ANGLI - Klubi i Liverpoolit ka zyrtarizuar emërimin e Andoni Iraolës si trajnerin e ri të skuadrës për një periudhë 2-vjeçare. Strategu spanjoll do të zëvendësojë holandezin Arne Slot, i cili u shkarkua nga të kuqtë të shtunën e kaluar.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, klubi nga “Anfield” konfirmoi marrëveshjen me 43-vjeçarin, i cili vjen pas një periudhe shumë të suksesshme te Bournemouth, klub që e dërgoi për herë të parë në kompeticionet evropiane.

“Iraola mbërrin pas tre sezonesh mbresëlënëse në Premier League me Bournemouth, duke i udhëhequr drejt një kualifikimi historik në Evropë falë vendit të gjashtë në kampionat”, thuhet në deklaratën e klubit.

Pas zyrtarizimit, trajneri spanjoll nuk e fshehu entuziazmin për sfidën e re në krye të një prej klubeve më të mëdha në botë.

“Jam shumë i emocionuar. Liverpooli është një klub gjigant, një nga më të mëdhenjtë në botë. Sa më shumë e njeh këtë klub, aq më shumë kupton se sa i veçantë është”, deklaroi Iraola për faqen zyrtare të klubit.

Ai theksoi se atmosfera në stadium, mbështetja e tifozëve dhe mundësia për të luftuar për trofe ishin faktorët kryesorë që e bindën të pranonte ofertën.

“Nuk ke nevojë për shumë arsye për t’u tërhequr nga Liverpooli. Liverpooli është Liverpooli. Mundësia për të punuar me lojtarë të nivelit të lartë dhe për të garuar për tituj e bën këtë sfidë jashtëzakonisht tërheqëse. Mezi pres të filloj”, përfundoi tekniku spanjoll.

Tanimë Liverpooli e ka trajnerin e ri dhe sezonin që vjen këkron të jetë kompetitiv në Premier League dhe Champions League.