TIRANË- Tashmë është zyrtare! Ardi Veliu do të jetë Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP). Veliu është prezantuar ditën e sotme, teksa vjen në këtë post në vend të Muhamet Rrumbullakut.

Ky emërim vjen në vazhdën e ndryshimeve që janë bërë në qeveri. Pak ditë më parë, Veliu u lirua nga detyra si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, teksa më herët ka qenë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ardi Veliu u emërua në detyrën e zv/ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë në nëntor 2021. Nga 5 Shkurt 2018 deri në 5 Tetor 2021 ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Në vendin e tij erdhi Gledis Nano, edhe ky i fundit i shkarkuar pak ditë më parë me vendim qeverie.

Kush është Ardi Veliu?
Ardi Veliu, ka lindur në 2 Mars të vitit 1972 në Delvinë. Është i martuar dhe babai i dy fëmijëve. Nga viti 1987 deri në vitin 1991, kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Nga viti 1991 deri në vitin 1993 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, në Tiranë. Nga viti 1993 deri në vitin 1994 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Tiranë. Nga muaji Janar i 1994 deri në Qershor 1998 kryen studimet në Akademinë e Policisë në Ankara – Turqi. Krahas këtyre studimeve, diplomohet edhe në Fakultetin e Manxhimit të Biznesit, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, studime të cilat i kreu në vitet 2003 -2007 pa shkëputje nga puna.

Është diplomuar gjithashtu edhe në Bachelor, Fakulteti Juridik. Ka përfunduar një sërë kursesh profesionale trajnuese të organizuara nga Pameca, ICITAP dhe OSBE brenda dhe jashtë shtetit, si, në Hungari, SHBA, Poloni, Itali dhe Akademinë e Sigurisë, Tiranë; Ka përfunduar kursin 8- javor pranë qendrës ILEA, Budapest, organizuar nga ICITAP. Është një njohës i mirë i gjuhës Turke dhe Angleze.

Karriera profesionale:
Komandant i “Postës së Policisë”, Memaliaj, Tepelenë (1998-1999)
Shefi i Policisë së Rendit, Vlorë (1993-2002)
Shefi i sektorit të “Policisë me Uniformë”, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2002-2004)
Shefi i sektorit të Rendit, Drejtoria e Policisë, Vlorë (2004-2006)
Shefi i komisariatit të Policisë, Durrës (2013-2014)
Zëvendësdrejtor për Sigurinë, Drejtoria e Policisë, Tiranë (2014-2015)
Drejtor i Kolegjit te Policisë (Shkolla Bazë e Policisë) 2015 -2016
Drejtor i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit 29.07.2016 – 27.04.2017
Nga data 28.04.2017 Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
5 Shkurt 2018 deri në 5 Tetor 2021 ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.