POGRADEC - Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përuruan sot në Pogradec, Zyrën e Shërbimit Unik për qytetarët. Kjo zyrë përmbledh në një sportel të vetëm të gjitha shërbimet që policia e Shtetit u ofron qytetarëve.
Në ambientet e saj, Kryeministri u shoh me shërbimet që sporteli unik ofron. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë të Qarkut Korçë  Edmond Targaj bëri një përshkrim të aktivitetit të zyrës. "Aktualisht shërben në dy fusha; ankesat dhe krimet administrative, por edhe për çështjet penale, kallëzimet. Deri më sot është bërë në kushte jo të përshtatshme."
Ministri Tahiri u shpreh se Zyra e Shërbimit Unik garanton një shërbim cilësor ndaj qytetarëve, por edhe eliminon praktikat abuzimeve dhe korruptive të punonjësve të policisë.
Viti 2015, tha Tahiri, është viti i modernizimit teknologjik, modernizimit infrastrukturor, por edhe i ndryshimit të mentalitetit të punonjësve të Policisë së Shtetit në shërbimin ndaj qytetarëve.
"Zyrat e shërbimit qytetar janë një prioritet yni për të garantuar shërbime cilësore ndaj qytetarëve. Kjo nuk është e vetmja, gjatë vitit 2014 kemi hapur një sërë zyrash të tilla në disa qytete të Shqipërisë, por ne do të vijojmë me modernizimin teknologjik, me modernizimin infrastrukturor dhe me modernizimin e shërbimeve të Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve, si e vetmja rrugë për të dhënë shërbime cilësore ndaj qytetarëve, por edhe për të luftuar bashkë korrupsionin brenda policisë së shtetit dhe kriminalitetin e paligjshmërinë në tërësi," - u shpreh ministri Tahiri.
Shërbimi cilësor ndaj qytetarëve, nënvizoi ministri i Brendshëm, është e vetmja rrugë për të rritur besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit./ATSH/