të paguajnë. Edhe Drejtoria e Tatimeve ka qenë shumë rigoroze me informalitetin. Kemi pasur edhe disa raste për mbyllen e institucioneve që kanë shkelje.
5. Sa i përket rojeve të plazhit?
Ne shohim një gatishmëri në rritje nga ana e Bashkive për t’i konsoliduar masat e sigurisë. Gjithë vija bregdetare ka rreth 140 kulla vrojtimi. Për herë të parë në Shqipëri ka një sistem të tërë por ky numër nuk tregon gjithçka pasi vetëm 70% e kullave kanë personel. Kemi kujtuar dhe kemi bërë presjon vazhdimisht ndaj Bashkive për t’u kujdesur për këtë kusht sigurie. Unë besoj se deri në fund do të kemi një numër më të lartë kullash. Jam optimist që ky do të jetë viti i fundit që do të flitet për problemin e kullave.
Po keni shitur dhe detin 10000 leke shezllongu Ska pellembe te lire Mafia e zenjes plazheve
Përgjigju