VLORË - Bruno Telushi është mesfushori më i ri i Flamurtarit. 34-vjeçari pak ditë më parë u largua nga AF Elbasani që luan në Superligë dhe nuk vonoi për të zgjedhur ekipin e ri, këtë herë kuqezinjtë e Vlorës që janë në Kategorinë e Parë dhe kërkojnë elitën.
Mesfushori e gjen sërish veten me ngjyrat kuqezi pas shtatë vitesh, pasi hera e fundit që Telushi ishte pjesë e vlonjatëve ka qenë në verën e 2017, kur më pas u largua për në Kroaci me Slaven Belupo.
Kjo do jetë periudha e tretë për Telushin që do mbajë veshur fanellën e vendlindjes. I dalë nga moshat e Flamurtarit, Telushi u largua në 2010 për në Itali te Virtus Entella dhe më pas u rikthye sërish ku qëndroi për plotë shtatë vite dhe u bë i njohur në futbollin shqiptar.
Në karrierën e tij Bruno ka luajtur me klube si: Virtus Entella, Slaven Belupo, Partizani, Kukësi, Neftchi Baku, Egnatia, dhe AF Elbasani.