TIRANË- Dy zyrat ligjore Kasowitz LLP me seli në Nju Jork dhe Mishcon de Reya LLP me seli në Londër, që përfaqësojnë Erion Veliajn, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kanë publikuar një raport të ri lidhur me arrestimin e tij. Raporti i dytë i publikuar nga zyrat ligjore ndërkombëtare e cilëson mbajtjen e Veliajt në paraburgim si persekutim politik, duke theksuar se kryebashkiaku mbahet në paraburgim, ndonëse nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, dhe as paraqet rrezik për të penguar çështjen e SPAK-ut.
"Nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë rrezik që Veliaj të arratisej në një juridiksion të huaj. Bashkëshortja e tij, djali shtatëvjeçar dhe nëna e moshuar jetojnë në Tiranë. Miqtë, komuniteti dhe kolegët e tij janë të gjithë të bazuar në Shqipëri. Veliaj e ka ndërtuar të gjithë karrierën dhe jetesën e tij në Shqipëri. Të gjitha pasuritë dhe pronat e tij ndodhen në Shqipëri. Ai kishte çdo arsye për të qëndruar në vend, për të mbrojtur veten dhe për të rikthyer karrierën e suksesshme që u ndërpre nga hetimi i SPAK-ut.
Madje, edhe sikur Veliaj të tentonte të largohej nga Shqipëria – një gjë pothuajse e pamundur për shkak të profilit të tij publik dhe vëmendjes së madhe mediatike që e shoqëron çështjen – ai nuk dispononte asnjë pasuri jashtë vendit që do t’i mundësonte mbajtjen e vetes dhe familjes në një shtet të huaj", thuhet në raport.
Në raport thuhet se rreziku që Veliaj të pengojë hetimet e SPAK është inekzistent pasi tashmë hetimi ka përfunduar dhe çështja është dërguar për gjykim.
“Rreziku që kryebashkiaku Veliaj të pengonte apo të ndërhynte në hetimin e SPAK-ut ka qenë gjithmonë i ulët dhe sot është praktikisht inekzistent, pasi hetimi tashmë është përfunduar. Që nga fillimi i këtij procesi, Veliaj ka bashkëpunuar plotësisht me SPAK-un dhe do të kishte vazhduar ta bënte këtë edhe nëse do të ishte liruar. Për shkak të vëmendjes së madhe mediatike që ka marrë çështja e tij, çdo përpjekje e mundshme për të penguar hetimin apo për të ndikuar te dëshmitarët dhe provat do të kishte shkaktuar raportime të pandërprera në media, do ta ekspozonte ndaj kritikave të forta publike dhe do të ishte krejtësisht në kundërshtim me interesat e tij personale”, theksohet në raport.
Në raport shprehet edhe shqetësimi se çështja ndaj Veliajt është një persekutim për ta eliminuar politikisht atë. Raporti thotë se Veliaj i plotësonte kriteret për tu liruar, por Gjykatat ia kanë refuzuar kërkesë për lirim, duke shtuar se kryebashkiaku është i vetmi nga 18 personat në hetim që mbahet në qeli. Raporti nënvizon se "fakti që kryetari në detyrë i kryeqytetit të Shqipërisë mbahet i ndaluar për një kohë të pacaktuar, pa paraqitur asnjë rrezik arratisjeje apo kërcënimi për komunitetin, përbën shkelje të të gjitha parimeve të njohura të procesit të rregullt ligjor, drejtësisë themelore dhe shtetit të së drejtës."
“Veliaj i plotësonte lehtësisht kriteret për t’u liruar. Megjithatë, gjykata në shkurt e refuzoi menjëherë kërkesën e tij dhe gjykatat e apelit më pas e hodhën poshtë gjithashtu kërkesën për lirim. Në mënyrë befasuese, nga 18 të pandehurit e përfshirë në çështjen e “korrupsionit pasiv” të SPAK-ut, Veliaj është i vetmi të cilit iu refuzua kërkesa për lirim me kusht. 17 të tjerët janë lënë të lirë me kushte minimale. Si rrjedhojë, për tetë muajt e fundit, kryebashkiaku Veliaj ka mbetur në paraburgim”, thuhet në raport.
Raporti thekson se paraburgimi i pajustifikuar i Veliajt ka shërbyer si pretekst për ta larguar atë nga detyra në mënyrë antikushtetuese. Po ashtu thuhet se e veprimet nga Këshilli Bashkiak deri te shpallja e zgjedhjeve nga Presidenti krijuan përshtypjen se paraburgimi i pajustifikuar i kryebashkiakut Veliaj u shfrytëzua nga autoritetet shqiptare që t’u mohojnë qytetarëve të Tiranës të drejtën e vetëqeverisjes. Ndërsa ngrihen edhe dyshime se çështja ndaj Veliajt është përdorur edhe për motive politike.
