Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Albion Rrahmani, ka kompletuar zyrtarisht transferimin e tij në Serie A, duke iu bashkuar klubit të Venezias nga Sparta e Pragës. Klubi italian konfirmoi marrëveshjen përmes një njoftimi zyrtar, duke bërë të ditur se Rrahmani ka firmosur kontratë deri më 30 qershor 2029.

Venezia FC njofton transferimin e përhershëm të sulmuesit Albion Rrahmani nga Sparta e Pragës. Sulmuesi shqiptar ka nënshkruar kontratë me klubin deri më 30 qershor 2029”, thuhet në komunikatën e klubit.

Pas prezantimit, 25-vjeçari shprehu entuziazmin për kapitullin e ri në karrierën e tij, duke vlerësuar projektin ambicioz të klubit italian.

“Venezia është një klub me histori të pasur dhe një vizion shumë ambicioz për të ardhmen. Pas bisedave që zhvilluam, mbeta vërtet i impresionuar nga projekti dhe objektivat e klubit”, deklaroi Rrahmani.

Ai shtoi se përfaqësimi i një qyteti si Venezia dhe mbështetja e tifozëve janë motivim i madh për të.

“Të përfaqësosh një qytet kaq unik dhe prestigjioz, i mbështetur nga tifozë kaq të apasionuar, është një motivim i jashtëzakonshëm. Do të jap gjithmonë maksimumin dhe së bashku me bashkëlojtarët, do të luftojmë në çdo ndeshje për të arritur objektivat dhe për t’i bërë tifozët krenarë”, u shpreh sulmuesi.

Sipas raportimeve, transferimi i Rrahmanit i ka kushtuar Venezias rreth 7.5 milionë euro, duke e bërë këtë një nga lëvizjet më të rëndësishme të verës për klubin italian dhe një hap të madh në karrierën e sulmuesit.