Nga zyrat e reja të pritjes së pensionistëve, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erjon Veliaj shpërndanë për të moshuarit mes tyre edhe ish-ushtarakë, pensione të llogaritura sipas skemës së re.
Rama e quajti vlerësim ndaj kontributit që ata kanë dhënë për vendin, shërbimin cilësor që do të ofrojnë zyrat e reja të pritjes. “Nuk do të rrinë më në radhë qumështi dhe të shtyhen”, theksoi Rama.
Ndërsa ministri Veliaj, veçoi pensionet e ish-ushtarakëve ku tha se këtë vit për herë të parë ata marrin pensione me mbi 300 mijë lekë.
“Për herë të parë në këtë vit po mbajmë disa premtime. Disa ish-ushtarakë do të marrin për herë të parë pensione mbi 300 mijë lekë, vitet e tyre po shpërblehen realisht. Rreth 100 mijë lekë më shumë sesa pensioni tavan që kishim vitin e kaluar”, tha Veliaj.
Rama: I japim pensionistëve respektin që meritojnë, ky vetëm hapi i parë
Sipas skemës së re me heqjen e tavanit të pensioneve, të moshuarit do të shpërblehen në varësi të kontributeve që kanë derdhur përgjatë viteve të punës. Kjo sipas kryeministrit, shënon hapin më të rëndësishëm të transformimit të vendit, ku gjithkush siç tha Rama, shpërblehet për atë që ka kontribuuar. Fjala e Kryeministrit Rama në përurimin e zyrës së rikonstruktuar të ISSH-së për Tiranën
“Pensionistët meritojnë të begenisen në mënyrë të edukuar, qytetare, në mënyrë që sidoqoftë dhe sadoqofshin problemet e jetës së tyre të përditshme në kontaktin me shtetin të ndihen të respektuar për atë që kanë bërë në vite për këtë vend. Ky është vetëm hapi i parë, në këtë mjedis shërbehen rreth 100 mijë pensionistë gjatë vitit, por do të sjellë hapa të tjerë në mënyrë që zyrat e pensionit të mos jenë strofulla të errëta pisllëku, por mjedise të pastra ku reflektohet mirësi, edukatë dhe ku reflektohet vetëdije për shërbimin publik. Është rasti për të ripërsëritur se reforma e pensioneve është një nga gjërat më të rëndësishme, në transformimin e Shqipërisë në një shtet ku secili kontribuon sipas mundësisë dhe shpërblehet sipas kontributit. Duke hequr tavanin e pensioneve maksimale ne çelëm një horizont të ri mundësish për njerëzit që punojnë duke i dhënë një perspektivë të re, e cila sot është e mundur sepse nuk ka më tavan. Gjithkush vendos për pensionin që dëshiron të ketë dhe përcakton me kontributet e tij nivelin e pensionit që merr. Sot të gjitha llogaritë na bëjnë krenar që një reformë të vonuar 20 vjet e realizuam dhe të gjithë përfitojnë një pension më të lartë falë kësaj reforme. Vetëm në 2015 kemi bërë një sevap shumë të madh si shoqëri për 5 mijë pensionistë, të moshuar që përndryshe nuk do të merrnin asnjë qindarkë, të cilët falë reformës marrin pensionin social, i cili do të jetë i garantuar në vijimësi për të gjithë ata që nuk kanë kontribute në sigurimet shoqërore”, u shpreh Rama.