“Ngjarjet e fundit politike e bëjnë të qartë se çështja e SPAK-ut dhe paraburgimi i pajustifikuar i Veliajt gjatë tetë muajve të fundit, ka shërbyer si pretekst për ta shkarkuar në mënyrë antikushtetuese nga posti i kryetarit të zgjedhur të Tiranës. Që prej arrestimit të tij në shkurt 2025, veprimet e autoriteteve shqiptare kanë bërë gjithnjë e më të qartë se çështja ndaj Veliajt nuk është një ndjekje penale e zakonshme. Paraburgimi i tij i zgjatur dhe me karakter ndëshkues, që tani po hyn në muajin e nëntë, i ka hequr praktikisht mundësinë për të qeverisur, për të bërë fushatë dhe për të ushtruar detyrat e tij si kryetar bashkie”, thuhet në raport.
Raporti thotë se Këshilli Bashkiak krijoi artificialisht një “mungesë” nga detyra për ta përdorur si justifikim për shkarkimin e tij politikisht të motivuar. Në raport kërkohet po ashtu lirimi i Veliajt, i cili mbahet në qeli që prej 10 shkurtit, ndërsa sot u shty edhe senaca paraprake në GJKKO, pasi Veliaj kishte ndërruar avokat, i cili kërkoi kohë që të njihej me aktet.
Më poshtë, deklarata e plotë e studiove ligjore Kasowitz dhe Mishcon de Reya:
Kasowitz LLP (Nju Jork) dhe Mishcon de Reya LLP (Londër) njoftuan sot publikimin e një Raporti të përditësuar Veliaj, me titull “Raport lidhur me përndjekjen politike të Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës.” Ky raport përditëson “Raportin lidhur me ndalimin e padrejtë nga SPAK të një Kryetari Bashkie të zgjedhur në mënyrë demokratike në kryeqytetin e Shqipërisë: Erion Veliaj”, të cilin studiot ligjore e kishin publikuar më 24 qershor 2025.
Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton motivimet e dukshme dhe të papërshtatshme politike që qëndrojnë në themel të çështjes së SPAK-ut ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas raportit, në harkun e tetë muajve, ngjarje kyçe kanë krijuar përshtypjen e pamohueshme se hetimi penal ndaj Veliajt nga SPAK-u nuk është një hetim i zakonshëm. Kryebashkiaku Veliaj mbahet në paraburgim që prej muajit shkurt, pavarësisht faktit se ai nuk paraqet rrezik për t’u arratisur, rrezik për të penguar çështjen e SPAK-ut, apo rrezik për të ripërsëritur veprat e supozuara për të cilat akuzohet. Sipas raportit, fakti që kryebashkiakut Veliaj iu mohua lirimi me kusht - ndërkohë që 17 nga të pandehurit e tjerë, të akuzuar në të njëjtën çështje u lanë të lirë me kushte minimale - ilustron pabarazinë e theksuar në mënyrën si është trajtuar ai nga autoritetet shqiptare.
Për më tepër, Raporti i Përditësuar Veliaj vëren se zhvillimet e fundit politike kanë shtuar shqetësimin se çështja e kryebashkiakut Veliaj është një përndjekje politike e hartuar për t’a hequr atë, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, nga posti i fituar në mënyrë të rregullt si Kryetar i Bashkisë. Në shtator, Këshilli Bashkiak i Tiranës - duke cituar paraburgimin e pavullnetshëm të kryebashkiakut Veliaj - e shkarkoi atë nga detyra. Siç vë në dukje raporti, ky vendim, i pasuar nga një njoftim i Presidentit të Republikës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për të zëvendësuar kryebashkiakun Veliaj, krijoi përshtypjen se paraburgimi i pajustifikuar i kryebashkiakut Veliaj ka shërbyer si pretekst mbi të cilin autoritetet shqiptare të përpiqen t’a largojnë në mënyrë antikushtetuese nga detyra dhe t’u mohojnë qytetarëve të Tiranës të drejtën e vetëqeverisjes. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese ka pezulluar, për momentin, çdo veprim të tillë deri sa të vendoset mbi ankimin e kryebashkiakut Veliaj, i cili kundërshton vendimin e Këshillit Bashkiak, Raporti i Përditësuar Veliaj shqyrton pasojat e kësaj krize kushtetuese. Një nga vëzhgimet e raportit është se çështja e kryebashkiakut Veliaj përbën një shembull të qartë ku vihet në pikëpyetje angazhimi i Shqipërisë ndaj procesit të rregullt ligjor. Sipas raportit, manovrat e fundit politike të ndërmarra për ta larguar nga detyra kanë cenuar prezumimin e pafajësisë, që kryebashkiakut Veliaj i takon, dhe e kanë privuar atë nga liria dhe detyra - të gjitha këto, përpara se gjyqi i tij të nisë.

Kliko këtu për të lexuar raportin e plotë
Komente









A ka me gjë qesharake që një person ( aq më tepër një ish politikan) të përfaqësohet nga firma avokatie të huaja. Mirë që inxhinierë, arkitektë, mjekë të hajrit nuk paska ky vend po as avokat jo? Tani lind pyetja, si mundet një avokat i huaj të ushtrojë aktivitetin e tij në Shqipëri? A nuk duhet ky person të jetë i liçensuar nga autoritetet vendase për të ushtruar një punë të tillë. Nga i njeh ai person ligjet dhe kushtetuten e Shqipërisë nqs nuk është diplomuar në Shqipëri?
Përgjigju